Lajmet

Më 3 Tetor startupet garojnë për një vend në programin e akselerimit të Uplift Albania

Nga: PCWorld
Publikuar , 28 Shtator 2020
0
Më 3 Tetor startupet garojnë për një vend në programin e akselerimit të Uplift Albania

Mëse 40 startupe të industrive të ndryshme janë bërë pjesë e garës për të fituar akses në programin e akselerimit “Uplift Albania”, i cili sot përfaqësohet nga 50+ ekspertë të industrisë e sipërmarrës të suksesshëm në Evropë, si dhe investitorë nga rajoni dhe Evropa.

Ditën e Premte, datë 25 Shtator 2020, Uplift Albania mbylli fazën e aplikimeve dhe ka nisur tashmë fazën e vlerësimit dhe identifikimit të më të mirëve: startupet të cilët do të garojnë me njëri-tjetrin në “Selection Bootcamp”.

“Selection Bootcamp” pritet të jetë një ditë e gjatë dhe intensive, në të cilën do të ftohen të marrin pjesë afro gjysma e aplikantëve në programin e akselerimit. Startupet të cilët kapërcejnë sfidën e përzgjedhjes, gjatë boot-kampit do të prezantojnë idetë dhe projektet e tyre përballë mentorëve, investitorëve dhe partnerëve të Uplift. Këta të fundit do të jenë faktori përcaktues që do të identifikojnë dhe përzgjedhin më të mirët e më të mirëve: startupet që do të bëhen pjesë e akseleratorit Uplift Albania.

Ky takim do të organizohet ditën e Shtunë më 03 Tetor dhe do të përzgjedhë startupet që do të ndjekin programin e akselerimit pranë Uplift Albania, një rrugëtim 4-javor me workshope, sesione rrjetëzimi, trajnime të dedikuara dhe mentorim individual.

Axhenda e Selection Bootcamp

  • 08.30 – 8.50 – Mbërritja dhe Kafeja
  • 08.50 – 9.30 – Fjalë përshëndetëse dhe njohja me rregullat e Bootcamp
  • 09.30 – 10.00 – 1-minutë prezantim i çdo ideje nga secila skuadër startup
  • 10.00 – 11.30 Workshop #1: Lean Canvas me në fokus vlerësimin e problemit dhe zgjidhja që ofrojnë startupet për konsumatorët potencialë.
  • 11.30 – 12.00 – Workshop #2: Investimi
  • 12.00 – 13.00 – Dreka
  • 13.00 – 13.30 – Workshop #3: Prezantimi para investitorëve
  • 13.30 – 15.00 – Mentorim 1-në-1
  • 15.00 – 16.30 – Prezantimet finale: 3 minuta prezantim + 2 minuta pyetje-përgjigje
  • 16.30 – 17.30 – Përzgjedhja e startupeve më të mira për akseleratorin Uplift Albania
LEXO EDHE:  Të Shtunën Uplift Albania Reality-Show, në brendësi të një akseleratori startupesh

Në datë 5 Tetor 2020, nis zyrtarisht programi i akselerimit, i cili pasohet me workshope të tematikave të ndryshme në çdo javë, deri më 29 Janar 2021 kur do të jetë dita e prezantimit final dhe shpalljes së fituesve: Demo-Day.

Uplift nuk investon në mënyrë të drejtpërdrejte në kompani, por startupet që bëhen pjesë e tij mund të sigurojnë deri në 50,000 euro investim përmes partnerëve ose 5,000 euro çmim për ekipin më të mirë. Mbi 20 mentorë dhe investitorë do të asistojnë dhe investojnë në startupet që do të bëhen pjesë e Uplift Albania.

Uplift mbetet në kontakt me startupet edhe në përfundim të programit, duke ofruar vazhdimisht mundësi promocioni dhe rrjetëzimi falë partneritet të zgjeruar të shtëpisë botuese ICTSmedia e cila zhvillon këtë program akselerimi për vitin e dytë në radhë për Shqipërinë dhe Rajonin.

Uplift Albania gëzon mbështetjen e një rrjeti të gjerë sponsorësh dhe partnerësh si SlovakAid, Vodafone Business, SOVVA, Albvision, CIVITTA, EU for Innovation, SwissEp, Bashkia Tiranë dhe mbështetjen mediatike të PCWorld Albanian, ScanTV dhe GeekRoom.