Lajmet

Live: Edicioni i 8-të i ICT Awards shpall fituesit në Mbrëmjen Gala

Nga: PCWorld
Publikuar , 10 Korrik 2020
0
Mbrëmja Gala e edicionit të 8-të të ICT Awards vjen pas një pritjeje të gjatë prej mëse 5 muajsh dhe organizohet duke respektuar çdo masë të ndërmarrë nga autoritetet në kuadër të parandalimit të përhapjes së Covid-19. Live: Edicioni i 8-të i ICT Awards shpall fituesit në Mbrëmjen Gala

22:20 – Përmbyllet edicioni i 8-të i garës mbarëkombëtare në teknologji me shpalljen e fituesve në Mbrëmjen Gala. Mbrëmja Gala e edicionit të 8-të të ICT Awards erdhi pas një pritjeje të gjatë prej mëse 5 muajsh dhe organizohet duke respektuar çdo masë të ndërmarrë nga autoritetet në kuadër të parandalimit të përhapjes së Covid-19.

22:10 – Fitues i çmimit Cyber Security u shpall Tanzer Abazi. Tanzer Abazi vjen nga Prishtina dhe ka aplikuar në ICT Awards me projekti Findbug. Ka një eksperiencë prej mëse 10 vitesh në teknologji informacioni dhe mbi 8 vite në sistemet e sigurisë së informacionit. Ka punuar me agjenci të ndryshme ligjzbatuese në Kosovë dhe kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimin rreth sigurisë kibernetike në institucione private e publike në Evropën Juglindore.

21:55 – Fitues i çmimit ICT Diploma e Vitit për edicionin e 8-të të ICT Awards u shpall Elkida Bazaj me projektin A dictionary-based approach to Albanian Stemming Algorithm. Tema e saj e Diplomës kishte për qëllim përmirësimin e algoritmeve të rinj ose ekzistues stemming për gjuhën Shqipe. Stemming është procesi i ndarjes së një fjale në pjesëza më të vogla që kanë kuptim, ose fjalë rrënjë, një proces shumë i rëndësishëm në studimet morfologjike dhe një prej faktorëve kryesorë në inteligjencën artificiale.

21:47 – Fitues i çmimit ICT Startupi i Vitit për edicionin e 8-të të ICT Awards u shpall Geri Cupi me projektin blockchain MonoChain. MonoChain është një platformë B2B që synon të lehtësojë rishitjen për përdoruesit dhe mundësuar markave të monetizojnë tregun e rishitjeve. Platforma u inkubua në Plug and Play. Në Tetor të 2019-ës nisi një bashkëpunim me gjigantin Oracle. Partnerë të tjerë janë Levi’s, Swarosvki dhe De La Rue. Monochain operon tre zyra në Prishtinë, Londër dhe Nju Jork.

21:39 – Mirënjohje për Kristi Xherahu, Egzon Zeka, Liridona Alilaj për kontributin e shquar dhënë kundër pandemisë së Covid-19 me projektin Mind Drive i cili bëri të mundur një rrugëdalje përballë problematikave të shumta që sjell shëndeti mendor veçanërisht në një ballafaqim me një pandemi me karakter global.

Mirënjohje për Sokol Ajdini për kontributin e shquar me Projektin Covid-19 Diagnostic Screening Self-Test dhënë në kuadër të pandemisë së Covid-19 në identifikimin e njerëzve të dyshuar me Covid-19, ofrimin e udhëzimeve dhe rekomandimeve për parandalimin e përhapjes dhe mbështetjen e ofruar autoriteteve në përballimin e saj.

21:30 – Fitues i çmimit ICT Shërbimi Publik i Vitit në Kosovë u shpall Vianova Health me projektin Kosova.health. Në koordinim të aftërt me ministrin Arben Vitia dhe institucionet përkatese, u lansua platforma kosova.health, ku nëpërmjet Chatbot-it Rosie, u mundësua filtrimi preliminar sipas protokollit zyrtar mjekesor, i cili ndihmoi që të evitohet tej-ngarkimi i stafit mjekësor profesionist. Me këtë sistem u bë e mundur që të gjitha rastet, brenda platformës Vianova të bëhen “track-and-trace”, që nënkupton se personat e infektuar dhe kontaktet e tyre të gjurmohen dhe të evidentohen brenda platformës për observim dhe testim.

LEXO EDHE:  Një dekadë më parë Galaxy S20 Ultra do të ishte konsideruar "phablet"

21:20 – Fitues i çmimit ICT Shërbimi Publik i Vitit në Shqipëri u shpall Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor me projektin eDM. Sistemi i Drejtuesit të Mjeteve, Dëshmive dhe Certifikatave – eDM është një sistem kompleks dhe gjithëpërfshirës duke mundësuar përmbushjen e të gjithë funksionaliteteve që lidhen me dëshmitë e drejtuesve të mjeteve.

21:11 – Fituese e çmimit Gruaja në ICT u shpall Diana Xhumari. Diana është drejtuese e kompanisë së transformimit dixhital Tegeria. Ajo ka një eksperiencë të gjerë në fushën e dixhitalizimit, programimit, konsulencës në 18 vende të botës.

21:05 – Mirënjohje për Besart Kuleta, Betim Shala, Endrit Vitija, Armend Kadrija, Labinot Bajrami për kontributin e shquar dhënë me projektin RrinShpi gjatë pandemisë së Covid-19 në informimin në kohë reale dhe këshillimin e njerëzve rreth Covid-19 dhe mbështetjen e autoriteteve dhe bizneseve në përballimin e saj.

20:55 – Mirënjohje për Endri Bahja për kontributin e shquar dhënë me projektin E-Demic në kuadër të pandemisë së Covid-19 në identifikimin e njerëzve të infektuar dhe në mbështetje të autoriteteve në procesin e testimit dhe izolimit me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19.

20:45 – Fitues i çmimit ICT Ylli në Ngritje i Vitit për edicionin e 8-të të ICT Awards u shpall Venis Morina me projektin Xcom. Zgjidhja e tij është lehtësimi i blerjes së produkteve në markete, menaxhimi i ekonomisë së konsumatorit, analizimi i të dhënave të shitjes , reklamimi i produkteve dhe rritja e shitjeve të marketeve. XCom përdor teknologjitë e fundit si inteligjenca artificiale dhe realiteti i shtuar.

20:30 – Fitues i çmimit ICT Inovacioni i Vitit për edicionin e 8-të të ICT Awards u shpall Endri Dibra me projektin Digital Human Avatars and AI from Smartphones for AR Body Applications, një aplikacion mobil për pacientë dhe kirurgë i ndërtuar i gjithi në inteligjencë artificiale dhe realitetin e shtuar. Funksioni kryesori i produktit është të vizualizojë trajtimet kirurgjikale direkt në trupin e pacientit. Është një mjet komunikimi, edukimi dhe vendimmarrjeje për kirurgë dhe pacientë.

LEXO EDHE:  Startupi shqiptar Formon krijon një ventilator frymëmarrje për të infektuarit nga COVID-19

20:20 – Kryetari i Bashkisë së Tiranë z. Erion Veliaj në fjalën e tij të rastit shprehur mirënjohjen për çdo kontribut të dhënë nga ICT Awards. “Historia ka treguar se bashkëpunimi i ideve kreative ka siguruar histori suksesi afatgjate.”

20:05 – “Sot jemi në aktin final i një rrugëtimi të gjatë që ka nisur prej kohësh nga organizatorët për përzgjedhjen e të talenteve nga trevat shqipfolëse,” tha Kryetari i Jurisë z. Altin Petre.

19:59 – Video prezantim i edicionit të 8-të të ICT Awards

19:56 – “Ky nuk është thjeshtë një event ku ne vishemi bukur dhe duartrokasim fituesit. Është një kryengritje, është një natë që feston me të gjitha ata që luftojnë çdo ditë që Shqipëria jonë të mos jetë thjeshtë një vend i vogël në hartë. E bëjmë për ata që punojnë çdo ditë në heshtje.”

19:50 – Bashkëthemeluesi i ICT Awards Kushtrimi Shala hapi mbrëmjen gala me fjalën e tij hapëse. “ICT Awards është një event që profesionistët e fushë e presin me padurim.”

Edicioni i tete ICT Awards – Mbremja Gala e Ndarjes se Cmimeve

Edicioni i tete ICT Awards – Mbremja Gala e Ndarjes se Cmimeve

Gepostet von ICT Awards am Freitag, 10. Juli 2020

Gara mbarëshqiptare në teknologji, Albanian ICT Awards do të përmbyllë edicionin e saj të 8-të ditën e Premte më 10 Korrik 2020 në ora 19:00 në Mbrëmjen Gala e cila do të organizohet me pjesëmarrjen e organizatorëve, jurisë dhe finalistëve.

Ndërsa të gjitha ata që duan të ndjejnë emocionet e ceremonisë së ndarjes së çmimeve sikur çdo vit tjetër do të kenë mundësi ta ndjekin virtualisht. Për të ndjekur transmetimin direkt në platformën Zoom ju ftojmë të klikoni në këtë lidhje.

LEXO EDHE:  Dizajni radikal i Apple iPhone 12 merr formë

Mbrëmja Gala e edicionit të 8-të të ICT Awards vjen pas një pritjeje të gjatë prej mëse 5 muajsh dhe organizohet duke respektuar çdo masë të ndërmarrë nga autoritetet në kuadër të parandalimit të përhapjes së Covid-19.

ICT Awards nisi edicionin 8-të me 7 Shkurt në Tiranë ku zbuloi për komunitetin e ICT kriteret, vlerësimet dhe shpërblimet e këtij viti dhe kategoritë e garës: ICT Inovacioni i VititICT Startupi i VititICT Ylli në Ngritje i VititICT Diploma e VititGruaja në ICTICT Shërbimi Publik i Vitit dhe ICT Siguri Kibernetike.

Themeluar dhe vënë në shërbim të ekosistemit të inovacionit dhe startupeve në Shqipëri, misioni i konkursit më të madh në teknologji Albanian ICT Awards sot identifikohet me shkëndijat e shpresës që ndriçojnë sytë e çdo të riu, entuziasti, inovatori e profesionisti përkushtimi dhe dedikimi i të cilëve meriton jo vetëm njohje dhe afirmim por vëmendjen e një shoqërie shqiptare që ëndërron pa pushim.