Lajmet

Konkursi më i madh i inovacionit në trevat shqipfolëse Albanian ICT Awards nis takimet e para të edicionit të 8-të në Tiranë, Prishtinë dhe Korçë

Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 02 Mars 2020
0
Këto janë vetëm takimet e para e dhjetërave takimeve që do të realizohen në shkolla, universitete, qendra inovacionit dhe institucione të edukimit në fushën e teknologjisë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Konkursi më i madh i inovacionit në trevat shqipfolëse Albanian ICT Awards nis takimet e para të edicionit të 8-të në Tiranë, Prishtinë dhe Korçë

Albanian ICT Awards, konkursi më i madh i inovacionit në trevat shqipfolëse hapi edicionin e 8-të më 7 Shkurt në Tiranë duke vijuar mbështetjen e pakushtëzuar të ekosistemit të inovacionit dhe startupeve në Shqipëri.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë më 150 profesorë, studentë, përfaqësues të biznesit, ekosistemit të startupeve, inovacionit, entuziastë e të ftuar specialë.

Ceremonia e hapjes i paraprin dhjetëra takimeve të cilat do të organizohen në shkolla, universitete, biblioteka e hapësira inovacionit të cilat jo vetëm rrisin ndërgjegjësimin tek njerëzit rreth konceptit të inovacionit por edhe identifikojnë më të mirët të cilët të nesërmen do të shërbejnë si modele për çdo Shqiptar që ëndërron.

Takimi i parë i edicionit të 8-të të ICT Awards sa ndërgjegjësues për ecurinë e të rinjve dhe të rejave në fushën e teknologjisë dhe informacionit në Shqipëri ishte edhe aq frymëzues me nxënësit e degës Robotikë të Institutit Harry Fultz në ambientet e Ofiçina.

Bashkëthemeluesi i ICT Awards, z. Kushtrimi Shala prezantoi të rinjtë u prezantuan me konkursin, kriteret e vlerësimit dhe mënyrën sesi aplikohet e nominohet në këtë edicion të 8-të. Duke u bërë pjesë e ICT Awards ata jo vetëm që ekspozohen mediatikisht por edhe fitojnë akses në rrjetin e gjerë të partnerëve dhe mbështetësve të kësaj gare.

Takimi i dytë për këtë edicion vijoi në Institutin e Edukimit Cactus në Prishtinë, një takim që u organizua nën kujdesin e koordinatorit të ICT Awards, z. Ardian Alaj.

Cacttus Education, e cila njihet edhe si shkolla e parë e lartë profesionale për studime në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
Hapja e takimit u bë nga zj. Vildane Kelmendi, një ndër gratë e para të përfshira në fushën e IT-së në Kosovë.

Studentët përfaqësonin vitet e para dhe të dyta të cilët shfaqën entuziazmin në lidhje me garën ICT Awards ku edhe na njohën me disa punë mjaft inovative me bazë në web dhe mobile apps, të zhvilluara në kuadër të lëndëve mësimore.

LEXO EDHE:  Quadro RTX 6000 është karta grafike më e fuqishme prodhuar ndonjëherë për laptopët

Më 27 Shkurt ICT Awards organizoi dy takime paralele në Tiranë pranë Shkollës Austriake Herman Gmeiner dhe Shkollës Teknike Elektrike Gjergj Canco.

Më 28 Shkurt në takimin e fundit të javës që lamë pas ICT Awards udhëtoi drejt Korçës me mikëpritjen e Inkubatorit të Biznesit në qytetin e Korçës duke ju prezantuar të rinjve mundësitë që ofron kjo garë.

Këto janë vetëm takimet e para e dhjetërave takimeve që do të realizohen në shkolla, universitete, qendra inovacionit dhe institucione të edukimit në fushën e teknologjisë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Takimet do të vijojnë deri në mbyllje të aplikimeve më 27 Mars 2020 në ora 23:59. Si me çdo edicion aplikimet do të realizohen online përmes uebfaqes www.ictawards.org në shtatë kategori: ICT Startupi i Vitit, ICT Inovacioni i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje, Gruaja në ICT, ICT Shërbimi Publik i Vitit dhe Çmimi për Sigurinë kibernetike.

Këtë javë takimet do të vijojnë në Shkollën Profesionale Kolin gjoka në Lezhë, Shkollën Salih Ceka në Elbasan, Qendrën e Ndërmarrësisë Venture Up në Prishtinë, Shkollën Industriale Pavarësia në Vlorë, Bashkinë Mamurras, SEEU Tech Park në Tetovë dhe Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup.

Risi për këtë edicion është kategoria ICT Startupi i Vitit i cili shpërblen individët sipërmarrës të suksesshëm të cilët kanë themeluar së fundmi një kompani të suksesshme duke patur si bazë përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Finalistët e përzgjedhur në këtë kategori duhet të shkëlqejnë në një nga industritë si inovacioni dixhital, shkencor, industritë kreative ose inovacion social. Fituesit e këtij edicioni do të shpallen në Mbrëmjen Gala më 24 Prill 2020 në Tiranë.

LEXO EDHE:  Më 7 Shkurt nis misioni 8 vjeçar i ICT Awards në kërkim të historive Shqiptare të suksesit

Edicioni i 8-të i ICT Awards gëzon mbështetjen e dhjetërave sponsorëve, disa prej tyre tradicionalë si Fondacioni Dritan Hoxha, Banka Raiffeisen dhe Albvision ndërsa këtë vit me mbështetjen e fuqishme edhe të Ambasadës Britanike. Albsoft, Facilization, Universiteti Metropolitan, Riinvest, UBT, AUK, Soft&Solutions, Baboon kanë ofruar mbështetjen e tyre për këtë edicion.

Për të rejat më të fundit ose për të kërkuar informacion ju ftojmë të vizitoni faqen zyrtare të edicionit të 8-të të ICT Awards në këtë lidhje: https://ictawards.org/2019/