Biznes

Intel: Shitjet e kompjuterëve mund të rriten në vitin 2009

Publikuar , 22 Shtator 2009
0
Intel: Shitjet e kompjuterëve mund të rriten në vitin 2009

Komentet e Otellinit gjatë konferencës së ditës së martë ishin më optimiste se ato të analistëve të shumtë. Firmat hulumtuese të tregut si IDC dhe Gartner kanë parashikuar një rënie prej viti në vit në dërgesa të kompjuterëve gjatë vitit 2009, që do të ishte rënia e parë qysh prej vitit 2001.

Tregu është tërhequr në një rënie si pasojë e shpenzimeve të ulëta të korporatave në kompjuter të rinj, dhe disa kompani kompjuterike veçse janë duke shikuar drejt vitit të ardhshëm për një kthim pozitiv. Shitjet e kompjuterëve të vegjël ‘netbook’, që në rend të parë përdoren për shfletim të internetit, kanë qenë drita në fund të tunelit, megjithatë këto makina sjellin profite të ulëta për prodhues të kompjuterëve personal dhe të çipave. Intel është prodhuesi numër një i mikroprocesorëve, me një fjalë është ‘truri’ i kompjuterëve personal.

Otellini tha se optimizmi përkrahet nga fakti se kompjuterët janë “të domosdoshëm, diçka që i duhet secilit njeri në jetën e tij të përditshme. Unë mendoj se tregu është nxitur për një rikthim” deklaroi ai.

Hulumtuesit pranë Gartner Inc, kanë parashikuar një rënie prej 2% në shitje të kompjuterëve gjatë vitit 2009, megjithatë kjo është më mirë sesa para disa muajve, kur grupi në fjalë parashikonte një rënie prej 6%.

“Gjërat po duken shumë më mirë në gjysmën e dytë” tha drejtori hulumtues i Gartner, George Shiffler gjatë ditës së martë.

Por Shiffler nuk ishte i gatshëm të shkonte në atë limit sa Otellini. Ai pret që shitjet në gjysmën e dytë të jenë të njëjta sikurse në vitin e kaluar, jo me fuqi të mjaftueshme për të shtyrë tërë vitin në territorin pozitiv.

LEXO EDHE:  Huawei do të zhvillojë teknologji për makinat autonome

“Nuk do të ishte befasi të shohim rritje pozitive, por ky nuk është mendimi ynë për momentin” tha Shiffller. “Mendoj se ajo që u përmend është rasti më i mirë i mundshëm që mund të ndodhë”.

Aksionet e Intel janë rritur 8 cent më shumë, në 19.62 dollarë. Në anën tjetër ato të konkurrencës Advanced Micro Devices (AMD), u rritën për 30 cent (5.2 përqind), pra në 6.11 dollarë.

Prodhuesit e kompjuterëve kishin këto shifra: Dell pësoi rënie 28 cent, në 15.73 dollarë gjersa Hewlett-Packard përfitoi 68 cent më shumë (1.5% rritje), në 47.03 dollarë.

Otellini gjithashtu shfrytëzoi prezantimin e tij në IDF (Intel Developers Forum) për të paraqitur çipa të ndërtuar në teknologjinë e ashtuquajtur 22 nanometër, që i referohet zvogëlimit të madhësisë së çarqeve në shumicën e çipave të avancuar. Këta çipa janë ende në zhvillim e sipër në fabrikat e Intel dhe nuk do të paraqiten në prodhim deri në vitin 2011.

Secili çip që paraqiti Otellini, kishte 2.9 miliard transistor. Çipi i parë i Intel në vitin 1970 kishte vetëm disa mijëra transistorë.

Lajmet e fundit>