Biznes

Kompanitë duhet të raportojnë të ardhurat dhe fitimet që nga viti i ardhshëm

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 19 Nëntor 2019
0
Përpunimi i të dhënave personale në kuadër të procesit të shkëmbimit automatik të informacionit të llogarive financiare për çështje tatimore do të kryhet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale. Kompanitë duhet të raportojnë të ardhurat dhe fitimet që nga viti i ardhshëm

Në përmbushje të një standardi të ri global që synon të bëjë më transparentë llogaritë e kompanive dhe individëve duke përfshirë edhe llogaritë “offshore”, Kuvendi i Shqipërisë po miraton këto ditë projektligjin “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”. Drejtoresha e Përgjithshme  e Tatimeve, Delina Ibrahimi raportoi për këto ndryshime në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë ku sqaroi se, standarti u kërkon qeverive të marrin informacion të hollësishëm nga institucionet e tyre financiare dhe t’a shkëmbejnë këtë informacion automatikisht me vendet e tjera mbi bazë vjetore.

Informacioni për t’u shkëmbyer përfshin llogaritë financiare, duke përfshirë bilancet, interesat, dividentët, të drejtat dhe të ardhurat nga shitja e aseteve financiare të raportuara te qeveritë nga institucionet financiare, duke mbuluar llogaritë e mbajtura nga individët dhe entitetet përfshirë trustet dhe fondacionet.

Gjithashtu projektligji synon krijimin e një mekanizmi efikas për realizimin e shkëmbimit automatik të informacionit, duke përcaktuar detyrat dhe kompetencat e Administratës Tatimore si autoriteti kompetent për të siguruar zbatimin efektiv dhe përputhshmërinë me Standardin e Përbashkët të Raportimit, përfshirë marrjen dhe përdorimin e informacionit.

Sipas standardit të ri global, një gamë e gjerë e informacionit do të shkëmbehet mbi llogaritë offshore, duke përfshirë bilancet e llogarive dhe të pronësisë. Kjo do të bëjë të mundur parandalimin e evazionit fiskal dhe trajtimin e mashtrimit fiskal, brenda logjikës se veprimtaria e evazorëve jo vetëm zvogëlon të ardhurat publike, por dhe dobëson besimin në drejtësinë e sistemit tatimor, si dhe rrit barrën mbi tatimpaguesit e ndershëm.

Ibrahimi për Detyrimin për shkëmbimin e informacionit e ka Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT), e cila do të mbledhë të dhënat nga institucionet financiare dhe do t’a shkëmbejë atë automatikisht me vendet e tjera të cilat janë pjesë e marrëveshjes.  Përpunimi i të dhënave personale në kuadër të procesit të shkëmbimit automatik të informacionit të llogarive financiare për çështje tatimore do të kryhet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

LEXO EDHE:  Ushtria Amerikane kërkon falje për një postim në Twitter

Për arritjen e këtij angazhimi, DPT-ja po asistohet nga ekspertë të administratës tatimore italiane (Agenzia delle Entrate) nëpërmjet projektit të financuar nga Agjensia italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, si dhe asistencën e ekspertit nga OECD, tha ajo.

Në kuadër të Projektit “Shkëmbimi Automatik i informacionit”, Shqipëria angazhohet që të zbatojë shkëmbimin automatik të informacionit të llogarisë financiare brenda vitit 2020. Ky projekt bazohet në Ligji Nr. 146/2013, datë 06.05.2013 “Për Ratifikimin e Konventës për Ndihmën Administrative të Ndërsjelltë në Çështjet Tatimore’, i cili në nenin 6 të tij ka parashikuar që vendet shkëmbejnë automatikisht informacionin tatimor si dhe në “Marrëveshjen Shumëpalëshe të Autoriteteve Kompetente për Shkëmbimin Automatik të informacionit të Llogarive Financiare”, nënshkruar më datë 29.10.2014, miratuar me VKM Nr. 178, datë 09.03.2016.  Nënshkrimi i kësaj marrëveshje, e angazhonte Shqipërinë për zbatimin e shkëmbimit automatik të informacionit në vitin 2018.  Ndërkohë, nëpërmjet një komunikimi zyrtar i është kërkuar Global Forum të zgjasë këtë afat deri në vitin 2020.

Përpara shkëmbimit të parë të informacionit, të planifikuar të ndodhë brenda vitit 2020, nevojitet krijimi i bazës ligjore dhe i infrastrukturës së nevojshme, përfshirë sistemin e iT-së së DPT-së për zbatimin e këtij angazhimi.

Sfida jonë e rëndësishme është forcimi i kapaciteteve të nevojshme teknike dhe ligjore të Administratës Tatimore Shqiptare, për menaxhimin dhe monitorimin eficient të Shkëmbimit Automatik të informacionit, si edhe zgjidhjet iT të nevojshme për menaxhimin eficient të informacionit.

Për sa i përket sistemit iT, Grupi teknik ka vendosur që të përdorë sistemin FTP, duke qenë se pjesa më e madhe e bankave janë pro sistemit FTP, ky sistem është më pak i kushtueshëm, si dhe pasqyron atë të miratuar nga Italia.

LEXO EDHE:  Deutsche Telekom mund të shkrihet me telekomin Francez Orange

Aktualisht po ofrohet asistencë përsa i takon ngritjes së sistemit informatik, i cili do të ofrojë:

  • Aplikimin që përfshin mekanizma për të identifikuar dhe aplikuar Sanksionet dhe Gjobat për ofruesit e të dhënave (institucionet financiare);
  • Ruajtjen e të dhënave për 5 (pesë) vite pas përfundimit të periudhës së raportimit;
  • Sistemi siguron një portal të sigurtë dhe ëeb service për institucionet Financiare për të ngarkuar të dhënat;
  • Sistemi do të përfshijë administrimin e portalit për:
  • Menaxhimin e institucioneve Financiare;
  • Menaxhimin e userave;
  • Krijimin e periudhave të raportimit;
  • Vënien në dijeni se kush ka raportuar dhe kush ka nevojë ta bëjë këtë;
  • Nevojat bazike të raportimit.

Duke parë praktikat më të mira ndërkombëtare të bankave në procesin e mbledhjes së vetë-certifikimit (self-certification), klientet duhet të dorëzojnë formularin e self-certification (të plotësuar) bankës së tyre, brenda 90 ditëve nga data e marrjes së formularit. Në rast të mosplotësimit të formularit, bankat rezervojnë të drejtën e moshapjes se llogarive të reja si dhe refuzimit te transaksioneve per llogaritë ekzistuese apo deri edhe në mbylljen e tyre.

Në  përgjigje të Shoqatës së Bankave, e cila vlerëson kohën e mbetur në dispozicion për bankat, për kompletimin e vigjilencës së duhur për klientët High Value Accounts, si të pamjaftueshme, bazuar në standartin e CRS, theksojmë se ky shqetësim nuk qëndron pasi afatet respektivisht 12 dhe 24 muaj janë indikative. Gjithashtu, standarti CRS në pikën 137 të tij, shprehet se vendimmarrja për përcaktimin e afatit kohor për plotësimin e diligjencës mbi llogaritë ekzistuese është një vendim që i takon juridiksionit implementues.

Në këtë kuadër, për të adresuar shqetësimin e Shoqatës së Bankave sugjerojmë që përjashtimisht vetëm për vitin e parë, pra vitin 2020, raportimi të kryhet brenda datës 31 Korrik dhe jo brenda datës 30 Maj 2020 siç është parashikuar në ligj. Ndërsa për raportimet e viteve pasardhëse periudha 30 Maj të mbetet e pandryshueshme.

LEXO EDHE:  Facebook nuk përjashton mundësinë e lançimit të Libra pa miratimin e autoriteteve

Lidhur me VKM që duhet të dalë në zbatim të këtij projekt-ligji, nga ana e DPT është hartuar draf-VKM e cila i’u përcoll për mendim ekspertit të OECD. Eksperti ka dërguar variantin final të VKM me komente dhe sugjerime nga ana e tij. Ky draft i është përcjellë për mendim edhe shoqatës së Bankave dhe DPT është në pritje të komenteve nga bankat e nivelit të dytë, në një proces i cili vijon me ritme të përshpejtuara. /Monitor

Lajmet e fundit>