Biznes

Ndarja e tregut celular: ONE u rrit edhe në 2021, bien Vodafone dhe ALBtelecom

Nga: PCWorld
Publikuar , 24 Maj 2022
Ndarja e tregut celular: ONE u rrit edhe në 2021, bien Vodafone dhe ALBtelecom

Tregu i telefonisë celulare vitin e kaluar shënoi një xhiro totale prej 24.5 miliardë lekësh ose rreth 202 milionë Eurosh.

Tregu u rrit me 3% krahasuar me një vit më parë dhe në masën dërrmuese erdhi nga operatori i dytë në treg, One Telecommunications. Vodafone Mobile shënoi një rritje shumë të vogël, ndërsa ALBtelecom pësoi rënie të mëtejshme të xhiros, çka bëri që të dyja kompanitë të humbasin pjesë tregu gjatë vitit të kaluar.

Edhe për vitin e kaluar, Vodafone Mobile ishte operatori më i madh për nga xhiroja e realizuar nga shërbimet e komunikimeve elektronike, me 12.73 miliardë Lekë, ose rreth 105 milionë Euro. Krahasuar me një vit më parë, xhiroja e Vodafone Mobile është rritur me vetëm 0.3%. Pjesa e tregut e Vodafone, e matur sipas totalit të të ardhurave, ka rënë në 51.9%, nga 53.1% që kishte qenë një vit më parë.

ONE renditet si operatori i dytë më i madh për nga xhiroja edhe gjatë vitit 2021, me një total prej 8.69 miliardë Lekësh, në rritje me 7.9% krahasuar me një vit më parë. Pjesa e tregut të ONE sipas xhiros arriti vitin e kaluar në 35.4%, nga 33.7% që kishte qenë në vitin 2020. Pas ndryshimit të pronësisë nga grupi grek OTE tek konsorciumi shqiptari-bullgar ATI, operatori ONE ka arritur rritje të ndjeshme të pjesës së tregut sipas të gjithë parametrave kryesorë, falë një programi investimesh për përmirësimin e cilësisë së rrjetit, por edhe falë projektit të rebranding (ndryshimit të markës).

ALBtelecom Mobile edhe vitin e kaluar u rendit i treti për nga xhiroja, me diferencë të ndjeshme me operatorët e tjerë. Të ardhurat nga shërbimet celulare kishin vlerën e 3.1 miliardë lekëve, në rënie me 1.7% krahasuar me një vit më parë. Pjesa e tregut e ALBtelecom zbriti më tej në 12.65%, nga 13.2% që kishte qenë një vit më parë.

LEXO EDHE:  Grupi shtetëror i telekomunikacionit në Emiratet e Bashkuara Arabe bëhet aksioneri më i madh i Vodafone

Vështirësitë për të fituar një pjesë të rëndësishme në tregun celular ishin një ndër faktorët kryesorë që përcaktuan performancën e dobët financiare të ALBtelecom dhe vendimin e grupit turk CETEL për ta shitur kompaninë.

Që nga muaji mars i këtij viti, ALBtelecom dhe ONE u blenë nga kompania hungareze 4iG. Shkrirja e afërt mes dy kompanive do të rrisë pjesën e tyre të tregut në 48%, duke ngelur gjithsesi ende poshtë Vodafone Mobile, të paktën bazuar mbi të ardhurat e realizuara gjatë vitit 2021. Megjithatë, përmasa më e madhe mund ta bëjë kompaninë e re që do të krijohet më kompetitive.

Tregu i telefonisë celulare ndodhet përpara kapërcimit të radhës në teknologji, në gjeneratën 5G. Ky proces parashikohet sfidues, për shkak të nevojës së madhe për investime të reja, ndërkohë që në vitet e fundit fitimet e tregut janë tkurrur ndjeshëm, për shkak të konkurrencës së ashpër dhe nevojës konstante për investime në kapacitetet teknike të rrjeteve.

/Monitor