Lajmet

Misioni i platformës iAvokat është të inovojë industrinë e shërbimeve ligjore në Shqipëri dhe Kosovë

Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 19 Shkurt 2020
0
Në këtë intervistë për PCWorld.al, CEO i startupit që shkoi në finalen e Uplift Albania, Atdhe Lila ndan eksperiencat e tij dhe motivimin pas themelimit të një platforme të tillë. Misioni i platformës iAvokat është të inovojë industrinë e shërbimeve ligjore në Shqipëri dhe Kosovë

iAvokat është një startup teknologjik ligjor i cili ofron shërbime ligjore për SME në Shqipëri dhe Kosovë. Platforma premton të ofrojë akses shpejtë dhe të lehtë në shërbime me kosto të ulët të cilat përfitohen online.

Misioni i startupit është tu ofrojë shërbime këtyre SME-ve dhe jo vetëm por edhe të rrisë punësimin e juristëve, avokatëve dhe të inovojë industrinë e shërbimeve ligjore në vend.

Në këtë intervistë për PCWorld.al, CEO i startupit që shkoi në finalen e Uplift Albania, Atdhe Lila ndan eksperiencat e tij dhe motivimin pas themelimit të një platforme të tillë.

PCWA: Çfarë ju motivoi të themelonit një platformë si iAvokat?

Platforma iAvokat është themeluar që t’iu ndihmojë ndërmarrjeve në Kosovë dhe Shqipëri me sfidat e tyre ligjore, duke iu ofruar një alternative më efikase, me qëllim që këto të mund të zhvillojnë bizneset e tyre më tutje.

Me të vizituar uebsajtin e iAvokat ballafaqohemi me një mesazh “fillojmë së shpejti”. A mund të elaboroni më në detaje rreth asaj çfarë po vjen?

Versioni Beta i platformës është zhvilluar, e kemi të vendosur në një domain tjetër dhe jemi duke e testuar me përdoruesit tanë. Në ndërkohë të dhënat dhe komentet që jemi duke i mbledhur nga këta përdorues jemi duke i analizuar dhe po i shfrytëzojmë që të zhvillojmë versionin e ri të platformës.

PCWA: Çfarë ofron kjo platformë; Ku do të jetë i disponueshëm shërbimi i saj; Çfarë kostoje do të ketë?

iAvokat ofron shërbime ligjore të përshtatura për nevoja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në tregun e Kosovës dhe të Shqipërisë. Për fillim, zyrat tona do të jenë në Prishtinë dhe më pas synojmë që të jemi prezent dhe në Tiranë. Në platformën tonë mund të qasen të gjitha ata që janë të interesuar të zhvillojnë ndërmarrësi në Kosovë dhe Shqipëri. Synimi ynë është që të ofrojmë shërbimet tona me një kosto sa më të volitshme.

LEXO EDHE:  WhatsApp padit kompaninë që i depërtoi enkriptimin fundor

PCWA: Si do të ofrohet shërbimi konkretisht dhe Pse njerëzit duhet të zgjidhin iAvokat?

Shërbimet do të ofrohen fizikisht por dhe online. Shërbimet tona kanë çmime të volitshme, ofrohen në kohë rekord dhe ofrojmë konsulencë dhe kujdes ndaj konsumatorit 24/7.

PCWA: Mund të na thoni më shumë rreth ekipit të iAvokat?

iAvokat përbehet nga një ekip i vogël: dy themelues të cilët operojnë si CEO dhe CTO me përvojë në fushën ligjore dhe në IT dhe kanë përvojë globale në këto fusha; një jurist, një junior developer, po ashtu përbëhet nga dy këshilltar të fokusuar në Sales dhe Marketing.

PCWA: Disa statistika që favorizojnë hyrjen në treg të shërbimit inovativ të iAvokat?

Është kompania e parë e këtij lloji dhe e para që ofron këso shërbime online. Statistikat tregojnë se tregu ynë po përqendrohet gjithmonë e më shumë në ndërmarrësi.

PCWA: Pse vendosët ti bashkoheshit Uplift dhe si e përshkruani këtë eksperiencë?

E konsideruam hapin e duhur për zhvillimin e mëtutjeshëm të udhëtimit tonë, po ashtu e pamë si mundësi që të mësojmë më shumë për tregun e Shqipërisë. Përvojën e fituar në Uplift e vlerësojmë si shumë pozitive, përveç që mësuam shumë, patëm rastin të njihemi me disa nga ndërmarrësit dhe ekspertët më të mirë në Shqipëri dhe Kosovë; si dhe krijuam miqësi të mira me miqtë tanë nga programi.

PCWA: Çfarë sfidash keni hasur ose e presin iAvokat?

Tregu ynë nuk ka mjaftueshëm të dhëna, për shkak të kësaj na është dashur të shpenzojmë shumë kohë dhe energji që të hulumtojmë vet tregun. Momentalisht po synojmë të zgjerohemi dhe kjo presim që do të na paraqes sfida serioze por jo të pakalueshme.

LEXO EDHE:  Rrjeti Evropian satelitor i navigimit rikthehet në punë pas 6 ditësh ndërprerje

PCWA: Cilat janë planet tuaja për zgjerimin e mëtejshëm të platformës në aspektin e shërbimeve por edhe disponueshmërisë?

Kemi shumë planë dhe objektiva përpara vetes, po synojmë ti arrijmë një nga një. Për shumë, ia lëmë kohës! /PCWorld Albanian