Biznes

Kosovë, PTK paguan edhe 10 milionë euro dividendë

Publikuar , 24 Tetor 2012
Kosovë, PTK paguan edhe 10 milionë euro dividendë

Posta dhe Telekomi i Kosovës ka paguar 10 milionë euro dividendë për Qeverinë e Republikës së Kosovës, që do të thotë se për nëntëmujorin e parë të këtij viti shuma totale arrin në 35 milionë euro të paguara.

Ndërkohë PTK-ja do ti ndaj edhe 10 milionë euro tjera në formën e dividentit deri më datën 31 dhjetor, dukë arritur kështu shumën e përgjithshme prej 45 milionë euro dividendë të ndara gjatë vitit 2012. Si rrjedhojë e afarizmit pozitiv financiar dhe si rezultat i masave efikase të ndërmarra nga menaxhmenti aktual, PTK konform vendimit të Bordit të Drejtorëve ka alokuar këto mjete për buxhetin e Kosovës në përputhje të plotë me objektivat strategjike dhe financiare.

PTK ka rritur fitimet neto për 11 për qind në nëntëmujorin e këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, duke shënuar një nivel të kënaqshëm të performancës financiare veçanërisht këtyre muajve të fundit.

Shefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, ka deklaruar se “Puna që kemi bërë në këtë periudhë të këtij viti, produktet e reja për konsumatorët, ofertat gjithnjë e më atraktive për ta si dhe ulja e shpenzimeve, kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme të kompanisë në aspektin e të hyrave financiare dhe për këtë arsye ndarja e dividendës është në të njëjtën kohë një tregues pozitiv i rezultateve dhe synimeve të arritura të kompanisë”.

Sipas Qerimit në prag të festave të fundvitit pritet prezantimi i shërbimeve dhe ofertave të reja nga PTK-ja, kur edhe presin edhe rezultate më të mira financiare dhe gjenerim në rritje të tërë rrjetit operativ të VALA-s dhe Telekomit (TiK). PTK është e vendosur të realizojë në përpikmëri planin e biznesit për periudhën 2012-2015 duke investuar në teknologji të reja në mënyrë që të jetë konkurrent i fortë në tregun kosovar.

LEXO EDHE:  Google jep lajmin e keq për përdoruesit e Chrome

Me këtë gjenerim të qëndrueshëm të fitimit edhe në pjesën e dytë të këtij viti, PTK synon që të arrijë ritme më të mëdha financiare sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke përmbushur objektivat e planifikuara sipas planit të biznesit dhe duke mbetur gjithnjë më afër konsumatorëve të saj. (PCWorld Albanian)

Tags >

ptk