Lajmet

Më 25-27 Maj një hakaton virtual vihet në kërkim të zgjidhjeve dixhitale për bizneset Shqiptare

Nga: PCWorld
Publikuar , 09 Maj 2020
0
Duke demonstruar entuziazëm individual dhe kontribut e bashkëpunim kolektiv, aktivitete të tilla kanë prodhuar inovacione në një kohë të shkurtër dhe janë shndërruar në hapësira ku inkurajohet kreativiteti dixhital dhe rekrutohen talente të reja. Më 25-27 Maj një hakaton virtual vihet në kërkim të zgjidhjeve dixhitale për bizneset Shqiptare

Thuhet se nevoja është nëna e të gjitha shpikjeve dhe inovacioneve dhe mobilizimi i hakatonëve që erdhi si pasojë e pandemisë së Covid-19 injektoi një realitet të ri për botën dhe kohën që sot jetojmë.

Duke demonstruar entuziazëm individual dhe kontribut e bashkëpunim kolektiv, aktivitete të tilla kanë prodhuar inovacione në një kohë të shkurtër dhe janë shndërruar në hapësira ku inkurajohet kreativiteti dixhital dhe rekrutohen talente të reja.

Pasi organizuan me sukses dy hakatonë gjatë muajve Shkurt dhe Prill duke kulmuar me Hack the Crisis, EU for Innovation, CrazyTown, ICTSlab dhe Oficina ftojnë në datat 25-27 Maj 2020 studentë, inovatorë, universitete e startupe që së bashku të krijojnë zgjidhje për nevojat reale të industrisë dhe shoqërisë.

Mbështetur nga ekspertë ata duhet ti japin përgjigje dilemave: Si të ndihmojnë bizneset të njohin më mirë tregtinë online, si të përmirësojnë burimet njerëzore, proceset dhe transparencën dhe si të përdorin teknologji dhe informacione në kohë reale për vendimmarrje të suksesshme.

Pjesëmarrësit e këtij hakatoni i presin sfida reale nga palë interesi në Shqipëri në këtë sektor si: Bashkimi Tregtar i Shqipërisë, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Unioni i Sipërmarrësve të rinj Shqiptarë, Institucioni Financiar NOA dhe Institucioni Financiar Kredo.

Pse duhet të bëheni pjesë e një hakatoni?

Hakatonët, një term i cili vjen nga shkrirja e “hack” dhe “marathon”, kanë fituar popullaritet në vitet e fundit.

Individualisht duke ju bashkuar një hakatoni ju keni mundësinë të tregoni aftësitë tuaja, të mësoni rreth teknologjisë, të bashkëpunoni nën presion, të krijoni lidhje të reja, të fitoni akses në mentorë dhe ekspertë të industrisë me përvojë të gjerë si dhe të përfitoni çmime e shpërblime.

LEXO EDHE:  Gjykata e Apelit vendos në favor të institucionit financiar Monego

Është një vend i ideal ku mund të takoheni me njerëz me të cilët ndani pikëpamje të përbashkëta, por edhe të testoni aftësi të reja, të mësoni të punoni me më efikasitet dhe të zgjeroni njohuritë tuaja të fushës.

Nga ana tjetër hakatonët inkurajojnë gjithpërfshirje sociale, zgjidhje inovative duke inspiruar lëvizje globale prej të cilave gjenerohen ide të afta për të kapërcyer edhe sfidat më vështira me të cilat përballet shoqëria jonë.

Kush mund të bëhet pjesë e hakatonit?

Universitetet Shqiptare ftohen të bëhen pjesë e këtij hakatoni duke dërguar ekipe me 5-6 persona. Aplikimet në Hakatonin Online do të jenë të hapura deri më datën 20 Maj 2020. Hakatoni do të organizohet virtualisht.

Pjesë e këtyre ekipeve duhet të jenë: 3 studentë nga disiplina të ndryshme me pasion sipërmarrjen, 1 anëtar fakulteti: pedagog apo hulumtues, 1 ekspert i angazhuar në sipëmarrje dhe biznes për universitetin dhe një anëtar nga ekosistemi i startupeve.

Aplikimet do të pranohen deri më 20 Maj në këtë lidhje: https://forms.gle/14sbYdzm1P2V7WSP8

Sfidat që i presin pjesëmarrësit e Oneline Hackathon

Ekipet pjesëmarrëse në këtë hakaton mund të zgjedhin një prej tre sfida të elaboruar si mëposhtë për tu dhënë zgjidhje të aplikueshme me ndikim të drejpërdrejtë dhe rezultative:

Sfida e parë: Si të ndihmojnë bizneset të njohin më mirë tregtinë online dhe zgjidhjet omnichannel?

Të gjendur përballë nevojës për tu adaptuar dhe dërguar aktivitetin e tyre online, bizneset Shqiptare kanë nevojë sot më shumë se kurrë për zgjidhje reale. Tregtia online është në fazat e saj të para në Shqipëri për shkak të përdorimit të vogël të kartave të kreditit, fuqisë së ulët blerëse dhe kostos së lartë të transportit.

LEXO EDHE:  Tirana mirëpret konferencën rajonale "Industritë Kreative" më 23-24 Tetor

Si mund të shfrytëzojnë bizneset platformat e-commerce dhe omnichannel? Si të krijojmë një eksperiencë përdoruesi të kënaqshme nga shitja tek distribuimi dhe logjistika? Çfarë i pengon bizneset të përfshihen në e-commerce?

Sfida e dytë: Si të përmirësohen flukset dhe proceset e punës me burimet njerëzore dhe të rritet transparenca përmes zgjidhjeve dixhitale?

Çfarë zgjidhjesh dixhitale duhet të përdorin bizneset për të përmirësuar aktivitetet e tyre ditore, të zhvillojnë aftësi, të jenë më agile në shpërndarjen e burimeve. Çfarë pengesash kulturore duhet të adresohen për bizneset dhe organizatat të jenë më transparente?

Sfida e tretë: Si të përdoren teknologjitë e fundit dhe informacionet në kohë reale për vendimmarrje dhe bashkëpunim më të mirë?

Covid-19 ka shpërqendruar zinxhirët furnizuese dhe tregtinë ndërkombëtare. Çfarë zgjidhjesh dixhitale mund të aplikojnë bizneset Shqiptare për të përdorur të shfrytëzuar maksimalisht të dhënat në kohë reale për furnizimin dhe kërkesën në treg, mundësitë e të bërit bizneset dhe koordinimit me partnerët? Si të konvertohen të dhënat në plan të realizueshëm?

Gjatë pandemisë së Covid-19 pamë teksa një hakaton që nisi si një lëvizje në Estoni u shndërrua në një fenomen global në një kohë krize e cila kishte nevojë për liderët e saj. Lidership në kohë krize do të thotë të veprosh shpejt dhe me zgjuarsi përballë realiteteve që ndryshojnë me shpejtësi. Krizat kërkojnë një lidership të tillë.

Online Hackathon do të nisë më 25 Maj në orën 17:00 dhe të përmbyllet me 27 Maj në orën 18:00. Më shumë informacione rreth hakatoni do të gjeni në uebsajtin e EU for Innovation. /PCWorld Albanian