Lajmet

Krahasimet mes sistemeve operative iOS 6 dhe Jelly Bean

Publikuar , 22 Tetor 2012
0
Krahasimet mes sistemeve operative iOS 6 dhe Jelly Bean

iOS 6 dhe Jelly Bean janë versionet më të fundit të dy sistemeve mobile më popullore dhe më të përdorura në botë.

iOS 6 u lançua në shtator 2012 ndërsa Jelly Bean në korrik të po këtij viti. Më poshtë jepet një krahasim midis të dyja sistemeve, duke marrë në shqyrtim aspekte të ndryshme që përbejnë një sistem operativ mobile.

Lojërat dhe aplikacionet

iOS ka një librari më të madhe dhe më të mirë për lojërat sesa Android. Faktikisht, zhvilluesit preferojnë më tepër të krijojnë fillimisht për iOS e më pas për Android.

Arsyet janë të ndryshme, por dy janë ato më thelbësoret:

1) Fragmentimi i harduerit do të thotë më tepër zgjedhje për konsumatorët edhe pse vështirëson punën e zhvilluesve.

2) Përdoruesit e iOS kanë qenë historikisht më të gatshëm për të paguar për aplikacionet.

Apple Store vs Google Play

Të dyja dyqanet kanë me mijëra aplikacione dhe vërtet Apple mund të ketë më shumë, por ajo që ka rëndësi më tepër për t’u vlerësuar është cilësia. Gjithsesi, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë tepër interesante dhe zbavitëse.

Google nuk tregohet tepër strikt me aplikacionet që shpërndahen në dyqanin e saj prandaj aplikacionet për Android kanë më pak kufizime në mënyrën se si ndërveprojnë me celularin. Apple, nga ana tjetër, ofron më shumë aplikacione cilësore.

Në lidhje me funksionet e kërkimit të aplikacioneve, mund të thuhet se janë pak a shumë në të njëjtin nivel.

Në iOS 6 kërkimi është përmirësuar disi, duke bërë më të lehtë gjetjen e aplikacioneve të dëshiruara, por ky përditësim i bën pajisjet më të hershme që operojnë me iOS të veprojnë më ngadalë.

LEXO EDHE:  Google përsëri nën hetim nga Bashkimi Evropian

Apple deklaron se ka 700 000 aplikacione për iOS, 225 000 për iPad. Ndërsa Android ka aktualisht rreth 675 000 aplikacione.

Hartat

Në këtë aspekt nuk mbetet shumë për të diskutuar, pasi Google Maps ia kalon pa dyshim Apple Maps.

Facetime vs Google Talk

Si Jelly Bean, ashtu edhe iOS 6 kanë video-chat tepër të mirë. 

Përmes Facetime, mund të realizohen telefonata në rrjetin 3G ose Wi-Fi.

Në Android ka pak më tepër hapësirë, pasi mund të flasësh me video në 3G apo Wi-Fi me këdo që ka një llogari Gmail në Mac, PC apo telefon Android.

Integrimi në cloud dhe sinkronizimi i shfletuesit

Të dyja sistemet operative mundësojnë ruajtjen e të dhënave (back-up) si dhe sinkronizimin e tyre në cloud.

Ky opsion u zhvillua fillimisht për Android, por iCloud solli pothuajse të njëjtat funksione (plus disa të tjera të reja) edhe për pajisjet Apple.

iCloud Tabs janë opsione të reja për iOS 6, përmes së cilave mund të kalosh të gjithë historinë e shfletuesit tek të gjitha pajisjet iOS dhe OS X. Chrome Beta në Android ofron sinkronizim edhe me desktopin.

Siri vs Google Voice Search

Kërkimi me zë për Android është më tepër i përshtatshëm për kërkimin në Google, ndërsa Siri operon shumë mirë me aplikacionet si dhe postimet në Facebook apo Twitter.

Integrimi me Facebook-un

Përditësimi i statusit apo ngarkimi i fotove në iOS 6 mund të behet përmes shumë aplikacioneve. Po aq i thjeshtë është edhe sinkronizimi i kontakteve apo koordinimi i kalendarit të Facebook-ut me atë të iOS. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Android. Postimet dhe ngarkimet mund të bëhen pothuajse përmes çdo vendi në sistem si dhe përmes shumë aplikacioneve.

LEXO EDHE:  Veçoria e shumëkërkuar e WhatsApp e disponueshme për të gjithë përdoruesit

Përshtatja sipas preferencave

Në këtë pikë, Android fiton terren. Përshtatja në bazë të preferencave të përdoruesve është një nga pjesët e tij më të mira. Në iOS nga ana tjetër, shpeshherë nuk ka nevojë për ndryshime të mëdha pasi planifikimi dhe ekzekutimi i shfaqjes së elementeve në iPhone janë të menduara në mënyrë perfekte.

Diversiteti i harduerit

Diversitet do të thotë të kesh mundësi të zgjedhësh. Përdoruesit e Android kanë mundësi të shumta për të blerë telefonin që iu nevojitet dhe iu përshtatet atyre. P.sh, mund të blihet një telefon Android me ose pa NFC, me shumë apo pak kujtesë të brendshme, me ekran të madh apo të vogël. iOS 6 që operon në një ekran të madh është vetë iPadi.

Kamera

Ka shumë telefona Android me kamera 8MP. iOS 6 nga ana tjetër, siç raportohet nga kompania, është ndërtuar posaçërisht për iPhone dhe pajisjet e tij harduere.

Siguria

Duke qenë se zhvilluesit e Android kanë më tepër liri në zhvillimin e aplikacioneve, iOS është më i sigurt se Android.

Përditësimet

Sapo Apple lançon përditësimet e sistemit operativ, të gjitha pajisjet që operojnë me të mund ta shkarkojnë dhe ta instalojnë. Në rastin e Google, ndodhin edhe vonesa, pasi shpeshherë përditësimet duhet të aprovohen nga kompanitë telefonike.

Aksesibiliteti

iOS ka opsione të veçanta që përshtaten për njerëz me vështirësi në shikim, dëgjim apo lëvizje.

Media streaming

iOS 6 ka AirPlay, i cili është një nga implementimet më të thjeshta dhe më krijuese të media streaming. Përmes tij mund të kalohet muzika nga kompjuteri apo pajisje të tjera iOS në bokset AirPlay, Apple TV etj.

LEXO EDHE:  Gjuha e urrejtjes në media sociale, nxitëse e dhunës

Me daljen në treg të Nexus Q, që kushton 300$, edhe Google ofron standardin e vet për streaming për të gjitha pajisjet Android. Përfundimisht, nuk mund të thuhet prerazi se cili është sistemi më i mirë operativ, pasi si Android ashtu edhe iOS, përveçse janë sistemet operative mobile më të përhapura në treg, ofrojnë një mori karakteristikash të cilat janë sa të ngjashme aq edhe të ndryshme. Zgjedhja e një sistemi varet nga preferencat dhe nevojat e secilit përdorues. (PCWorld Albanian)