Biznes

Kompania Kosovare Solaborate përfiton një investim 10 milionë dollarë

Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 04 Shkurt 2020
0
Pas suksesit që korri me versionin e pare të HELLO ku përfitoi financim me vlerë 1400% në Kickstarter dhe IdieGogo, HELLO 2 po në Kickstarter përfitoi financim me 700%. Kompania Kosovare Solaborate përfiton një investim 10 milionë dollarë

Kompania Solaborate themeluar nga vëlla e motër nga Kosova Labinot dhe Mimoza Bytyqi përfitoi një investim prej 10 milionë dollarësh nga EPOS dhe Demant Group.

Solaborate është kompania e cila rrëmbeu çmimin ICT Inovacioni i Vitit në edicionin e 5-të të ICT Awards me një ekip prej 60 vetash të cilët punojnë nga Kosova dhe kanë zhvilluar një pajisje video të avancuar dhe inovative për komunikim.

Quajtur HELLO, kjo pajisje u vjen në ndihmë bizneseve dhe individëve të komunikojnë më mirë, më shpejtë dhe sigurtë me njëri tjetrin. HELLO është një pajisje e cila transformon çdo TV në platformë video conferencing. Është një pajisje e zgjuar “all-in-one” e cila mbështet video 4K, wireless screen sharing, live broadcasting dhe shumë funksione të ndryshme.

Labinot & Mimoza Bytyqi vëlla e motër, lindur ne Kosovë, në vitin 1999 emigruan në Bregun Perëndimor të Shteteve të Bashkuara si refugjatë lufte. Aty vazhduan edukimin dhe karrierën, ku edhe themeluan kompaninë e tyre Solaborate.

Pas suksesit që korri me versionin e pare të HELLO ku përfitoi financim me vlerë 1400% në Kickstarter dhe IdieGogo, HELLO 2 po në Kickstarter përfitoi financim me 700%.

Investitorët EPOS janë një kompani e re në Danimarkë me në fokus teknologjinë shëndetësore në pronësi të Demant Group e cila prodhon zgjidhje audio të cilësisë së lartë për sipërmarrjet dhe sektorin e lojërave.

Sektori i video konferencave është një treg në rritje i cili deri më 2022 do të ketë një vlerë prej 2.8 miliardë dollarësh.

Solaborate është një kompani e zhvillimit të softuerit dhe teknologjisë inovative. Themeluar në 2011-ën me seli në Los Angeles të Kalifornisë, pjesa më e madhe e ekipit në të vërtetë ndodhet në Prishtinë.

LEXO EDHE:  Microsoft mbyll dyqanet fizike por jo për shkak të koronavirusit

HELLO funksionon si pjesë e platformës së Solaborate dizajnuar për individët por edhe ekipet që kërkojnë komunikim dhe bashkëpunim të cilësisë së lartë, të lehtë dhe të pasur në funksionalitete.

Kjo pajisje merr vetëm 2 minuta kohë për tu konfiguruar dhe mbështet shpërndarjen wireless në platforma të ndryshme si Windows, Mac, iOS, Android dhe Linux. Materialet e ndërtimit janë prej alumini, dhe HELLO ka një dizajn elegant e të qëndrueshëm i disponueshëm në dy ngjyra: zezë dhe gri.

Ju mund ta përdorni Hello me Alexa, Skype, Skype for Business, WebEx, Google Hangouts, Facebook Messenger, WeChat, WhatsApp, Zoom, BlueJeans, GoToMeeting dhe shumë të tjera. Disponueshmëria e këtyre aplikacioneve përmes HELLO mundëson një eksperiencë e cila ka në fokus efikasitetin dhe produktivitetin. /PCWorld Albanian