Biznes

Miratohet rregullorja e re për licencimin e institucioneve të pagesave dhe parasë elektronike

Nga: PCWorld
Publikuar , 26 Nëntor 2021
Institucionet aktuale të licencuara për shërbimet e pagesave do të kenë kohë deri në 2 korrik 2022 për të organizuar veprimtarinë dhe strukturat e tyre në përputhje me kërkesat e kësaj rregulloreje dhe të ligjit “Për shërbimet e pagesave”. Miratohet rregullorja e re për licencimin e institucioneve të pagesave dhe parasë elektronike

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi këtë javë rregulloren e për licencimin e institucioneve të pagesave, institucioneve të parasë elektronike, si dhe për regjistrimin e ofruesve të shërbimeve të pagesave.

Rregullorja përcakton kushtet, kërkesat, afatet, dokumentacionin dhe procedurat për licencimin e institucioneve të pagesave dhe institucioneve të parasë elektronike, si edhe për regjistrimin e ofruesve të shërbimeve të pagesave në Republikën e Shqipërisë, që përfitojnë nga përjashtimet për t’u licencuar. Kërkesat për kapital fillestar do të jenë të përshkallëzuara, në varësi të llojit dhe numrit të shërbimeve që institucionet e pagesave do të ofrojnë. Për institucionet që do të kryejnë vetëm shërbimet e transfertave të parave kapitali minimal i kërkuar do të jetë 2.5 milionë lekë.

Për institucionet që do të ofrojnë vetëm shërbimin e inicimit të pagesës (parashikuar nga ligji i ri për shërbimet e pagesave) kapitali minimal i kërkuar do të jetë 6.5 milionë lekë. Ndërkohë, institucionet që do të ofrojnë pjesën më të madhe të shërbimeve të pagesave që parashikon ligji i ri që hyri në fuqi këtë vit duhet të kenë një kapital prej të paktën 16 milionë lekësh. Në këto shërbime përfshihen depozitimi i parave fizike në një llogari pagese, shërbimet që mundësojnë tërheqjen e parave fizike nga një llogari pagese, ekzekutimi i transaksioneve të pagesave, ekzekutimi i debitimeve direkte, ekzekutimi i transaksioneve të pagesave përmes një karte pagese, ekzekutimi i transfertave të kreditit, ekzekutimi i transaksioneve të pagesave përmes një kartë pagese, emetimi i një instrumenti pagese ose pranimi i transaksioneve të pagesave, etj.

Për institucionet e parasë elektronike kapitali minimal i kërkuar do të jetë 45 milionë lekë. Banka e Shqipërisë ka të drejtë të kërkojë sqarime dhe të bëjë verifikime të mëtejshme lidhur me burimet e krijimit të fondeve që do të shërbejnë si kapital fillestar minimal ose si shtesë e mëvonshme e tij. Rregullorja i rezervon të drejtën Bankës e Shqipërisë të refuzojë dhënien e licencës në rastet kur të paktën njëri nga themeluesit me pjesëmarrje influencuese ka qenë subjekt i procedurave të deklarimit të paaftësisë paguese ose falimentimit, kur nuk paraqitet informacion lidhur me identitetin e themeluesve me pjesëmarrje influencuese, apo kur vëertetohet se të paktën njëri nga themeluesit është në ndjekje penale ose është dënuar nga gjykata me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ose që lidhet me pastrimin e parave ose me financimin e terrorizmit. Licencimi mund të refuzohet kur kompania ka një strukturë komplekse të pronësisë dhe kontrollit, që vështirëson verifikimin e përfituesve dhe kontrolluesve fundorë apo në rastet kur aksioner është një institucion financiar guaskë. Madje, Bankës së Shqipërisë i njihet e drejta të refuzojë licencimin bazuar edhe në konsiderata më të përgjithshme, për shembull në rastet kur vlerëson se institucioni paraqet rrezik të lartë apo kur gjykon se dhënia e licencës në çdo rast kur gjykon se licencimi i subjektit do të cenonte interesat e publikut. Afati i licencimit (ose refuzimit) i parashikuar në rregullore do të jetë tre muaj nga data e pranimit të kërkesës.

LEXO EDHE:  Twitter lançon një abonim për përdoruesit me pagesë

Institucionet aktuale të licencuara për shërbimet e pagesave do të kenë kohë deri në 2 korrik 2022 për të organizuar veprimtarinë dhe strukturat e tyre në përputhje me kërkesat e kësaj rregulloreje dhe të ligjit “Për shërbimet e pagesave”.

Vetëm këtë vit, Banka e Shqipërisë ka licencuar tre institucione të reja si emetues të parasë elektronike. Së fundmi, janë licencuar si institucione të parasë elektronike kompanitë Rpay dhe eReja, ndërsa në fillim të këtij viti ishte licencuar për të njëjtën veprimtari edhe kompania Paysera Albania. Me kompanitë e licencuara këtë vit, numri total i institucioneve të parasë elektronike arrin në gjashtë, duke iu shtuar subjekteve ekzistuese Union Financiar Tiranë, Posta Shqiptare dhe Easypay.

Deri në miratimin e rregullores së posaçme këtë muaj, licencimi i institucioneve të pagesave është bërë sipas një rregulloreje të vitit 2013, ku përfshihen të gjitha institucionet financiare jobanka. Me zhvillimet e shpejta në sektorin e pagesave në vitet e fundit dhe sidomos pas miratimit të ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave” është shtruar nevoja që licencimi i këtyre institucioneve të bëhet mbështetur në një rregullore të posaçme.

/Monitor