Lajmet

Mbyllet gara kibernetike XORCTF7E4, shpallen fituesit

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 01 Shkurt 2020
0
18 sfidat pjesë e garës kibernetike XORCTF7E4 janë përpiluar nga anëtari i XOR Arben Shala. Mbyllet gara kibernetike XORCTF7E4, shpallen fituesit

Është mbyllur gara kibernetike XORCTF7E4 e organizuar nga Komuniteti Virtual XOR të Shtunën e datës 1 Shkurt 2020 nga ora 10:00 deri në 18:00.

Në këtë garë morën pjesë gjithsej 9 ekipe nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia të cilët garuan për të identifikuar sa më shumë probleme sigurie të cilat përktheheshin në pikë rënditjeje.

Gara tetë orëshe u përqendrua në disa sfida si të uebit, forensikës, programimit, steganografisë dhe boot2root. Ekipet që morën pjesë në garën XORCTF7E4 ishin: Koronavirus, Pepperclipp, BOB?, null, Fulcrum, alert(1), ether_0, Unknown Angels, BlackWidow, Vikings dhe 06.

Fitues u shpall ekipi nga Kosova Fulcrum i cili grumbulloi në total 570 pikë, një avantazh të qartë përballë ekipit Black Widow që grumbulloi 310 pikë në total.

Vendi i tretë shkoi për ekipin nga Shqipëria Koronavirus që grumbulloi 180 pikë, aq sa Pepperclipp dhe null. Koronavirus zuri vendin e tretë sepse arriti të grumbullojë pikët përpara dy ekipeve të tjera.

Fulcrum arriti të identifikonte në total 16 probleme sigurie nga 28 që ishin të disponueshme në total. Këto probleme sigurie u identifikuan 6 në Boot2Root, 3 në forensikë, 3 në programim, 3 në steganografi dhe vetëm 1 në ueb.

Vendi i parë do të shpërblehet me një çmim prej 600 euro, vendi i dytë me çmim prej 300 euro dhe vendi i tretë me çmim prej 100 euro.

Rezultatet finale të garës mund ti gjeni të publikuara në uebsajtin e XOR.

Gara kibernetike XORCTF7E4 hapi regjistrimet gjatë muajit Janar ndërsa afati i fundit ishte data 30 Janar. Të gjitha ekipet mund të regjistroheshin online për të marrë pjesë në garë.

Gjatë garës çdo veprim i përshkruar mëposhtë do të çojë në skualifikim: kryerja e sulmeve DDoS, përdorimi i metodës Brute Force, shkëmbimi i flamujve, ato publikimi online dhe shkëmbimi jashtë i gjetjeve.

LEXO EDHE:  Nesër shansi e fundit për tu bërë pjesë e garës kibernetike më emocionuese në Kosovë #XORCTF7E4

Komuniteti Virtual XOR është themeluar nga profesionistë të fushës me në fokusin sigurinë kibernetike dhe sot numëron rreth 20 anëtarë të cilët në baza ditore ofrojnë kontribut të ndryshëm.

Misioni dhe themeli baze i XOR është shpërndarja e dijes tek gjeneratat e reja si dhe vetëdijesimi dhe forcimi individëve gjithashtu industrisë Cybersecurity në tërësi në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Organizimi i kësaj gare u mundësua falë mbështetjes së sponsorëve si Wallencore një korporatë Kanadeze e cila ofron zgjidhje dhe shërbime inovative të sigurisë kibernetike, Kujtesa, operatorit të shërbimeve fikse në Kosovë dhe mbështetjen mediatike të PCWorld.al dhe motorit të kërkimit në gjuhën Shqipe Gjirafa.com dhe Valdet Hajdari i cili ka dizajnuar logon e XOR.

18 sfidat pjesë e garës kibernetike XORCTF7E4 janë përpiluar nga anëtari i XOR Arben Shala. /PCWorld Albanian

Tags >

XOR
Lajmet e fundit>