Lajmet

Më 7 Shkurt nis misioni 8 vjeçar i ICT Awards në kërkim të historive Shqiptare të suksesit

Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 31 Janar 2020
0
Gara Albanian ICT Awards, akseleratori Uplift Albania, dhe qendra laboratorike e ICTSlab përfaqësojnë vizionin e ICTSmedia për një ekosistem inovacioni autentik dhe me identitet plot histori, kulturë, traditë Shqiptare. Më 7 Shkurt nis misioni 8 vjeçar i ICT Awards në kërkim të historive Shqiptare të suksesit

Në mbështetje të ekosistemit të inovacionit dhe startupeve në Shqipëri, gara mbarëkombëtare në teknologji Albanian ICT Awards në sytë e shumë të rinjve shqiptarë është parë si mundësi e artë për mendjet e ndriçuara dhe kreative të cilat kërkojnë njohje dhe afirmim jo vetëm të aspiratave të merituara por edhe portencialit inovativ shqipfolës.

Albanian ICT Awards, më shumë sesa një mision, një platformë e cila vit pas viti ka konfirmuar kontributin e çmuar dhe punën e çdo inovacioni shqipfolës që ka lënë gjurmë në Shoqërinë shqiptare, ka nisur përgatitjet për hapjen e edicionit të 8-të të saj.

Zhvilluar në një format i cili jo vetëm ndërgjegjëson shoqërinë Shqiptare rreth konceptit të inovacionit duke organizuar takime, prezantime dhe evente në shkolla, universitete, biblioteka e hapësira inovacioni gjatë një rrugëtimi 3-mujor, startupet të cilat kanë korrur sukses në Albanian ICT Awards sot flasin gjuhën e ekonomisë dixhitale dhe transformimit të sektorëve të ndryshëm përmes inovacionit duke shërbyer si modele për çdo Shqiptar që ëndërron për një Shqipëri më të mirë.

Kontributi prej disa vitesh i ICT Awards është vënë në shërbim të një ekosistemi Shqiptar inovacioni i mbështetur në besueshmëri, aftësi dhe praktika të cilat i japin mundësi çdo të riu, profesionisti, entuziasti, sipërmarrjeje apo kompanie jo vetëm të identifikojë pengesat me të cilat përballet shoqëria shqiptare por edhe ti kapërcejnë ato përmes zgjidhjeve inovative të cilat shpalosen në çdo edicion të kësaj gare.

Të Premten e datës 7 Shkurt 2020 në ora 18:00The Plaza Tirana, Albanian ICT Awards fton të bëheni pjesë e ceremonisë së hapjes të edicionit të 8-të me të ftuar ekskluziv dhe ku do të shpalosen zhvillimet më të fundit dhe historitë e suksesit nga ekosistemit i inovacionit në mbarë hapësirën Shqipfolëse.

LEXO EDHE:  Vodafone Albania sjell eksperiencën e parë 5G në Shqipëri

Tradicionalisht gara është organizuar rreth disa kategorive të ndryshme ku secila prej tyre identifikon dhe shpërblen zgjidhjet inovative për grupmosha të ndryshme si Ylli në Ngritje, platforma të ndryshme si Inovacioni dhe Mobiliteti i Vitit tek sektorë të ndryshëm si Diploma e Vitit, Shërbimi Publik i Vitit dhe Siguria Kibernetike e tek gjithë-përfshirja sociale si Gruaja në ICT.

Megjithatë si me çdo edicion, organizatorët gjithashtu kanë ruajtur surpriza të cilat do të shpalosen në ceremoninë e hapjes e deri në përmbyllje të rrugëtimit.

Që nga themelimi i saj ICT Awards ka dëshmuar qindra punë e përpjekje, e histori suksesi çmuara Shqiptare që kërkojnë që transformimin që ka ndodhur brenda tyre ta përçojnë edhe në shoqërinë Shqiptare dhe vlerësuar çdo vit nga një trupë profesionistësh të zgjedhur nga fusha e teknologjisë dhe inovacionit siç është Juria e Albanian ICT Awards.

Të gjithë të interesuarit që duan të bëhen pjesë e ceremonisë së hapjes ftohen të regjistrohen duke plotësuar fushat përkatëse në formularin online: http://bit.ly/2RAHuAo. Numri i pjesëmarrësve është i kufizuar dhe hyrja është vetëm me ftesa.

Që nga edicioni i parë deri në edicionin e 8-të ICT Awards ka gëzuar dhe vazhdon të gëzojë mbështetjen e përkrahjen e fortë të Bankës Raiffeisen, Fondacionit Dritan Hoxha dhe Albvision. Thirrja e kësaj gare është përçuar nga dhjetëra media partnere në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë e deri në Luginën e Preshevës.

Për një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm

Organizuar nga shtëpia botuese ICTSmedia, Albanian ICT Awards u themelua në 2012 me misionin për të identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të dalluar, udhëheqësve të suksesshëm të bizneseve, inovatorëve, akademikëve dhe të rinjve entuziast në fushën e teknologjisë.

LEXO EDHE:  Në kërkim të inovacionit shqipfolës, ICT Awards vizitoi Prishtinën, Shkupin, Elbasanin, Vlorën, Lezhën dhe Preshevën

Hapja e edicionit të 8-të vjen pak ditë pasi mbylli suksesshëm edicionin e parë të akseleratorit të parë në Shqipëri Uplift Albania pjesë e të cilit ishin 7 histori suksesi, sipërmarrje e nisma të reja, kompani të themeluara të cilat patën akses në mbi 50 ekspertë të industrisë, u mentoruan nga 21 mentorë nga Shqipëria dhe Evropa. Përgjatë një programi 6-javor trajnimi dhe mentorimi startupet dolën përballë një audience prej 200 personash në ditën finale për çmimin e parë.

Gara Albanian ICT Awards, akseleratori Uplift Albania, dhe qendra laboratorike e ICTSlab përfaqësojnë vizionin e ICTSmedia për një ekosistem inovacioni autentik dhe me identitet plot histori, kulturë, traditë Shqiptare. /PCWorld Albanian