Lajmet

Kosova njihet si shtet nga rrjeti social më i madh në botë, Facebook

Publikuar , 06 Nëntor 2010
0
Kosova njihet si shtet nga rrjeti social më i madh në botë, Facebook

Pas disa rifreskimeve në sistemin e saj, një prej faqeve më të vizituara në Kosovë, Facebook vendosi që qyteti i Prishtinës të mos jetë më Bosnje e Hercegovina por vet Kosova. Pavarësisht se nuk ka pasur sqarime deri më sot pse Prishtina është vendosur si kryeqytet i Bosnjës, mund të thuhet se mund t’i mbyllim sytë në këtë pikë dhe të gëzohemi me faktin që vendit tonë iu shtua edhe një njohje tjetër.

“Në njëfarë mënyre, është domethënëse dhe simbolike. Mendoj se është një fitore e vogël për një luftë të madhe – ta quajmë luftë – për t’i ndryshuar të gjitha ueb-faqet në Internet”, ka thënë Fisnik Ismaili, drejtor kreativ i agjencisë së reklamave “Olgilvy Kosovo”, në një intervistë për “Deutsche Welle”.

Problemet e Kosovës në Telekomunikim

Edhe pse deri më sot Kosovën e kanë njohur 71 vende, dhe në muajin qershor, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur ligjin ndërkombëtar, Kosova ende përballet edhe me një sfidë – kodin e vet shtetëror të telefonit si dhe domenin e nivelit të lartë.

“Është problem”, thotë Alban Kastrati, zëdhënës i Ipko-s. “Jemi shtet i njohur ndërkombëtarisht nga shtetet më të fuqishme. Do të donim të kishim më shumë elemente që e identifikojnë Kosovën si shtet”.

Kosova, për dallim nga pothuajse të gjitha vendet e Botës që kanë kode të veta telefonike shtetërore, ka tri kode telefonike, +386 nga Sllovenia, +377 nga Monako dhe +381 nga Serbia, por asnjë të vetin.Të gjithë këta tre numra konsiderohen lokal përbrenda Kosovës.

Domeni i Kosovës

Edhe domeni është ende duke i munguar Kosovës.  Rreth kësaj çështje PCWorld Albanian ka diskutuar disa herë dhe kemi kontaktuar edhe me zyrtarë të ICANN për të shqyrtuar mundësit që ka Kosova. Por ata na patën njoftuar se vetmja mënyrë që Kosova të përfitojë domen .ks apo .rks apo çfarëdo tjetër, është që Kosova të aplikojë në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit për kod shtetëror. Por këtu Kosova sërish përballet me vështirësi sepse këto organe në përgjithësi i drejtohen Kombeve të Bashkuara për përgjigje, dhe vetë zyrtarë të ICANN na patën deklaruar se pa qenë anëtarë në OKB-së, mundësitë për anëtarësim janë shumë të kufizuara. Më e keqja është se Kosova nuk figuron madje as në databazën statistikore të OKB-së si vend apo zonë.

LEXO EDHE:  Samiti Trump-Kim nuk ndalon sulmet e hakerëve Koreano-Verior ndaj Perëndimit

Agim Kukaj, drejtor i teknologjisë së informimit dhe komunikimit për Republikën e Kosovës, thekson për Duetche Wele se “Problemet po vijnë nga shtetet që nuk ka njohur vendin –në veçanti ka ndikime të mëdha nga shtete si Rusia dhe Kina”. Sipas tij, pengesat janë të njohura, por do të gjinden zgjidhje edhe për to. “Ne jemi në dijeni për këto pengesa, por jemi duke provuar gjatë tërë kohës që të gjejmë dyer të vogla dhe të futemi në to”.

Prandaj, ende është e pasigurt kur apo nëse Kosova do ta merr domenin apo kodin shtetëror. Mirëpo, kjo gjë nuk po e ndalon Kosovën që ta krijoj një shtet elektronik. Ka plane për ndërtimin e një pike të shpërndarjes së Internetit. Kur të kompletohet, trafiku i brendshëm do të qëndrojë në Kosovë dhe nuk do të bëjë një rrugë qarkore përreth Evropës.

Njohja e shtetësisë së Kosovës nga Facebook mund të ketë një domino efekt, thotë Martin Waehlisch, një specialist i ligjit ndërkombëtar, si dhe bashkë-autor i një raporti të ri të fondacionit “Friedrich Ebert Foundation” rreth diplomacisë publike të Kosovës.

“Shpresoj që ky shembull mund të shërbejë si një ide për ueb-faqet tjera”, thotë Waehlisch për DW, i cili shton se përdoruesit individualë mund të kenë ndikim të madh për t’i bindur ueb-faqet që ta njohin Kosovën.
“Është shumë e thjeshtë, dhe do të mund ta ndryshonte perceptimin e njerëzve jashtë Kosovës që dinë shumë pak për këtë vend. Pra, kurdo që e shkruajnë këtë emër, ata e shohin gjithmonë se ai është një shtet, është i pavarur dhe ka një flamur”.

Lajmet e fundit>