Lajmet

Më 25 Janar Korça Digital Weekend për sensibilizimin dhe inkurajimin e të rinjve rreth aftësive dhe ekonomisë dixhitale

Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 12 Janar 2020
0
Platforma Global Digital City synon të informojë për mundësitë që epoka dixhitale po ofron në të gjithë botën dhe këtë e kemi filluar nga qyteti i bukur i Korçës. Më 25 Janar Korça Digital Weekend për sensibilizimin dhe inkurajimin e të rinjve rreth aftësive dhe ekonomisë dixhitale

Nën moton “Korça jo vetëm e bukur, por edhe inovative,” Bashkia e Qytetit në bashkëpunim me qendrën laboratorike ICTSlab, Vigan Group, ABSA dhe Universitetin e Korçës “Fan S. Noli” organizojnë aktivitetin Korça Digital Weekend për të promovuar vlerat dhe mundësitë që ofrojnë aftësitë dixhitale dhe ekonomia dixhitale për të rinjtë e Korçës dhe Shqipërisë.

Aktivitetit do ti bashkohen Kryetari i Bashkisë Korçë z. Sotiraq Filo, ish zv-Kryeministri i Republikës së Shqipëri z. Niko Peleshi si dhe personazhe nga bota e teknologjisë dhe sipërmarrjes në Shqipëri si Arber Çepani, Kushtrim Shala, Agi Haxhimurati, Veton Kurtsmajlaj, Laidi Ferruni, Albi Zhulali, Eljona Kosta, Genti Selenica, Gjergji Robo, Mërgim Cahani, Florensa Haxhi, Ersenilda Elezi, Edmond Alla, Alqi Puli, Driton Musolli, Ilir Çapuni, Renato Toni, Anisa Berisha dhe Arjodita Mustali.

Platforma Global Digital City synon të informojë për mundësitë që epoka dixhitale po ofron në të gjithë botën dhe këtë e kemi filluar nga qyteti i bukur i Korçës. Korça Digital Weekend ështe një event i krijuar në bashkëpunim me Bashkinë Korçë për të promovuar vlerat dhe mundësitë që tregu global ofron sot.

Përmes këtij aktiviteti synohet inkurajimi dhe mbështetja e nismave sipërmarrëse me vlera, profesionistëve dhe organizatave duke i ftuar të bëhen pjesë e një misioni të ndërmarrë nga Bashkia Korçë për të ndërtuar një ekosistem të favorshëm që ushqen inovacion dhe kreativitet.

Kur flasim për aftësitë dixhitale në një ekonomi dixhitale, mendojmë për atë mjeshtëri, teknikë dhe zotësi për të transformuar mënyrën tonë por edhe të tjerëve të jetesës përmes oqeanit të pafund të mundësive që ofron sot bota e ndërlidhur e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Njëherazi sot është pamundur të zgjerosh një sipërmarrje pa kuptuar rëndësinë, mundësitë dhe potencialin që të ofron sot ekonomia dixhitale, aftësitë dixhitale dhe transformimi dixhital.

Korça Digital Weekend synon ti sensibilizojë moshat e reja por edhe ti inkurajojë më tej ata që i kanë hyrë një rrugëtimi të tillë se aftësitë dixhitale janë forca e re e ekonomisë globale e cila po krijon liderët e së ardhmes. 

25 Janar pranë Bibliotekës së Re në Bulevardin “Republika” të qytetit të Korçës nga ora 9:30 deri 17:00, fundjava më e veçantë e qytetit do të sjellë në vëmendje të pjesëmarrësve aftësitë dixhitale, transformimin social, sipërmarrjen, ekonominë dixhitale, botën e startupeve, histori frymëzuese nga vendi dhe bota.

LEXO EDHE:  Amargi, një firme mode e qëndrueshme shqiptare me impakt social

Transformimi dixhital dhe ekonomia dixhitale

Jemi duke hyrë në valën e tretë të ekonomisë dixhitale. E para ishte e bazuar tek Interneti, Web 1.0 dhe tregtia online. Faza e dytë solli tek ne Web 2.0, sasinë e madhe të të dhënave, smartfonët dhe kompjuterikën cloud. Faza e tretë do të sjellë rrjete dhe pajisje të ndërlidhura ku më shumë punë bëhet prej makinerive, sensorëve dhe algoritmave.

Përballë këtyre ndryshimeve radikale, shoqëria dhe ekonomia po vihet përballë një sfide të cilën duhet ta kuptojë siç duhet nëse do të ketë një impakt pozitiv në standardet dhe cilësinë e jetës për gjeneratat e ardhshme.

Sipas firmës globale IDG, 89% e sipërmarrjeve në mbarë botën kanë planifikuar ose kanë adoptuar një strategji biznesi që kanë fokus dixhitalizimin.

Niveli i zhvillimit të digjitalizimit në Shqipëri ka ecur me një ritëm të lartë krahasuar me vendet e zhvilluara dhe, në disa sektorë, mbart të njëjtin nivel dhe gjendet në të njëjtën etapë zhvillimi.

Tregu i punës në Shqipëri gjatë viteve të fundit ka pasur përfitime nga digjitalizimi. Implementimi i pajisjeve digjitale ka mundësuar hapjen e mbi 20.000 vendeve të punës. Në Shqipëri ekzistojnë parametra avantazhues në lidhje me të ardhmen e digjitalizimit në vend. Mosha relativisht e re e popullsisë dhe niveli relativisht i kënaqshëm i arsimimit

Pse duhet të bëheni pjesë e Korça Digital Weekend?

Teknologjitë disruptive pritet të eliminojnë 50% të vendeve të punës në 25 vitet e ardhshme dhe hulumtimet sugjerojnë se 15 vjeçarët e ditëve të sotme do të kenë pesë ndryshime të karrierës së tyre gjatë gjithë jetës.

Në dy dekadat e ardhshme, kërkesa për aftësi STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë) do të rritet me 30%. Edhe pse e ardhmja duket e turbulluar ku njeriu është një element i tepërt, 85% e vendeve të reja të punës deri në 2030-ën ende nuk janë shpikur duke krijuar mundësi të pafundme për individët dhe karrierën e tyre.

Korça Digital Weekend, historitë e suksesit përmes teknologjisë që do të prezantohen janë një shembull ekzemplar sesi individë përmes dijes dhe teknologjisë kanë bërë diferencën në jetët e tyre por edhe shumë të tjerëve duke themeluar sipërmarrje dhe kompani të suksesshme apo edhe duke përvetësuar aftësitë dixhitale.

Kush duhet të bëhet pjesë e Korça Digital Weekend?

Nëse je i ri me ambicie, sipërmarrës, profesionistë, nëse ke filluar një biznes apo ke një ide biznesi, nëse do të dish si të punosh nga shtëpia si freelancer për tregun global, apo ke nevojë të frymëzohesh nga histori suksesi, Korça Digital Weekend është organizuar me qëllim që tu hapë horizonte të reja pune të rinjve me aftësi dixhitale.

Nëse do të njihesh me hapësirat, stimujt dhe lehtësitë që Bashkia Korçë është duke ndërtuar atëherë bëhu pjesë e fundjavës më të veçantë të qytetit të Korçës. Të gjithë të interesuarit mund të regjistrohen përmes faqes zyrtare www.globaldigitalcity.com.