Lajmet

Kriza ekonomike dhe tregu i kompjuterëve – cila është e ardhmja?

Publikuar , 11 Shtator 2009
0
Kriza ekonomike dhe tregu i kompjuterëve – cila është e ardhmja?

Rreth një vit më parë, të blije një kompjuter apo pjesët e nevojshme për një upgrade ishte një ndër proceset më të pëlqyeshme që mund të kryeje gjatë një shëtitjeje për shopping; pjesa më e madhe e këtyre pajisjeve gëzonte çmimet më të ulëta të para ndonjëherë dhe një kompjuter i ri ishte shpesh pak më shumë se para xhepi, vetëm një pjesë e pagës mujore. megjithëse vështirësitë ekonomike kishin prekur ekonomitë botërore, kjo situatë pati njëfarë inercie për disa muaj. Por çfarë ndryshon sot?
Një arsye për të cilën i shohim gjërat pak më shtrembër, mbase më e madhja, është thjesht se vendi i portofolit kushtuar shpenzimeve të tilla është ca më i hollë pas kaq shumë kohësh të vështira dhe shpenzimesh të tjera të rritura më ndjeshëm. Ndërkohë që çmimet e shumë pajisjeve kanë qëndruar në vend, kjo nuk ka ndihmuar me fondet tona në zvogëlim. Një tjetër arsye, sidoqoftë, është se disa produkte kanë pësuar një rritje të ndjeshme dhe efekti psikologjik është jo i vogël.
Më shumë para për memorien
Kategoria lider në rritjen e çmimeve është pa dyshim memoria; 1 GB DDR2, flasim për çmimet më të arsyeshme, kushtonte rreth 9-10 euro para një viti, por sot është vështirë të gjendet nën 13 euro, 25 për qind më shumë. Nëse 12 euro shtesë për një kompjuter ekonomik me 4 GB RAM nuk janë pak, efekti psikologjik i rritjes në çmime të cilat  ishim mësuar t’i shikonim në rënie të lirë është jo pak shqetësues.
Vështirësitë ekonomike të kompanive prodhuese si Hynix e Qimonda i çuan këto kompani drejt shitjes së produkteve të tyre në nivelin e kostos apo nën të vetëm për të qarkulluar inventarin dhe për t’i bërë vend standardit të ri DDR3. Efekti tjetër, përsëri psikologjik që ndoqi, ishte një rritje artificiale e nivelit të memories për kategori të caktuara kompjuterësh – 4 GB ishte tepër lirë dhe efekti mbi blerësin është i madh, megjithëse ai mbase nuk do t’i përdorë kurrë ato në një laptop të performancës së ulët apo të mesme me një sistem 32 bit. Të kthehesh prapa është pothuajse e pamundur dhe kështu, kur çmimet e memories u rritën sërish, kostot nuk mund të shkurtoheshin duke përgjysmuar sasinë e RAM-it.
Bluray apo jo-Bluray
Nëse në shtëpi keni një TV të sheshtë apo një monitor 19″ e lart, rezolucioni i tij nativ ka shumë mundësi të jetë 1280 me 720 apo 720p. Një film në DVD ngjan bukur në të, por përsëri mund të shikoni fare lehtë artifaktet e interpolimit, ndërkohë që formati i DVD-së, zakonisht 720 me 576 apo 720 me 480 pikselë, është zmadhuar pothuajse dy herë për të mbushur ekranin tuaj të shikimit..
Për këtë arsye, me bumin e televizorëve TFT apo plazma, kërkesa për të pasur në dispozicion video më cilësore e më të mëdha është në rritje, ashtu siç është në rritje nevoja për të transferuar sasi më parë të paimagjinueshme të dhënash në një mënyrë sa më efikase – hyn në skenë Bluray.
Me disqet e sotme standarde që variojnë nga 25 në 50, vetëm për një disk mund të shpenzoni nga 4 euro (disqet më të lira 25GB) deri në 20-25 euro për ato 50GB dhe një kuti dhjetëshe arrin 40-50 euro vetëm për disqet.
Ndërkohë që lexuesit kanë rënë mjaft në çmim dhe mund të gjenden edhe për 50-60 euro, këto janë pajisje mjaft të cunguara për atë që pjesa më e madhe prej jush duan të bëjnë – t’i shkruajnë dhe t’i lexojnë këto disqe). Një Bluray burner zakonisht fillon në nivelin e 170 eurove deri në 220.
Teknologji të reja, shpenzime të shumëfishta
Nëse akoma nuk e kuptuat ku po dal me koston e një shkruesi Bluray, shtojani këtë kompjuterit tuaj standard për të mbajtur hapin e kohës dhe për të shfrytëzuar elektronikën tuaj (televizorin/monitorin në këtë rast). Sot duhet të shpenzoni rreth 7-10 herë më shumë se për një DVD-writer standard, i cili ishte mirë kur hard disku juaj qendror mbante 80GB dhe monitori juaj 17″ ishte ‘maksimumi i mundshëm’, por me standardin e sotëm prej 750GB-1TB dhe libraritë gjigante me filma HD që arrijnë 20GB apo më shumë, Bluray është një opsion që duhet të paktën të shqyrtohet.
Një film high definition do të thotë gjithashtu që përshtatësi juaj i integruar nga Intel nuk mund të luajë dot video të tilla dhe ju duhet të shpenzoni të paktën 30 euro të tjera në diçka të jashtme si Ati Radeon HD 3450 apo Nvidia GeForce 9500GT, pa futur këtu në diskutim lojërat.
Shfaqja e motherboard-eve të para që mbështesin standardin USB 3.0 është një tjetër kambanë që bie mbi portofolin tuaj dhe një sërë pajisjesh me funksionalitet dhe performancë të paparë janë gati të vërshojnë këtë fund viti. Nëse nuk keni ndër mend të blini një motherboard të tërë, përshtatësit USB 3.0 si Asus U3S6 e garantojnë këtë funksionalitet për “vetëm” 25-30 euro.
Në kërkim të një zgjidhjeje
Duket sikur nuk ka shpëtim për portofolin tuaj në blerjen e një kompjuteri të ri apo ripërtëritjen e të vjetrit – lajmi i keq është se ky është realiteti: nëse doni të përfitoni nga teknologjitë e reja me të cilat jeni pajisur, duhet të shpenzoni më shumë. Kjo është historia dhe përsëritet herë pas here – një DVD burner nuk ka kushtuar gjithmonë 20 euro dhe pak vite më parë lundronte mjaft mbi 100 të tilla.
Një lëvizje pozitive ndërkohë është dalëngadalë duke ndodhur dhe ajo është integrimi – jo ai në BE, por integrimi i mëtejshëm i desktopit. Zgjidhjet e gatshme nga Asus, MSI, Lenovo etj. po krijojnë desktopë të integruar në monitor, shpesh me harduer të mjaftueshëm për të mbështetur teknologjitë dhe standardet më të reja grafike dhe të ruajtjes së të dhënave, zgjidhje që kanë një impakt pozitiv mbi çmimin përfundimtar. Ajo që humbisni, sidoqoftë, është fleksibiliteti dhe mundësia për upgrade që kompjuterë si MSI Nettop 120 apo Asus Eee BOX kanë është mjaft e kufizuar. Një këshillë e fundit: nëse do të shpenzoni shumë dhe doni të kurseni:, prisni festat e fundvitit   , por mbase këtë e dinit.

LEXO EDHE:  Shfletuesi Vivaldi mbërrin në Android

Lajmet e fundit>