Analiza

Ndarja me Facebook-un: Ku po shkojnë markat dhe të rinjtë

Publikuar , 14 Prill 2014
0
Ndarja me Facebook-un: Ku po shkojnë markat dhe të rinjtë

heartbroken“Do të donim të thoshim që nuk është faji yt, por i joni. Por, një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Faji është i gjithi i yti. Ti nuk je më ai rrjeti social me të cilin u dashuruam të gjithë disa vite më parë. Ke ndryshuar. Dhe shumë madje.”

Me këto fjalë e hap letrën e ndarjes me Facebook-un, Eat24. Ajo është një prej shumë markave që po e rishohin lidhjen që kanë me Facebook-un, teksa rrjeti social ndryshon herë pas herë algoritmin që prek shpëndarjen organike (numri i përdoruesve që shohin postimet e një faqeje në Facebook).

Sipas një studimi nga agjencia e reklamave Ogilvy, në vitin 2012 Facebook-u e kishte kufizuar shpërndarjen organike në rreth 16%. Dy vit më vonë, në shkurt 2014, kjo përqindje ka arritur në 2 – 6%, në varësi të numrit të fansave të një faqeje.

Kjo do të thotë se pavarësisht se faqja juaj mund të ketë miliona fansa, afërsisht 2% e tyre do t’i shohin postimet tuaja, nëse nuk paguani. Ajo që mund të ndodhë është se markat, duke marrë parasysh se duhet të shpenzojnë për t’ua shfaqur postimet e tyre përdoruesve, do të përpiqen të krijojnë postime që të kenë një kthim në investimin e tyre.

Pra, edhe postimet me pagesë do të bëhen gjithmonë e më tepër komerciale pasi qëllimi do të jetë investo për të fituar. Në fund të fundit, askush nuk dëshiron të shpenzojë para për investime që nuk do të kenë ndonjë vlerë fitimi në fund.

Me pak fjalë, do të fillojmë të shohim shumë reklama. Por, një gjë e tillë mund të penaalizojë bizneset e vogla të cilat mund të mos kenë buxhetin e mjaftueshëm për të investuar.

LEXO EDHE:  Apple ka shkelur tre patenta të Qualcomm thotë një gjykatë Amerikane

Disa përdorues argumentojnë se kanë paguar deri tani në Facebook me kohën e tyre. Për vite me radhë ata kanë postuar dhe kanë shpenzuar kohë për të rritur numrin e fansave të faqes. Reklamat janë një prej arsyeve se përse përdoruesit e moshave të reja po largohen nga Facebook-u. Teksa rritet numri i reklamave, shtohet numri i prindërve apo familjarëve në rrjetin social, përdorueshmëria e të rinjve do të bjerë.

Sipas një studimi nga iStrategy Labs, mbi 3 milionë adoleshentë amerikanë janë larguar nga Facebook-u që prej vitit 2007, ndërsa mosha mbi 55 vjeç ka pasur një rritje me 80%. Të gjithë e dimë se të rinjtë dhe adoleshentët nuk duan që statuset e tyre t’i shohin apo t’i komentojnë prindërit. Po ku po shkojnë realisht gjithë këta të rinj? Ata po preferojnë më tepër rrjetet sociale me foto siç janë Tumblr, Snapchat, Instagram, madje edhe Twitter. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>