Intervista

Këmbëngulja është çelësi i suksesit

Publikuar , 23 Mars 2011
0
Këmbëngulja është çelësi i suksesit

Intervistë me Kushtrim Xhaklin
Intervistoi: Çelik Nimani

Njëri prej njerëzve më aktivë në skenën e Teknologjisë Informative në Kosovë është sot lideri i jashtëzakonshëm i një kompanie të quajtur Fast Europe Ventures, të cilën madje po e kërkojnë për partneritet edhe kompani në Silicon Valley.

Kushtrim Xhakli, një sipërmarrës interneti me një përvojë të madhe në zhvillimin e produkteve dhe bizneseve, sot jeton në Lituani, nga ku menaxhon biznesin e tij që operon në shtetet baltike dhe në ato skandinave. Opinionet e tij kemi pasur rastin t’i lexojmë shpesh në media të ndryshme ndërkombëtare, si: “The Economist, “Die Ziet”, “France24”, “BBC”, “CNN”, “SEE TImes”, etj.. Shumë prej lexuesve të këtyre rreshtave e dinë se ai është gjithashtu një ligjërues aktiv në konferenca europiane, si:  LIFT Conference – Zvicër, SHiFT – Portugali, Baltic Economic Forum – Letoni, LOGIN.lt, etj. Ai është gjithashtu ligjërues në trajnimet për e-biznes dhe marketing online.

Projekti trajnimi.com, që solli trajnimin e parë konkurrues me standarde ndërkombëtare dhe pa pagesë online për qytetarët e Kosovës, ishte ndër projektet më të mira që u realizuan kur ishte ai drejtor i IPKO Institute,  për të cilën edhe u nderua në vitin 2008 me çmimin “Best Practice Award 2008” nga ECDL. Ky projekt arriti të thyejë paradigmat ekzistues të tregut të Kosovës në ofrimin e trajnimeve, duke u ofruar të interesuarve mundësi moderne për zhvillimin e aftësive të tyre për teknologji informative.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, Xhakli vizitoi ambientet punuese të PCWorld Albanian dhe ofroi edhe disa minuta të kohës së tij për të dhënë një intervistë.

PCWA: Kushtrim Xhakli dikur ishte drejtor në IPKO Institute, ndërsa sot ata që e njohin e dinë që ai është themelues dhe udhëheqës i Fast Europe Ventures. Si ndodhi kjo?
Xhakli: Misionin tim e nisa me IPKO Institute, duke vazhduar me rrugëtimin për në Suedi, ku ndoqa studimet në shkollën prestigjioze Hyper Island dhe pas kësaj vendosa të kthehem në Kosovë për të dhënë kontributin tim maksimal për shoqërinë informative dhe ndërmarrjet me një vizion të qartë: shpërndarjen e ndikimit pozitiv të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit. Në atë kohë kisha oferta edhe nga sektori bankar, por vizioni im mbeti i palëkundur dhe për rrjedhojë vazhdova me IPKO Institute. Së bashku ne kemi investuar për të pasuruar ardhmërinë elektronike të Kosovës me projektin Trajnimi.com, i cili edhe sot mundëson trajnim pa pagesë online për të gjithë qytetarët e Kosovës që dëshirojnë të avancohen në ECDL (European Computer Driving License) dhe në shume projekte të tjera.

Menjëherë pas lançimit të projektit trajnimi.com, patëm rastin të shohim mbi 5,000 pjesëmarrës online që shfrytëzonin mundësitë e mësimit të njohurive të reja në formë elektronike, kurse sot ky numër ka arritur në 22,000. Pas këtij suksesi, projekti i është dorëzuar si donacion Ministrisë së Arsimit në mënyrë që të promovohet dhe përhapet nëpër shkollat e Kosovës. Tani ky projekt është nën patronatin e kësaj ministrie, por mbikëqyrjen teknike vazhdon ta bëjë IPKO Institute apo sot siç njihet IPKO Foundation.

LEXO EDHE:  Agon Avdimetaj: Intervistë me Inovacionin e Vitit në edicionin e 7-të të ICT Awards

Gjatë kësaj kohe unë pata mundësi të punoja edhe në projekte të reja inovative dhe gjithashtu të udhëtoja nëpër Evropë, duke qenë i pranishëm edhe si folës në konferenca të ndryshme për të treguar suksesin e arritur në Kosovë, vazhdimisht duke synuar promovimin e tregut të Kosovës dhe duke aluduar se ka njerëz inovativë dhe jashtëzakonisht kreativë. Në vitin 2008, qendra kryesore e ECDL-së në takimin e saj vjetor na inkuadroi në garë për çmimin special “Best Practice Award 2008” me shtete si Zvicra, Austria e Belgjika, por ne arritëm ta sjellim këtë çmim në vendin tonë. Pas këtij çmimi vjen edhe përmbyllja e kapitullit të kohës sa isha me IPKO Institute dhe më pas vendosa të nis një tjetër, themelimin e Fast Europe Ventures.

PCWA:  Na tregoni pak për Fast Europe Ventures. Pse janë zgjedhur për operim tregjet e shteteve baltike dhe a synohet zgjerimi i kompanisë edhe përtej vendeve të tilla në zhvillim e sipër?
Xhakli:Fast Europe Ventures është kompani telekomunikuese, e cila është e specializuar në ofrimin e shërbimeve mobile, përkatësisht interaksionet , pagesat me celularë dhe me 2D bar kodet (QR codes). Tregjet ku ne operojmë janë shtetet baltike dhe kemi bashkëpunime edhe me kompani që operojnë në tregjet skandinave. Arsyeja është se një numër i madh shërbimesh mobile janë futur në këto tregje para shumë të tjerëve dhe si rezultat shtetet baltike efektivisht janë shndërruar në një arenë inovacionesh për telekomët skandinavë. Por në kthim nga ky rajon kanë dalë shumë inovacione, si për shembull Estonia dhe Lituania kanë qenë shtetet e para në Europë që kanë shpalosur në treg sistemin e nënshkrimit mobil (Mobile Signature System 2006/2007), pastaj Lituania ka qenë shteti i parë që ka lançuar komercialisht shërbimin EDGE në vitin 2003 dhe ndër të parët për HSPDA (2006). Estonia ka qenë e para që ka shpalosur e-voting në zgjedhjet komunale dhe nacionale, e kështu me radhë.

Evolucioni i shpejtë i industrisë së telekomunikacionit ka sjellë një numër të mirë kompanish që kanë depërtuar në tregjet globale dhe kanë lindur në shtetet e Baltikut, ku pa dyshim që duhen përmendur kompani si Skype, Kazaa, GetJar.com, etj.

Pra, ne jemi aty ku zhvillimi në këtë industri është i hovshëm dhe ku konkurrenca matet me shërbime, përkatësisht inovacione që sinjalizojnë atë që do të sjellë industria në vitet e ardhshme.  Në anën tjetër, duke marrë parasysh gjithë këto përvoja, vendosëm të jemi aktivë edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, ku investojmë për stimulimin e tregut dhe ndërtimin e infrastrukturës që kanë të bëjnë me pagesa me celularë dhe 2D bar kodet, të cilat do të kenë përfitime në periudhën afatgjate.

PCWA:
Si operon sot FEV në Kosovë dhe me çfarë problemesh apo anësh pozitive përballet ajo?
Xhakli:Përvojat që marrim prej tregjeve baltike janë të shkëlqyera dhe mjaft të dobishme edhe për rajonin tonë sepse kemi të bëjmë me një treg të ngjashëm në madhësi. Të mirat e tregut janë se shumica e njerëzve adaptohen shumë lehtë me inovacionet dhe kjo na lejon mundësi më të shpejta të testimit të produkteve të reja, gjë që mund të bëhet edhe në Kosovë, pasi mund të shërbejë si një vend i mirë testues për tregjet e mëdha.

LEXO EDHE:  Meridian Miftari: Intervistë me Cyber Security e Vitit në edicionin e 7-të të ICT Awards

Në anën tjetër, problemet me të cilat përballet FEV janë nga ato ligjore deri tek ato burokratike, të cilat janë shumë të panevojshme dhe jo që nuk e ndihmojnë tregun kosovar, por faktikisht ndikojnë negativisht në të. Konkurrenca e pandershme dhe favorizimet bëjnë që të kemi probleme edhe me zhvillimin në infrastrukturë.

Në raste jo të rralla ndodh favorizimi i dikujt tjetër pa përvojë për t’u futur në treg, duke shkaktuar në këtë mënyrë shkatërrimin e konceptit për inovacion dhe duke paraqitur para industrisë një kopje të keqe nga ndonjë vend i huaj pa ndonjë hulumtim apo vëzhgim paraprak.
Me FEV më shumë kemi parasysh misionin e edukimit të konsumatorit, që ai të jetë i qëndrueshëm ndaj të gjitha inovacioneve të tregjeve botërore, e jo të përfitojmë që prej ditës së parë.



PCWA:
A mendoni se pagesat mobile janë ende diçka e largët për tregjet tona?
Xhakli:Ndërkohë që pagesat me celularë janë ende në rritje në tregjet e zhvilluara dhe në tregjet në zhvillim e sipër, ende ka një rrugë të gjatë për t’u bërë deri në integrimin e plotë të tyre për aplikimin në ndërmarrje. Tanimë ky koncept thuajse është standardizuar dhe me transformimet që po pëson, mundësitë edhe po rriten.

Megjithatë, shumica e operatorëve mobilë i kanë ndalur inovacionet në këtë fushë dhe presin që fitimi me telefonata dhe sms të vazhdojë pa ndonjë mundim tjetër. Siç është provuar në fusha të tjera, si tek aplikacionet në celularë, palët e treta dhe ofruesit e përmbajtjeve dhe shërbimeve janë gjithmonë ata që e shtyjnë tregun rreth inovacioneve dhe sjellin fitime të mëtutjeshme për operatorë, duke marrë rolin udhëheqës për zhvillimin vertikal të tregut. Ofruesit e shërbimeve nuk ekzistojnë në masë në Kosovë.

Arsyeja për këtë është e qartë: një ekosistem i pasur i internetit dhe i shërbimeve celulare mund të zhvillohet vetëm nëse zhvilluesit e gjejnë mënyrën për të fituar të holla nga produktet e dyta në internet, kurse konkurrenca duhet të matet nga kompanitë me reputacion të besueshëm.  Kjo mundësi mund të arrihet nga dy burime: shfrytëzuesit dhe reklamuesit. Në qoftë se këto dy burime të monetizimit nuk janë funksionale, nuk ka as motivim për të zhvilluar shërbime dhe përmbajtje në internet dhe ky është aktualisht problemi që ka tregu.

Në anën tjetër, konsumatorët janë shumë të uritur për të marrë përmbajtje digjitale dhe shërbime përmes celularit të tyre si mjet transaksioni dhe tani kur sistemi po standardizohet, celulari për ta po përfiton mundësinë e përdorimit edhe për pagesa përmes tij.

Tregu është ende i fragmentuar dhe i nevojitet një konkurrencë që nuk do të mendojë vetëm për tregun lokal, por me përvojat e tij të ndërtojë diçka që mund ët ofrohet si shërbim për tregje globale.



PCWA: Ku e shihni të ardhmen? Me FEV në tregjet ku veproni tani, në partneritet me ndonjë kompani më të madhe në Europë apo diku tjetër?
Xhakli: Përveç menaxhimit në Fast Europe Ventures, ku bëj partneritet me kompani evropiane, siç është rasti me kompaninë nga Finlanda, UpCode Technology, me të cilën kemi filluar edhe shpërndarjen e bar kodeve “UpCode 2D” për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, gjithashtu jap këshillime të shpeshta dhe ligjërime për trendet e së ardhmes në sektorin e telekomunikimit nëpër konferenca europiane dhe amerikane, me vizita të shpeshta edhe në Silicon Valley. Atje jam i angazhuar si ambasador për Ballkanin në Startup School, në San Francisco. 

LEXO EDHE:  Agon Avdimetaj: Intervistë me Inovacionin e Vitit në edicionin e 7-të të ICT Awards

Së fundi jam duke punuar edhe me disa investitorë amerikanë për të bërë hapjen e një inkubatori në Europë, ku kompanive fillestare që do të aplikojnë do t’u ofrohet kapital fillestar,  këshillim, mbikëqyrje dhe lidhje e drejtpërdrejtë me ekspertët dhe VC-të (Venture Capital). Përmes kësaj ne synojmë të rrisim nivelin e kompanive në Europë, përkatësisht në Europën Lindore, duke krijuar kështu kushte për krijimin e kompanive të tjera të mëdha si Skype, Spotify, GetJar, etj.

Në të ardhmen, unë sërish e shoh veten pranë kompanive dhe rrjeteve që jam duke zhvilluar dhe në anën tjetër duke i mbajtur sytë vazhdimisht drejt Kosovës dhe Shqipërisë për të krijuar ura lidhëse me inovatorët e rrjeteve shqiptare, të cilët po bëjnë përpjekje maksimale për të marrë investime, por ende nuk po hasin në mundësi të mirëfillta zhvillimi dhe përkrahje të nevojshme për fillimin e bizneseve të tyre.

PCWA: Çfarë këshillash keni për kompanitë fillestare apo për dikë që po synon krijimin e një kompanie brenda një kohe të shkurtër?
Xhakli: Së pari ajo që dua t’ju them është që të filloni sa jeni të rinj dhe të mos ngurroni të provoni çdo ide për të cilën mendoni se është inovative. Në treg nuk ka ndonjë rrugë të drejtë apo ndonjë plan universal që përshtatet me të gjitha bizneset. Formula magjike këtu jeni ju.

Nëse merrni kapital fillestar nga investitorët, shpenzoni sikur të ishin paratë tuaja në mënyrë që të keni para vetes një kompani që punon mençur dhe me fokusim.

Më e rëndësishmja është që të mos dorëzoheni asnjëherë sepse nuk është e lehtë të jesh ndërmarrës  në një botë konkurruese, ku do të përballeni me procese të dhimbshme dhe emocionale që nganjëherë ju bëjnë të ndiheni të pasigurt kur gjërat shkojnë në drejtim të kundërt. Por prapë e them mos u dorëzoni sepse këmbëngulja në këtë proces është çelësi i suksesit tuaj.

Një koment i një portali rreth Kushtrim Xhaklit:

“Ai është veçanërisht i fuqishëm në edukimin e njerëzve ndaj një bashkësie më të gjerë të teknologjive të reja në ambiente sfiduese.  Si një njeri i ideve, ai do t’ju ndihmojë në njoftimin me tregjet e reja të Europës Lindore dhe gjithashtu do t’ju ofrojë mundësinë për të kuptuar se çfarë i inspiron gjeneratat e ardhshme të ndërmarrësve të Europës.”                                         –
TechMe2.eu

Lajmet e fundit>