Lajmet

Kursori.org një platformë në gjuhën Shqipe për të mësuar programim lehtë dhe shpejtë

Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 17 Shkurt 2020
0
Kursori.org një platformë në gjuhën Shqipe për të mësuar programim lehtë dhe shpejtë

A jeni të interesuar të mësoni programim në mënyrën më të shpejtë dhe të lehtë?

Instituti Shqiptar i Shkencës në bashkëpunim me Open Data Kosovo do të zbatojnë projektin ndërkufitar “Edukim i Hapur TIK për Punësimin e të Rinjve.”

Projekti i cili ka marrë formën e platformës Kursori ka krijuar tre kurse online programimi në gjuhën Shqipe.

Platforma është financuar nga Bashkimi Evorpian në Shqipëri, Agjencia Austriake e Zhvillimit në Kosovë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe implementuar nga ODK dhe AIS përmes programit IPA Cross Boder Cooperation Programme Albania-Kosovo.

Qëllimi i kësaj platforme është rritja e punësimit të të rinjve në rajon, sigurimi i një qasjeje më të lehtë në fushën e TIK dhe të zgjerojë rrjetin e entuziastëve të teknologjisë së informacionit.

Mbi të gjitha ky projekt synon forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Tre kurset e programimit konsistojnë në: Zhvillimi praktik i aplikacioneve te bazuara
ne web; Dizajnimi, Analizimi dhe Integrimi i bazës së të dhënave në web dhe Integrimi i produkteve softuerike të përshkallëzuar.

Zhvillimi praktik i aplikacioneve te bazuara ne web: Fokusi kryesor i këtij kursi do të jetë drejt teknologjive Front End, kryesisht HTML, CSS, Bootstrap dhe Javascript. Ndër të tjera, ky kurs do të ju mundësojë të planifikoni dhe implementoni një aplikacion.

Dizajnimi, Analizimi dhe Integrimi i bazës së të dhënave në web: Përmes këtij kursi ju do të mësoni të dizajnoni databaza në bazë të kërkesave specifike, metodat e analizës së kërkesave gjatë implementimit si dhe mënyrën se si të integroni databaza të ndryshme në aplikacionet e web-it.

Integrimi i produkteve softwerike të përshkallëzuara: Kursi i tretë i platformës përfshinë metodat e përshkallëzimit të një softueri, procesin, sigurinë dhe stabiliteti të sistemit. Në këtë kurs ndër të tjera do të mësoni se si të dizajnoni një arkitekturë të mirëfilltë të softuerit me potencial të përshkallëzimit në të ardhmen.

LEXO EDHE:  Facebook thirrje nga SHBA-ja për të ndaluar zhvillimin e monedhës digjitale

Secili prej kurseve zgjat 7 orë. Për të ndjekur kurset në fjalë duhet të regjistroni në Kursori.org duke klikuar këtë lidhje: https://lms.kursori.org/register

Nxënësit dhe studentët e regjistruar në kurset që ofrohen në kuadër të platformës do të kenë mundësi të marrin njohuri dhe shkathësi të reja të kërkuara në fushën e TIK, ku me ç’rast do të rriten mundësitë për punësimin e tyre në këtë treg. Kjo platformë është edhe promovuese e bashkëpunimit ndërkufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë përmes shkollave dhe universiteteve të specializuara në këtë fushë.

Objektivat kryesore të kësaj platforme janë:

● Edukimi online
● Punësim dhe sipërmarrje
● Ndërtimi i kapaciteteve të institucioneve arsimore

Kurrikula e kurseve online është dizajnuar veçanërisht për të ndihmuar nxënësit dhe studentët në zhvillimin e aftësive të nevojshme në mënyrë që të përparojnë në karrierë dhe të shkëlqejnë në rrugëtimin profesional dhe akademik.

Platforma është e dizajnuar në gjuhën shqipe. Trajnerët e përzgjedhur për mbajtjen e kurseve të Kursorit janë profesionalë të fushës së TIK-ut. Kurrikula e kurseve online është e përshtatur të plotësojë mësimet e përfituara nga shkolla apo universiteti dhe të ju ndihmojë për një performancë të shkëlqyer. /PCWorld Albanian