Lajmet

Ministria e Jashtme Çeke pësoi një sulm kibernetik nga një vend i huaj

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 14 Gusht 2019
0
"Komiteti deklaron me shqetësim se incidenti i fundit, sulmi kibernetik kundër ministrisë së Jashtme, është kryer nga një shtet i huaj", thuhet në një deklaratë të postuar. Ministria e Jashtme Çeke pësoi një sulm kibernetik nga një vend i huaj

Një shtet i huaj organizoi sulmin e fundit kibernetik, që shënjestroi ministrinë e Jashtme të Çekisë, tha të martën komiteti i sigurisë së Senatit, megjithëse nuk e identifikoi vendin në fjalë, si dhe nuk paraqiti detaje për incidentin, raporton Reuters.

Më parë, e përditshmja çeke “Denik N” raportoi se sulmi kibernetik ndaj ministrisë së Jashtme kishte ndodhur në qershor, por që asnjë e dhënë konfidenciale nuk ishte komprometuar. Duke cituar tre burime, gazeta gjithashtu tha se sulmi kishte origjinën në Rusi.

Komiteti i Senatit për Çështje të Jashtme, Mbrojtjen dhe Sigurinë i ka bërë thirrje qeverisë që të marrë seriozisht sigurinë në internet, duke përmendur informacione nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike dhe e Agjencisë për siguri të informacionit shkruan Radio Evropa Lirë.

“Komiteti deklaron me shqetësim se incidenti i fundit, sulmi kibernetik kundër ministrisë së Jashtme, është kryer nga një shtet i huaj”, thuhet në një deklaratë të postuar në faqen e Senatit.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme nuk pranoi të komentojë.

Dhjetorin e kaluar, shërbimi çek i inteligjencës, tha në raportin e tij vjetor, se shërbimet e inteligjencës ruse ishin prapa sulmeve kibernetike që synonin Ministrinë e Jashtme në vitin 2017. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  MySpace humbet 50 milion këngë ngarkuar gjatë viteve 2005-2013

Lajmet e fundit>