Intervista

Intervistë me Besfort Gurin, autorin e librit “Open Street Map – Krijoni hartën tuaj”

Publikuar , 02 Mars 2011
0
Intervistë me Besfort Gurin, autorin e librit “Open Street Map – Krijoni hartën tuaj”

Për shkak të interesimit që është duke u paraqitur në Kosovë për softuer të lirë dhe të hapur, PC World Albanian e pa të arsyeshme intervistimin e Besfortit, i cili njëherësh është edhe në mesin e shumë të rinjëve në Kosovë të cilët në shumicën e kohës përdorin softuerë të lirë dhe të hapur.

PC World Albanian: A mund të na tregoni se si quhet libri?

Besfort Guri: Libri quhet “Open Street Map – Krijoni hartën tuaj”. Ai është një doracak për fillestarë.

PC World Albanian: Si erdhi ideja e shkrimit të këtij libri?

Besfort Guri: Ideja ka ardhur gjatë bisedës që kam pasur me Prahbas Pokharel. Fillimisht diskutuam se çfarë mund të jetë realizimi i idesë inovative UNICEF Innovation Lab Kosovo. Fillimisht filluam me përkthimin e Beginner’s Guide që ndodhet në wiki.openstreetmap.org. Erdhëm në përfundim me Prahbas dhe James Michael DuPont për fillimin e shkrimit të një libri të tillë.

PC World Albanian: Sa kohë mori realizimi?

Besfort Guri: Realizimi zgjati që nga fillimi i dhjetorit dhe pritet që të përfundojë deri kah mesi i marsit.

PC World Albanian: A mund të na e thuani shkurtimisht përmbajtjen e librit?

Besfort Guri: Libri përbëhet nga pesë kapituj. Që në kapitullin e parë paraqitet hyrja në Open Street Map. Kapitulli i dytë më shumë ka material se si përdoret Open Street Map dhe ku mund të gjejmë ndihmë për të. Në kapitullin e tretë flitet për funksionalitetin e GPS-it, se si mund të përdoret pajisja GPS për integrim në Open Street Map. Kapitulli i katërt me radhë ka informacione se si mund të editohet Open Street Map, ndërsa në kapitullin e fundit gjejmë informacione se si mund të etiketojmë objektet apo të dhënat e tjera në Open Street Map.

LEXO EDHE:  Meridian Miftari: Intervistë me Cyber Security e Vitit në edicionin e 7-të të ICT Awards

PC World Albanian: Çfarë fitime ka lexuesi gjatë leximit të këtij libri?

Besfort Guri: Lexuesi, përveç që do të jetë në gjendje të bëjë ndryshme, ai do të jetë në gjendje të shtojë, ndryshojë rrugë apo të dhëna të tjera gjeografike.

PC World Albanian: Ku mund të merret libri nga të interesuarit?

Besfort Guri: Nuk do të ketë shumë numra për fillim. Do jenë 200, që 100 tashmë janë shpërndarë. Libri do të jetë elektronik në Wiki-Books dhe platforma të tjera, duke mundësuar shkarkimin pa pagesë.

PC World Albanian: A ka të interesuar shqiptarë për Open Street Map?

Besfort Guri: Open Street Map ka gjetur përdorim në Kosovë. Në trevat e tjera shqiptare nuk kam përcjellur. Kompania Logistics Plus është duke bërë editimin e të gjitha rrugëve, si në klasifikim të rrugëve, lidhjen në mes rrugëve, pra në udhëkryqe. GJithashtu shoqata FLOSSK ka realizuar një projekt kumevotu.info që për bazë ka pasur Zgjedhjet 2010, ku me Open Street Map ka ndihmuar në gjetjen e lokacioneve të sakta të pikave të votimit.

PC World Albanian:Çfarë planifikoni për të ardhmen?

Besfort Guri: Siç e përmenda edhe më herët, punoj për Logistics Plus në editimin e Open Street Map që shpresoj se për një periudhë të shkurtër kohore, së bashku me kolegët dhe kompaninë Logistics Plus, që ndoshta do ta bëjmë një hartë të plotë të Kosovës në Open Street Map.

PC World Albanian: Faleminderit që gjetët kohë të na rrëfeni.

Besfort Guri: Pasi që më dhatë rastin, dua të falenderoj UNICEF Innovation Lab Kosovo që më ndihmuan në realizimin e këtij projekti, pastaj Altin Ukshinin që më ndihmoi në dizajn, Lulzim Gashin dhe Ardian Haxhën që më ndihmuan në anën teknik dhe Gent Thaçin që së shpejti do të bëjë futjen e librit në formën elektronike, ku mund të shkarkohet pa problem. Faleminderit edhe juve për kohën tuaj.

LEXO EDHE:  Rrjeti Evropian satelitor i navigimit rikthehet në punë pas 6 ditësh ndërprerje

 

Lajmet e fundit>