Lajmet

Lufta e Instagram me popullaritetin fals jep efektet e para

Nov 22 2018
0 Shpërndarje
Lufta e Instagram me popullaritetin fals jep efektet e para

Ditën e Hëne Instagram tha se do të mbyllte çdo aktivitet i cili nuk është autentik dhe që ka për qëllim rritjen e popullaritetit të llogarive.

Brenda pak orësh, BlackHatWorld, një forum shumë popullor me reklamues të medias sociale, përfundoi në krizë.

Në një seksion në forum i rezervuar për shpërndarjen e ofertave për blerjen e ndjekësve të rremë në Instagram, u startuan 13 diskutime mes reklamuesve për të folur rreth ndryshimit të politikave.

“Fillimi i fundit?” shprehej një përdorues. “Po ndodh” thoshte një tjetër duke postuar një lidhje të njoftimit për shtyp të Instagram i cili premton heqjen e pëlqimeve dhe ndjekësve të rremë.

Me kalimin e orëve forumi përfundoi në kaos. Aplikimet filluan të ndërpriteshin dhe makthi më i keq i hakerave kishte nisur me frikën se Instagram ka në plan të bëjë diçka me të vërtetë.

Pëlqimet, komentet, dhe ndjekësit janë valuta e Instagramit. Ato janë matësit të cilët përcaktojnë vlerën e një profili, popullaritetin e një ideje dhe që nuk është punë e lehtë për tu arritur.

Pikërisht këtu nis pushteti i tyre. Një llogari me 10,000 ndjekës fiton akses në funksione të avancuara të Instagram si mundësia për të shtuar lidhje tek historitë.

Kjo është diçka e jashtëzakonshme për një profil i cili lehtësisht mund të dërgojë trafikun në brendin ose sajtin që dëshiron.

Për influencerët të cilët jetojnë me këtë punë, situata bëhet edhe më alarmante. Pagesat për reklamime bazohen sipas numrit të ndjekësve.

Ndryshe nga popullariteti i zakonshëm, ai dixhital mund të blihet online brenda pak minutash. Manipulimi ka pushtuar platforma si Youtube dhe Twitter dhe Instagram nuk i ka shpëtuar këtij fenomeni.

Influencerët e rinj apo edhe kompanitë e reja kërkojnë ndihmë nga këto mashtrues për të rritur profilet e tyre nga zeroja. E bërë në mënyrën e duhur, angazhimi fallco bëhet po aq i rëndësishëm sa ai real.

Politika e re e Instagram shënjestron shërbimet të cilat amplifikojnë automatikisht postimet. Shumica e këtyre aplikacioneve kërkojnë që përdoruesi të paguajë një tarifë dhe të ofrojë kredencialet e llogarisë, një shkelje direkte e politikave të platformës.

Aplikacionet përdorin kredencialet për të dërguar pëlqime, komente dhe ndjekës një profili por që janë të rremë.

Instagram thotë se duke përdorur inteligjencën artificiale ka identifikuar përdoruesit të cilët kanë ndarë kredencialet e tyre me shërbime të tilla dhe do tu ofrojë një ultimatum: të ndryshojnë fjalëkalimin ose tu mbyllet llogaria.

Shumë influencerë përdorin këto shërbime për tu paraqitur si më të suksesshëm sesa janë në të vërtetë.

Nga dita e Marte, një numër anëtarësh të BlackHat raportuan probleme me Jarvee, një prej aplikacioneve të rekomanduar për këtë qëllim.

Përdoruesit duhet të paguajnë mes 20 deri në 70 dollarë në muaj. Disa prej tyre që kishin tentuar përdorimin e aplikacionit të Martën kishin marrë një mesazh gabimi.

Jarvee mohoi pretendimet se masat e marra nga Instagram kanë ndikuar në shërbimin e tij.

Një përfaqësues i kompanisë kishte thënë se trafiku i simuluar vjen nga aplikacioni i Instagram në telefon duke bërë që rrjeti social të besojë se është përdorues legjitim.

Mashtrimet në Instagram kanë qenë shumë më të thjeshta se kaq. Nëse dëshironit më shumë ndjekës mund të vizitonit faqe ku të blinit me karta krediti ndjekës dhe të shikonit profilin tuaj të çmendej.

Por edhe atë kohë Instagram kishte gjetur një zgjidhje duke zëvendësuar kohështrirjen e kronologjike me atë algoritmike.

Instagram nuk ka dhënë detaje sesi rëndit postimet por është i qartë që ka në prioritet rritjen e angazhimit me pëlqime, komente, shikime historish, DM etj.

Kjo detyroi influencerët të manipulojnë numrin e ndjekësve. Dy metodat më të përdorur vitin e kaluar ishin: shërbime të amplifikimit automatik dhe ndjekës dhe pëlqime të rreme me pagesë.

Edhe pas të Hënës ndjekësit, pëlqimet, komentet ende bliheshin nga faqe të ndryshme që përdorin flotë llogarish të automatizuara për tu dhënë klientëve angazhim të rremë.

Konkretisht në SM Garden 1,000 ndjekës kushtonin 3 dollarë, 1,000 pëlqime 1.8 dollarë, 1,000 video shikime 1.2 dollarë, 1,000 komente 1.2 dollarë dhe 3 dollarë për 1,000 komente me emoji.

Këto shërbime mund të jenë popullore por janë shumë pak të sofistikuara dhe lehtësisht të identifikueshme. Ato ndjekin dhe postojnë foto stock në masë dhe janë të lidhur me adresa IP të pazakonta.

Instagram nga ana tjetër ka akses në sasi shumë më të mëdha të dhënash si softuerët specifik përdorur për të rritur popullaritetin e postimeve.

Një përfaqësues i SM Garden ishte shprehur se kishin dijeni për ndryshimin e politikave të Instagram duke thënë se SM Garden nuk parashikon të ardhmen por sigurohet që shërbimet gjithnjë të duken sa më reale. /PCWorld Albanian

Tags >

Instagram
Lajmet e fundit>