Blog

Julian Assange mund të apelojë ekstradimin në SHBA

Nga: PCWorld
Publikuar , 24 Janar 2022
Vetë gjyqtarët kanë thënë se ata nuk mund t’i japin të drejtë Assange-it për ta apeluar vendimin në Gjykatën Supreme. Julian Assange mund të apelojë ekstradimin në SHBA

Themeluesit të faqes WikiLeaks, Julian Assange, i është dhënë leje për ta apeluar vendimin që mundëson ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.

Uashingtoni dëshiron ta përballë me gjykim Assange-in, lidhur me publikimin e 500,000 dokumenteve ushtarake që kanë të bëjnë me luftërat e Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan.

Në dhjetor të vitit të kaluar, një gjykatë në Londër ka përmbysur vendimin e një gjykate më të ulët që pamundësonte dërgimin e Assange-it në Shtetet e Bashkuara, me arsyetimin e rrezikut të vetëvrasjes.

Avokatët e Assange-it më vonë kanë sfiduar vendimin, duke argumentuar se gjykata më e lartë e shtetit duhet të marrë vendime “në bazë të pikave të ligjit që lidhen me rëndësi të përgjithshme publike”.

“Është pranuar kërkesa e palës së paditur për vërtetimin e kësaj pike”, kanë thënë gjyqtarët, Ian Burnett dhe Timothy Holroyde përmes një vendimi me shkrim.

Vetë gjyqtarët kanë thënë se ata nuk mund t’i japin të drejtë Assange-it për ta apeluar vendimin në Gjykatën Supreme.

Mirëpo Assange ka të drejtë të kërkojë drejtësi në bazë të asaj pike në gjykatën më të lartë, e cila më pas mund të vendosë nëse do të shqyrtojë rastin.

“Julian ka fituar”, ka thënë Stella Morris, e fejuara e tij, njëherësh nëna e dy fëmijëve të tij të vegjël.

“I takon tani Gjykatës Supreme për të vendosur nëse do të dëgjojë apelin e Assange-it”.

Turmat e mbledhura në qendër të Londrës e kanë mirëpritur këtë vendim. /REL

LEXO EDHE:  Reddit merr prej Instagram me një hapësirë të re përmbajtjesh