Analiza

Kompanitë celulare në Shqipëri vazhdojnë të humbasin abonentë

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 04 Shtator 2019
0
Sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike kanë detyrim ligjor të dërgojnë në AKEP të dhëna rreth aktivitetit të tyre. Kompanitë celulare në Shqipëri vazhdojnë të humbasin abonentë

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Shqipëri publikoi raportin e tre mujorin e dytë të 2019 të shërbimeve të internetit, telefonisë fikse dhe celulare.

AKEP ka filluar të publikojë periodikisht të dhëna dhe tregues statistikore që prej muajit Prill 2009 përmes faqes në ueb www.akep.al.

Periodiciteti i publikimeve ka evoluar nga raportime vjetore dhe gjashtëmujore në tre mujore duke filluar nga fund i 2014-ës.

Sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike kanë detyrim ligjor të dërgojnë në AKEP të dhëna rreth aktivitetit të tyre.

AKEP publikon treguesit kryesorë të tregut të komunikimeve elektronike duke marrë në konsideratë si natyrën konfidenciale të një sërë treguesve të raportuar nga sipërmarrësit edhe interesat e publikut për të krijuar një treg të hapur dhe konkurrues.

Në tre mujorin e katërt të 2019-ës u vunë re disa tendenca:

  • Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM në fund të T2 2019 ishte rreth 3,499,446 që përbën një ulje me 4.5% në krahasim me tremujorin e mëparshëm, dhe një ulje me 28.2% në krahasim me T2 2018;
  • Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë T2 2019 arriti në rreth 2.5 milionë që përbën një rënie me rreth 1.1% me T1 2019 dhe rënie me 5.9% në krahasim me T2 2018;
  • Numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet nga rrjetet celulare në T2 2019 ishte rreth 1.7 milionë që përbën një rënie me 7% me tremujorin e mëparshëm, dhe një rritje me 0.1% në krahasim me Tremujorin e dytë 2018.
  • Sasia e trafikut data (Internet) në rrjetet celulare gjatë T2 2019 ishte rreth 15.6 Milion GByte. Një përdorues aktiv i aksesit broadband celular ka përdorur 2.99 GB Internet në muaj në T2 2019, që përbën një rritje me 13.9% në krahasim me T1 2019 dhe një rritje me 5% krahasuar me T2 2018.
  • Konsumi mesatar mujor për përdorues aktiv i shërbimeve celulare gjatë T2 2019 ishte: 189 minuta dalëse, 33 SMS dhe 2.99 GB Internet. Krahasuar me T1 2019, konsumi mesatar i thirrjeve pati një rritje me 4.7%, konsumi mesatar i SMS-ve dhe konsumi mesatar i internetit pati rritje respektivisht me 1.2% dhe me 13.9%.
  • Numri i pajtimtarëve të linjave të telefonisë fikse në fund të tremujorit të dytë 2019 ishte rreth 248 mijë, që përbën një rënie me 0.83% në krahasim me T1 2019 dhe një rritje me 0.2% në krahasim me T2 2018. AKEP ka kryer vlerësimin e këtij treguesi për periudhat para T4 2016 për shkak të ndryshimit të përkufizimit të tij në këtë tremujor
  • Numri i pajtimtarëve më akses broadband në internet nga rrjete fikse në T2 2019 arriti në rreth 399 mijë, që përbën një rritje me 6.1% në krahasim me tremujorin e mëparshëm dhe një rritje me rreth 24.4% në krahasim me të njëjtin tremujor në vitin 2018.
LEXO EDHE:  Biznesmeni që bleu Telekom Albania pranë blerjes të operatorit celular Telekom Romania

Telefonia Celulare

Tregu i telefonisë celulare prej disa vitesh tashmë udhëhiqet nga Vodafone Albania me 1.707 milionë abonentë dhe 1.213 milionë përdorues aktivë. Krahasuar me një vit më parë numri abonentëve ra me 32.5% ndërsa i përdoruesve aktivë me 7.6%.

Vendin e dytë e zë Telekom Albania 1.183 milionë abonentë dhe 936 mijë përdorues aktivë. Edhe ky operator pati rënie me 27.9% të abonentëve krahasuar me një vit më parë dhe 6.2% të përdoruesve aktivë.

Telekom Albania u ble në fillim të këtij viti nga investitori Bullgar Spas Roussev dhe investitori Shqiptaro-Bullgar Elvin Guri për 50 milionë euro nga OTE.

ALBtelecom vjen i treti me 608 mijë abonentë ku 426 mijë prej tyre janë aktivë. Kompania shënoi një rënie të numrit të abonentëve me 13.8% dhe përdoruesve aktivë me 0.1% krahasuar me një vit më parë.

Për nga përqindja e numri të abonentëve me parapagesë, ALBtelecom rezulton me numrin më të ulët prej 80.4% ku pjesa tjetër janë me kontratë.

Në vend të dytë vjen Vodafone Albania ku 87.8% e abonentëve janë me parapagesë dhe pjesa tjetër me kontratë. Vlen të theksohet se kompania ka nisur një fushatë promovimi të planeve tarifore me kontratë Vodafone Next të cilët mendohet të kenë kontribuar edhe në ndryshimin e prekshëm mes tre mujorit të parë të 2019-ës ku 92% e abonentëve të Vodafone ishin me parapagesë.

Së fundi vjen Telekom Albania me 88.7% të përdoruesve me parapagesë dhe pjesa tjetër me kontratë. Zakonisht kontratat e ofruar nga operatorët janë 12 muaj nga Vodafone, 12 dhe 18 muaj nga Telekom Albania dhe 12 dhe 24 muaj nga ALBtelecom.

LEXO EDHE:  LG prezanton televizorët e 2019, të parët me porta HDMI 2.1

Vodafone Albania gjithashtu udhëheq me 902 mijë përdorues me akses në internet 3G dhe 4G ndjekur nga Telekom Albania me 567 mijë dhe ALBtelecom me 272 mijë. Të tre operatorët kanë shënuar rënie me 8.6%, 6.6% dhe 2.4% respektivisht krahasuar me një vit më parë.

Telefonia Fikse

Tregu i telefonisë fikse dominohet prej ALBtelecom dhe kjo nuk ka për të ndryshuar për një kohë të gjatë. Ky i fundit numëron 178 mijë nga 248 mijë abonentët që ishin në total në tre mujorin e dytë të 2019-ës sipas raportit të AKEP.

Vendi i dytë i largët i përket Tring me 37 mijë abonentë, ndjekur nga ABCom me 11 mijë.

Në tërësi krahasuar me një vit më parë ky treg është rritur me vetëm 0.2%.

operatorët fiks

Interneti Broadband

Dominimi i ALBtelecom në linjat fikse nuk kishte sesi të përkthehej ndryshe përveçse dominim edhe në internetin fiks. Nga 399 mijë abonentë që ishin në tre mujorin e dytë, 133 mijë i përkasin ALBtelecom i cili shënoi një rritje të vogël me 1.7% krahasuar me tre mujorin e kaluar dhe 10.3% krahasuar me një vit më parë.

Konkurrenti më i afërt i ALBtelecom është operatori kabllor ABCom me 67 mijë abonentë, një rritje me 1% krahasuar me tre mujorin e parë të 2019-ës dhe 13.2% me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Vendi i tretë zihet nga Tring i cili nga 2015 deri në 2019 ka parë një rritje me 20 mijë abonentë. Krahasuar me një vit më parë kompania u rrit me 6.9%. operatori i katërt është Abissnet me afro 39 mijë abonentë dhe rritje prej 27.1% krahasuar me një vit më parë.

LEXO EDHE:  Kanadaja ndalon shitjet e makinave me karburant deri në vitin 2040

Megjithatë një kompania e cila merr vëmendjen tonë është Digicom, operatori i fibrës optike në qytetin e Tiranës i cili pak muaj më parë u ble nga Albanian Telecomunication Union. Kompania arriti në 17 mijë abonentë, një rritje me 34.5% krahasuar me një vit më parë.

Së fundi është Nisatel i cili po ashtu është rritur me shpejtësi nga afro 8 mijë abonentë një vit më parë në 15 mijë në tre mujorin e dytë të 2019-ës. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>