Lajmet

“Java e Edukimit në Shkenca Kompjuterike”, Hour of Code edhe në Shqipëri

Publikuar , 12 Dhjetor 2014
0
“Java e Edukimit në Shkenca Kompjuterike”, Hour of Code edhe në Shqipëri

13104_10152958707059903_1931570919540757994_nDatat 08- 12 dhjetor shënojnë në mbarë botën “Javën e Edukimit në Shkenca Kompjuterike” dhe në kuadër të saj po mbahet edhe Hour of Code. Nismë kjo e ndërmarrë nga Code.org dhe mundësohet edhe për Shqipërinë falë bashkëpunimit të kësaj të fundit me Microsoft Corporation.

Kompania Microsoft Albania dhe Qendra Protik ditën e djeshme, më 11 dhjetor 2014, organizuan një aktivitet me sloganin “Ka një fillim për secilin prej nesh” (“Everyone starts somewhere”). I ftuari i parë ishte Lorenc Bako, këshilltar i Ministres së Shtetit për Inovacion dhe Administratë Publike, i cili u shpreh se përpjekjet e qeverisë për ti nxitur nxënësit drejt programimit dhe inovacionit do të jenë të shumta. “Nxënësit duke mësuar kodimin i mundësojnë vetes të krijojnë teknologjinë dhe programet vetë, dhe jo thjesht të jenë përdorues të saj” përfundoi ai.

Gjithashtu i ftuar ishte edhe Agim Bejkaj, drejtori i përgjithshëm i Microsoft Albania, i cili inkurajoi çdo prind, mësues, nxënës drejt rrugës së bukur të kodimit. Në kuadër të Javës së Edukimit në Shkencat Kompjuterike, nxënësit e shkollave Emin Duraku dhe Gjergji Canco janë trajnuar dhe kanë mësuar gjuhën e kodimit ,duke krijuar kështu lojëra të ndryshme, të cilat u prezantuan në aktivitetin e djeshëm.

Ky trajnim mundësohet falë programeve dhe burimeve Microsoft si Microsoft TEALS, TouchDevelop, Kodu Cup dhe Imagine Cup në bashkëpunim me qendrën Protik. Aktiviteti vijoi më pas me workshop mbi të mësuarin e kodit si dhe me prezantimet finale të lojërave të krijuara nga nxënësit.

Shefi ekzekutiv i Microsoft, Satya Nadella më parë ka konsideruar se: “Ora e Kodit u ndihmon studentëve dhe nxënësve që të zbulojnë kënaqësinë e kodimit dhe ajo që është më me rëndësi, u mundëson atyre të kuptojnë se si kjo mund të jetë një katalizator për të arritur në realizimin dhe krijimin e shumë ideve. Së bashku ne mund të nxisim gjenerata të tëra të rinjsh që do të kenë talent në fushën e teknologjisë dhe që posedojnë pasionin dhe energjinë për të bërë ndryshime”

LEXO EDHE:  Google tërhiqet nga prodhimi i tabletëve

Deri në këtë moment kanë qenë 69,790,376 individë të çdo moshe të cilët kanë provuar një Hour of Code, duke filluar që me presidentin e SHBA-së Barack Obama, Shakira, Ashton Kutcher dhe shumë të tjerë. Këtu mund të gjeni një video lidhur me përfshirjen sa më të gjerë të njerëzve të ndryshëm në Hour of Code.

[youtube id=”FC5FbmsH4fw”]

(“If you can create technology , you can change the world”) – Nëse ju mund të krijoni teknologjinë, ju mund të ndryshoni botën, prandaj mund të filloni që sot. Faqja e kodimit për Shqipërinë. (PCWorld Albanain)