Lajmet

Milena Harito: Shqipëria po ecën me sukses drejt rrugës së dixhitalizimit

Publikuar , 05 Dhjetor 2014
0
Milena Harito: Shqipëria po ecën me sukses drejt rrugës së dixhitalizimit

big_picture6Ditën e djeshme Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike e Shqipërisë, Milena Harito ka qenë e ftuar në samitin e mbajtur në Berlin, organizuar nga Vodafone Group në të cilin ka marrë pjesë dhe Angela Merkel. Tema kryesore e këtij samiti ishte “Dixhitalizimi i Europës-Mundësitë për Gjeneratën e re”.

Gjatë këtij samiti, mbajtën fjalimet e tyre kancelaria gjermane Angela Merkel, përfaqësues të kompanive prestigjioze në Europë si dhe profesorë doktorë të Universiteteve më të njohura në rajon. Në qendër të këtij aktiviteti qëndronte ndarja e eksperiencave ndër shtetërore dhe mundësitë e reja për nxitjen e gjeneratës së re për edukim bazuar në Teknologjinë e Informacionit dhe Telekomunikacionit. Kryesisht u diskutua për mundësitë e reja të punësimit dhe ndryshimet e mëdha që ka pësuar procesi i punës falë avancimit të teknologjisë.

Ministrja Harito në fjalën e saj u shpreh se: “Jam e lumtur që jam pjesë e këtij takimi jo vetëm për rëndësinë e tij, por mbi të gjitha për mesazhet që ky samit transmeton. Teknologjia e informacionit është një mekanizëm që na ndihmon sot të punojmë dhe të zhvillohemi. Dixhitalizimi dhe teknologjia kanë ndihmuar botën të ndryshojë dhe ky ndryshim është një proces që nuk ka limit”.

Ministrja Harito ndër të tjera theksoi se të rinjtë sot kanë aftësi të jashtëzakonshme të përdorimit të teknologjisë. Sipas saj në Shqipëri përdorimi i Teknologjisë së Informacionit është relativisht i lartë dhe në ditët e sotme kur teknologjia ndryshon, profesionet ndryshojnë edhe mënyra e të punuarit ka nevojë të ndryshoj.

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike e Shqipërisë, Milena Harito deklaroi se Shqipëria numëron një popullsi relativisht të re dhe se përvetësimi i ndryshimeve teknologjike është i shpejtë. Aktualisht në Shqipëri po dixhitalizohen të gjitha shërbimet e administratës publike. Sot numërohen 1300 shërbime të tilla të cilat kanë ndryshuar jo vetëm mënyrën e të punuarit, por edhe konceptin e shërbimit ndaj qytetarit. (PCWorld Albanian)

LEXO EDHE:  Futbollisti i famshëm mbyll Twitter dhe Instagram

Lajmet e fundit>