Biznes

Kartat e kreditit, shqiptarët kanë numrin më të ulët në Evropë

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 04 Tetor 2019
0
Nga vendet e tjera të rajonit, numër të ulët ka Kosova, me 35 ATM për 100 mijë banorë, Serbia (49), Bosnja (55), Maqedonia (60) Mali i Zi (87). Kartat e kreditit, shqiptarët kanë numrin më të ulët në Evropë

Kartat e kreditit, një instrument komod që të mundëson të paguash me këste, të mos mbash para me vete sidomos kur udhëton jashtë, apo të blesh direkt në internet, nuk duket se janë shumë të preferuara nga konsumatorët vendas.

Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se Shqipëria kishte 44 karta krediti për 1,000 banorë në vitin 2018. Ndonëse ka ardhur në rritje në raport me vitet e mëparshme (treguesi ishte 28 në 2013-n), sërish kemi përdorimin më të ulët të tyre në Europë.

Nivel të ulët kanë dhe vendet e tjera të Ballkanit, si Mali i Zi (64), Kosova me 131 karta për 1000 banorë, që gjithsesi është tre herë më i lartë sesa i joni, Bosnja (140).

Më mirë në rajon janë Maqedonia (214) dhe Serbia (202).

Në shtetet e Europës Perëndimore, karta e kreditit është një mjet i zakonshëm pagese, ku çdo i rritur e zotëron një të tillë. Rekordin në Europë e mban Norvegjia, me 1,592 karta për 1,000 banorë, pra mesatarisht çdo banor ka më shumë se një kartë, e ndjekur nga Spanja (1,287), Suedia (1,062).

Të dhëna të tjera, po të FMN-së treguan se Shqipëria ka numrin më të ulët në Europë të ATM-ve (Automated Teller Machine), apo makinerive që ju lejojnë të tërhiqni paratë nëpërmjet një karte. Të matura për 100 mijë banorë, vendi ka 30 ATM, që është gati 6 herë më e ulët se në Austri, shteti që mban rekord në Europë.

Nga vendet e tjera të rajonit, numër të ulët ka Kosova, me 35 ATM për 100 mijë banorë, Serbia (49), Bosnja (55), Maqedonia (60) Mali i Zi (87).

LEXO EDHE:  Nokia 9 PureView me pesë kamera detajohet në një video promocionale

Të dhëna të tjera të FMN-së treguan se Shqipëria është përkeqësuar në shtatë nga dhjetë treguesit që merr parasysh vrojtimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Aksesin Financiar për vitin 2018. Të dhënat treguan se numri i automateve është 30.43 për 100 mijë të rritur, ndërsa treguesi i mëparshëm ishte 30.47. Treguesi i dytë me rënie është ai i degëve komerciale të bankave për 100 mijë të rritur.

Nga 20.56 që ishte në vitin 2017, ky tregues, sipas FMN, në vitin 2018 është regjistruar 30.43. Numri i depozituesve në bankat komerciale për 1000 të rritur ishte 1.085 në vitin 2017 ndërsa në vitin 2018 ishte 1.033. Numri i huamarrësve nga bankat për 1000 të rritur rezulton 139.18 për vitin 2017, ndërsa ishte 137.51 vitin e shkuar. /Monitor

Lajmet e fundit>