Blog

Lajmet e rreme, e vërteta e hidhur dhemb

Apr 23 2018
0 Shpërndarje
Janë të shumta qeveritë të cilat subvencionojnë çmime të larta për programe televizive, që transmetojnë tek populli informacione me vlerë, duke ndikuar në edukimin dhe kulturimin e tyre. Lajmet e rreme, e vërteta e hidhur dhemb

Lajmet e rreme lulëzojnë, kur audiencat partiake e favorizojnë një gjë të tillë. Kërkesat në rritje për lajme të rreme, gënjeshtra dhe keqinformimet i nxisin organizatat mediatike që t’i mundësojnë ato, shkruan The Economist.

Teoritë e vërteta qëndrojnë të fshehura në qoshet e internetit, të cilat vetëm herë pas here dalin në dritë, duke ndikuar në një ndërgjegjësim më të madh publik. Një shembull tipik ilustrues është ai që Presidenti Donald Trump po bashkëpunon me Robert Mueller dhe po përgatit një goditje të fortë kundër kërcënimeve të vërteta të demokracisë amerikane: Barack Obama-s, Hillary Clinton-it dhe aleatëve të tyre më të ngushtë. Lajme të tilla të rreme nuk janë një gjë e re. Megjithatë, kapaciteti i lajmeve të rreme për të ndikuar në rezultatin e votave politike duket se ishte shumë i madh dhe ka shkaktuar një reagim të ashpër publik.

Franca do të lejojë zhvillimin e gjyqeve për censurimin e lajmeve të rreme gjatë fushatave zgjedhore. Qeveria e Malajzisë thotë se do të shkojë deri aty sa të marrë vendime me dënim me burg për të gjithë ata që publikojnë lajme të rreme. Por, hapa të tillë rrezikojnë t’u krijojnë qeverive mundësinë për të kufizuar fjalën e lirë. Kjo ishte edhe një ndër arsyet se përse India i braktisi plane të ngjashme pas kritikave të shumta që mori.

Për më tepër, ata nuk do të jenë në gjendje për të frenuar rrjedhën e keqinformacionit për aq kohë sa do të vazhdojë të ketë një audiencë të lexuesve të etur për lajme të rreme.

Reagimi ndaj lajmeve të rreme ka vënë në shënjestër kryesisht krijuesit dhe shpërndarësit e tyre. Kjo gjë është më se e kuptueshme, pasi ata janë përgjegjës për publikimin e këtyre të pavërtetave dhe për keqinformimin e publikut.

Kjo nismë është gjithashtu pjesë e dëshirës së qeverive për të përmirësuar cilësinë e materialit të transmetuar tek konsumatorët e lajmeve. Janë të shumta qeveritë të cilat subvencionojnë çmime të larta për programe televizive, që transmetojnë tek populli informacione me vlerë, duke ndikuar në edukimin dhe kulturimin e tyre.

Para vitit 1987, Komisioni Federal i Komunikimeve të Amerikës zbatoi “Doktrinën e Drejtësisë”, sipas së cilës transmetuesit duhet t’u kushtonin të njëjtën kohë televizive palëve kundërshtare mbi çështje të ndryshme që hidheshin për diskutim. Disa vende, duke përfshirë edhe Francën, kanë ligje të rrepta kundër publikimit të materialeve që mund të ndezin tensionet raciale ose etnike.

Por supozimi që fshihet prapa këtyre politikave se audiencat e ndryshme janë lehtësisht të manipulueshme nga ato që dëgjojnë apo lexojnë, është i gabuar. Përkundrazi, botuesit publikojnë shkrime në bazë të shijeve të audiencës ku ata lexohen më shumë. Për shembull, qasjet e gazetave mundohen që të jenë sa më pranë shijeve politike të publikut ku ato lexohen më shumë, sesa të mbështesin krahun politik të pronarëve të tyre, shprehet Matthew Gentzkow nga Universiteti Stanford dhe Jesse Shapiro nga Universitetit Brown.

Për më tepër, audiencat shpeshherë u rezistojnë përpjekjeve të agjencive informative për të korrigjuar keqkuptimet e nxjerra prej tyre. Brendan Nyhan nga Kolegji i Dartmouth dhe Jason Reifler nga Universitetit Exeter u kërkuan pjesëmarrësve në një eksperiment që të lexonin lajme me temë politike, si kërkimi i Amerikës për armët e shkatërrimit në masë në Irak. Sipas rezultateve të këtij kërkimi, u arrit në përfundimin se lexuesit më konservatorë kishin më tepër gjasa të besonin (edhe pse gabimisht) se armë të tilla në fakt ishin gjetur. Dhe format e ndryshme që kishin për qëllim korrigjimin e keqkuptimeve të tilla, jo vetëm që nuk patën rezultat, por bënë që lexuesit konservatorë të bindeshin se besimi i tyre fillestar ishte i drejtë.

Rasti studimor i mësipërm është një nga disa që të bëjnë të mendosh se përpjekjet e organizatave mediatike për të kontrolluar deklaratat e bëra nga politikanët ose nga rrjetet sociale si Facebook për t’i goditur ata nuk ka gjasa ta zgjidhë problemin mbi lajmet e rreme.

Disa mund të mendojnë se njerëzit do të përfitonin nga vënia në dispozicion e një informacioni më të saktë dhe shumë shpejt do të korrigjonin besimet e rreme, në momentin kur ato do t’u viheshin në dukje. Por, fatkeqësisht, kjo çështje është më e ndërlikuar se kaq, sepse vetë njerëzit janë më të ndërlikuar. Mirinformimi kërkon kohë dhe para dhe është i vlefshëm në disa raste. Por njerëzve nuk u pëlqen që të konsultohen me burime të besueshme përpara se të blejnë një makinë, në mënyrë që të besojnë se nuk do të shpenzojnë shuma të mëdha parash në servisin e makinës.

Shikueshmëria e faqeve dhe lajmeve të ndryshme sportive është një shembull tjetër tipik në këtë drejtim. Edhe pse çështje si rishikimi i sistemeve të ndryshme të kujdesit shëndetësor mund të kenë rëndësi më të madhe jetësore, gjithsesi vëmendja shkon ndaj informacioneve sportive.

Sa më i madh të jetë numri i anëtarëve të një grupi që kanë një ide të caktuar, duke e përforcuar gjithnjë e më shumë këndvështrimin e tyre mbi këtë çështje, aq më i vështirë do të jetë edhe ndryshimi i mendimit të tyre, gjë që rrjedhimisht ndikon edhe në nxitjen e organizatave të lajmeve për të prodhuar informacione në përputhje me shijet e publikut, pavarësisht sesa të padobishme mund të jenë ato lajme për realitetin.
Sidoqoftë, tregu për lajme po rritet. Lexuesit do të klikojnë mbi përmbajtjen e portaleve të tyre të preferuara politike, sado të rreme ato mund të tingëllojnë edhe për vetë ata.

Mediat kryesore gjithashtu mund të konsiderohen fajtore për krijimin e realiteteve të ndara dhe të papërputhshme.
Një studim i kohëve të fundit nga Gregory Martin nga Universiteti Emory dhe Ali Yurukoglu nga Universitetit Stanford kanë shqyrtuar ndikimin që ka pasur në politikën amerikane, Fox News, kanali televiziv kabllor që mbështet forcën e djathtë politike. Po sipas këtij studimi, mbyllja e këtij kanali në vitin 2000, do të kishte ulur me 0.46 pikë përqindjeje numrin e votave të marra nga republikanët gjatë zgjedhjeve. Ky kanal televiziv tërheq drejt vetes shikuesit në kërkim të lajmit ideologjikisht të pëlqyeshëm nga ana e tyre, duke i përforcuar pikëpamjet e tyre, shprehen studiuesit.

Kërcënim i rëndë

Zgjidhjet për problemin e lajmeve të rreme nuk janë të pashpresa. Biznesi i medias mbetet i përqendruar. Sjellja më e mirë nga gjigantët e tillë duke filluar nga Facebook e deri tek Fox News, mund të kufizonte përhapjen e lajmeve të pavërteta.

Por organizatat e ndryshme të medieve (veçanërisht ato që nisen me qëllime të mira) kanë në dorë të ndikojnë shumë mbi njerëzit, për aq kohë sa kjo popullatë është e ndarë ideologjikisht dhe e etur për lajme të rreme. I mbetet vetëm kohës për t’u përballur me faktet. /Monitor

Lajmet e fundit>