Biznes

Kriza ekonomike prek edhe tregun e IT-së në regjionin e Adriatikut

Publikuar , 17 Nëntor 2010
0
Kriza ekonomike prek edhe tregun e IT-së në regjionin e Adriatikut

Sipas një studimi të bërë nga kompania hulumtuese IDC, efektet e krizës në tregun e IT shërbimeve do të fillojnë të largohen në vitin 2011 kur pritet që të ringjallet tregu.

“Pas disa viteve zgjerim biznesesh dhe investim të madh në përgjithësi në IT dhe në veçanti në shërbime IT për mbijetesë, shkurtimet e kostos u bënë një realitet në vitin 2009 në shumë sektorë në regjionin e Adriatikut, për shkak të krizës ekonomike” tha Dalibor Suboticanec, Analistë Hulumtues i Lartë pranë IDC Adriatics. “Në fillim të vitit 2010, ndërmarrjet në regjionin e Adriatikut ishin ende të tërhequra për të investuar në IT dhe ne besojmë se ky trend do të fillojë të largohet vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2011”.

Kroacia ka mbetur tregu më i madh në rajon duke arritur në gjithsejtë 40.7% shpenzim total, dhe pas saj vie Sllovenia me 35.3%, dhe Serbia me 12.6%. Maqedonia ka arritur në 4.3% kurse Bosnja dhe Hercegovina në 3.9%. Në anën tjetër Shqipëria, Kosova dhe Mali i zi kanë kapur pjesën tjetër të mbetur prej 3.2 për qind të shpenzimeve për IT shërbime në regjionin e Adriatikut.

Kategoria e sistemeve të integruara ka përfshirë pjesën më të madhe të pjesëmarrjes së të hyrave për IT shërbime në vitin 2009, me 15.9%, dhe pas saj është renditur përkrahje me harduer dhe instalim me 14.5%, dhe zhvillimi i aplikacioneve të veçanta me 13.9%. Pavarësisht krizës, tregu regjional po vazhdon të bëhet më i pjekur, me një ndërrim të dukshëm prej përkrahjes bazë dhe shërbimeve të instalimit drejt shërbimeve të nivelit më të lartë siç janë integrimi i sistemeve, përpunimi i veçantë i tyre dhe outsourcing.

LEXO EDHE:  Huawei shpëton, ja vendimi i papritur i Trump

S&T Group ishte prodhuesi numër një në regjionin e Adriatikut në vitin 2009, dhe pas saj renditej IBM dhe HP. Listën e top pesëshes e përmbyllnin kompanitë Combis dhe SRC.

Industritë e prodhimit dhe konstruktimin u goditën rëndë, kurse sektori i fabrikave dhe i atyre që bazohen në buxhete publike (në veçanti shëndetësia, edukimi dhe qeveria), mbeti më i qëndrueshëm.

Sektori financiar ishte shpenzuesi më i madh në shërbime IT në regjionin e Adriatikut duke kapur 20.2 për qind të tregut. Sektori i kombinuar i qeverisë u rendit i dyti me një pjesëmarrje prej 19.7 për qind, dhe pas saj renditej telekomunikimi me 18.8% pjesëmarrje, si dhe në fund sektori i prodhimit arriti në 8.4% pjesëmarrje për vitin e kaluar.

IDC pret që tregu i shërbimeve IT në regjionin e Adriatikut të pësoj rënie të mëtutjeshme në vitin 2010, por sipas tyre në vitin 2011 do të rikthehet dhe do të vazhdojë me një rritje prej 7% në baza vjetor, duke tentuar që të arrijë në 1.36 miliard dollarë në vitin 2014.

“Në momentin që rikthehet ambienti ekonomik, kompanitë do të fillojnë të fokusojnë përqendrimin e tyre nga mbijetesa drejt arritjes së një avantazhi konkurrues kundër rivalëve të tyre në treg” thekson Suboticanec. “Kjo do të ndikojë në rritjen e kërkesës për zgjidhje specifike industriale, si dhe rritjen e inteligjencës së biznesit, dhe gjithashtu në veglat analizuese të cilat do të ndihmojnë klientët të zgjerojnë operacionet e tyre dhe të përfitojnë hapin në tregun që do të ringjallet”. /pcworld.al

Lajmet e fundit>