Lajmet

Ministrja Nikolla: Investimi në inovacion, mënyra më e mirë për përmirësimin e të ardhmes

Publikuar , 05 Prill 2014
0
Ministrja Nikolla: Investimi në inovacion, mënyra më e mirë për përmirësimin e të ardhmes

13-10-24-06-31-29small_m-arsimitE pranishme në ceremoninë e inaugurimit të Godinës D, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e vuri theksin përsëri tek inovacioni dhe ndikimi i tij në të ardhmen e brezit të ri. Kjo godinë prej gjashtë katesh, me një kapacitet prej 120 vendesh e përbërë nga gjashtë salla amfiteatër, do të shërbejë për mundësimin e leksioneve për studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, veçanërisht për degën e Informatikës.

Të pranishëm në këtë aktivitet, ishin edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dekani i FSHN-së, zv/dekanë, pedagogë dhe studentët të shkencave të informatikës, të cilët mes të tjerash zhvilluan një bashkëbisedim me ministren Nikolla, rreth sfidave që zhvillimi i teknologjisë dhe inovacionit ka sot në universitetet e Shqipërisë, por edhe më tej në tregun e punës. Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Nikolla, duke i uruar studentët dhe fakultetin për godinën e re, theksoi nevojën që sot tregu i punës ka për profesionistë në fushën e teknologjisë dhe informatikës, dhe nga kjo pikëpamje ajo shprehu rëndësinë për të investuar në këtë drejtim. “Që ne të bëhemi pjesë e tregut global, duke qenë konkurrentë të denjë të kërkesave që vinë nga këto tregje, duhet të ecim me hapa shumë të shpejtë, dhe për sa i përket kësaj duhet të investojmë shumë dhe në drejtim të teknologjisë, informacionit e komunikimit, dhe jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në burime njerëzore.”- u shpreh në fjalën e saj ministrja Nikolla.

Sipas ministres së Arsimit dhe Sportit, në bazë të analizave të bëra, mbështetja e studentëve dhe stafeve akademike për të promovuar inovacionin është mënyra më e mirë për të përmirësuar qasjen e përgjithshme ndaj së ardhmes, për përmirësimin e inputeve, teknologjisë, tregjeve, kapitalit dhe ekspertizës. Teksa u ndal tek programi i Qeverisë në lidhje me reformën në fushën e teknologjisë brenda sistemit arsimor, ministrja Nikolla theksoi gjithashtu se: “ne mendojmë se adresimi i investimeve tona të mund të realizohet që tek brezat e rinj që fillojnë të formohen në institucionet arsimore parauniversitare. Në këtë kuadër, me mbështetjen e Kryeministrit Rama, po bëjmë përgatitjet për të dixhitalizuar sistemin arsimor dhe për të prezantuar pajisje të reja dixhitale në shkollat e mesme të vendit, duke synuar që t’i kemi ato në çdo klasë e në çdo shkollë të mesme deri në vitin 2017. Ndërkohë, po punojmë edhe për sa i përket përmirësimit të nivelit të përdorimit të teknologjisë në shkollat nëntëvjeçare, me objektivin që të prezantojmë përmbajtje dhe pajisje dixhitale edhe aty në një fazë të dytë”. Në mbyllje të fjalës së saj, ministrja Nikolla, ju drejtua dhe njëherë studentëve të degës së informatikës, duke i ftuar ata të bëhen pjesë e projekteve më të fundit të Qeverisë, duke dhënë kontributin e tyre, por njëkohësisht dhe duke përfituar nga ky angazhim.  (PCWorld Albanian)

LEXO EDHE:  Snap lançon versionin e ri të syzeve të realitetit të shtuar, Spectacles

Lajmet e fundit>