Lajmet

Më në fund aktivizohet mbrojtja SSL për Yahoo Mail

Publikuar , 16 Tetor 2013
0
Më në fund aktivizohet mbrojtja SSL për Yahoo Mail

Yahoo ka vendosur të modernizojë sigurinë e sistemit të postës elektronike Yahoo Mail duke aplikuar në të standartin e sigurisë Secure Socket Layer (SSL), standard i ofruar tashmë prej disa vitesh nga kompanitë e tjera si Microsoft apo Google.

SSL është një protokoll kriptografik që enkripton mesazhet e dërguara në ueb dhe i siguron atyre gjatë transferimit midis serverave të Yahoo-së dhe shfletuesit të kompjuterit të përdoruesit.

Kompania ka deklaruar se do të aktivizojë mbrojtjen për të gjithë përdoruesit e Yahoo Mail më 8 janar 2014, një vit pas ofrimit të mbrojtjes SSL si një opsion që duhej të aktivizohej vetë nga përdoruesit.

Përsa i përket implementimit të SSL, mund të themi se Yahoo ka mbetur mbrapa çdo konkurrenti tjetër të fuqishëm në treg. Microsoft-i ka ofruar mbrojtjen SSL si shërbim opsional që në vitin 2010, ndërsa implementimin e plotë e ka realizuar 6 muaj pasi prezantoi Outlook.com në vitin 2012 dhe më vonë, në fillim të këtij viti, ka kryer shkrirjen e Hotmail dhe shërbimeve të tjera të postës elektronike të Microsoft.

Facebook-u aktivizoi mbrojtjen SSL për të gjitha lidhjet në korrik të këtij viti, ndërkohë që si shërbim opsional ishte ofruar që në vitin 2011. Twitter e ka prezantuar këtë shërbim në fillim të vitit 2011, ndërsa implementimin e plotë të tij e ka realizuar në gusht të po këtij viti.

Google është kompania e parë që e ka implementuara këtë shërbim që në vitin 2010 dhe së fundmi ka deklaruar se po përgatitet për kalimin në nivelin tjetër të mbrojtjes kriptografike të quajtur Perfect Forward Secrecy.

Pavarësisht se posta elektronike me shërbimin SSl të implementuar është më e sigurt se të tjerat, përsëri NSA ka zbuluar mënyrën e depërtimit në të. (PCWorld Albanian)

LEXO EDHE:  Shkencëtarët kanë krijuar lente që komandohen nga lëvizjet e syrit

Yahoo SSL Mail

Lajmet e fundit>