Lajmet

Microsoft ridizajnon eksperiencën e Windows 10-ës për tabletët

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 30 Gusht 2019
0
Gjigandi i softuerit ka nisur testimet e dizajnit të ri 2-n-1 e cila do ta mbajë eksperiencën e përdoruesit të përafërt me dizajnin ekzistues në desktop. Microsoft ridizajnon eksperiencën e Windows 10-ës për tabletët

Microsoft ka planifikuar ridizajnimin e plotë të eksperiencës së tabletit në Windows 10. Gjigandi i softuerit ka nisur testimet e dizajnit të ri 2-n-1 e cila do ta mbajë eksperiencën e përdoruesit të përafërt me dizajnin ekzistues në desktop.

Aktualisht Windows 10 ofron një ndërfaqe për tabletët e cila eliminon ikonat në taskbar dhe vendos menunë Start në ekran të plotë. Microsoft ka vendosur të largohet prej kësaj qasjeje por duke ruajtur disa elemente.

Në eksperiencën e re desktopi do të mbetet i plotë, ndërsa ikona në taskbar do të jenë të dukshme me më shumë hapësirë mes tyre. File Explorer gjithashtu do të përshtatet me ndërfaqen e optimizuar për prekjen.

Këto ndryshime po testohen me insajderët e Windows në versionet eksperimentale të Windows 10-ës. Ato hyjnë në fuqi menjëherë sapo hiqeni tastierën nga pajisje si një Surface Pro dhe Microsoft ka konfirmuar një modalitet tablet të dedikuar të cilin duhet ta aktivizoni manualisht.

Së bashku me modalitetin e ri të tabletit, Microsoft po teston një opsion për të resetuar dhe rikthyer një instalim Windows-i nga cloud. Është një funksion i cili ka ekzistuar prej vitesh në macOS dhe për disa pajisje Surface. Por tashmë Microsoft do të lejojë përdoruesit të ri-instalojnë një Windows 10 pa pasur nevojë për një çelës USB. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  Microsoft rekord të ardhurash

Lajmet e fundit>