Lajmet

Jepni jetë idesë suaj në fundjavën e inovacionit Korça Digital Weekend

Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 23 Janar 2020
0
Është një mundësi për të gjithë ata të rinj që idenë e tyre dëshirojnë ta transformojnë në histori suksesi si një pikëtakim i dijes dhe teknologjisë të cilat kur bëhen bashkë bëjnë diferencë Jepni jetë idesë suaj në fundjavën e inovacionit Korça Digital Weekend

Vetëm duke shikuar nga e kaluara mund të shohim avancimet teknologjike të cilat kanë udhëhequr progresin njerëzor. Ndërsa përmes të kaluarës mund të identifikojmë arritjet, shumica e njerëzve e kanë të pamundur të shohin inovacionet e ardhshme teknologjike përpara se të bëhen plotësisht pjesë e jetës sonë.

Korça Digital Weekend është padyshim kryefjala e teknologjisë dhe inovacionit gjatë kësaj fundjave. Organizuar nga Bashkia Korçë, ICTSlab, Vigan Group, ABSA dhe Universitetin e Korçës “Fan S. Noli”, ky aktivitet vjen për të promovuar vlerat dhe mundësitë që ofrojnë aftësitë dhe ekonomia dixhitale.

A do të mbetem konkurrues në tregun e punës në vitet e ardhshme? Si do të ndikojë dixhitalizimi në profilet profesionale? Çfarë duhet të bëni që të siguroni punësimin tuaj? Si mund të rrisni produktivitetin dhe efektivitetin në punë apo kompaninë tuaj?

Këto dilema shqetësojnë jo vetëm moshat e reja por edhe të rriturit. Edhe pse një njeri i zakonshëm ka pak ose fare njohuri rreth asaj që po vjen, trajektorja e teknologjisë moderne nuk është paparashikueshme nga të gjithë. Për tu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve në Korça Digital Weekend do të marrin pjesë personazhe të njohura nga bota e teknologjisë dhe sipërmarrjes për të ndarë me të rinjtë dhe rejat eksperiencën dhe këshillat e tyre.

Në kuadër të Korça Digital Weekend, me anë të platformës Global Digital City, Vigan Group u vjen në mbështetje të rinjve duke organizuar një aktivitet paralel ku fton të gjithë të rinjtë e Korçës tu japin jetë ideve të tyre inovative duke i shndërruar ato sipërmarrje dhe jo vetëm por edhe aftësive dixhitale duke ja bërë më të lehtë vetvetes misionin e punësimit.

LEXO EDHE:  Versioni i ardhshëm i Windows 10 do të ketë një opsion që keni për ta dashuruar

Global Digital City është një platformë e cila ka për qëllim të ndërgjegjësojë dhe informojë rinjtë dhe të rejat rreth pafundësisë së mundësive që ofron epoka dixhitale.

Gjatë këtij aktiviteti, të rinjtë mund të prezantojnë idenë e tyre, ta zhvillojnë dhe përpunojnë me mentorët në formatin e një boot-camp. 10 idetë më të mira do të mund të prezantojnë për 60 sekonda në skenën e Korça Digital Weekend.

Idetë më të mira do të përfitojnë trajnime dhe mentorime falas mundësuar nga Bashkia e Korçës dhe biznese të cilat do të jenë prezentë gjatë aktivitetit.

Është një mundësi për të gjithë ata të rinj që idenë e tyre dëshirojnë ta transformojnë në histori suksesi si një pikëtakim i dijes dhe teknologjisë të cilat kur bëhen bashkë bëjnë diferencën.

Nëse je një i ri me ambicie në fushën e teknologjisë dhe sipërmarrjes, nëse po kërkoni punë dhe trajnim, apo të mësoni më shumë rreth fushave të teknologjisë hidhni hapin për të cilin keni pritur kaq gjatë duke plotësuar formularin e pjesëmarrjes në këtë lidhje: https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSeHY38GH1DXZk6w82OjyOJ4dRSdrN1Wr9gQWV0ioWbZCIieEg/viewform?usp=send_form

Revolucioni teknologjik ka nevojë për ju. /PCWorld Albanian