Lajmet

Ndërgjegjësimi mbi sigurinë kibernetike

Nga: PCWorld
Publikuar , 04 Tetor 2021
Huawei dhe Women4Cyber Albania organizojnë worshopin me temë "Higjiena Kibernetike" Ndërgjegjësimi mbi sigurinë kibernetike

Duke qenë se siguria kibernetike është një nga prioritetet e kohës ku jetojmë, Huawei në Shqipëri organizoi workshop-in me temë “Higjiena Kibernetike”, në kuadër të zbatimit të nismës ndërkombëtare #Huawei4HER. Ky aktivitet u realizua në patneritet me Women4Cyber Albania, pranë ambienteve të gjimnazit “Eqrem Çabej” në Tiranë.

Higjiena kibernetike lidhet me formimin e rutinës së shëndetshme të përdorimit të teknologjive që sjell edhe mbrojtjen nga kërcënimet virtuale. Pikërisht ky ishte edhe qëllimi i organizimit të këtij workshop-i, për njohjen e këtyre koncepteve, këshillat për krijimin e saj dhe përfitimet e aplikimit të masave të sigurisë në situata të ndryshme. Nëpërmjet një moduli trajnimi të dedikuar posaçërisht për këtë temë, pjesëmarrësit u prezantuan me të gjitha këshillat e domosdoshme të sigurisë.

Të pranishëm në aktivitet ishin përfaqësues të pushtetit vendor dhe sistemit arsimor, të cilët theksuan rëndësinë e organizimit të takimeve të tilla në mjedisin dinamik që ofron teknologjia e informacionit dhe komunikimit.

Në fjalën e saj, kryetarja e Njësisë Administrative Nr.4, evidentoi se: “Bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe organizatave të shoqërisë civile për edukimin dhe orientimin e të rinjve drejt përdorimit të sigurt të mjeteve të teknologjisë digjitale është tejet i rëndësishëm. Ne shpresojmë të kemi edhe bashkëpunime të tjera të kësaj natyre në vazhdim”.

“Përdorimi i fjalëkalimeve të sigurta dhe ruajtja e informacioneve personale janë këshilla të cilat do t’i ndaj me bashkëmoshatarët dhe me prindërit e mi” – u shpreh Enisa, njëra prej pjesëmarrëseve. Gjithashtu, mësuesit e pranishëm në aktivitet e konsideruan shumë të vlefshëm organizimin e të tilla aktiviteteve, të cilat thellojnë njohuritë e pjesëmarrësve përtej kurrikulave mësimore.

Ky aktiviteti është pjesë e një serie aktivitetesh që do të organizohen në vazhdim. Në kuadër të tetorit, Muajit Europian të Sigurisë Kibernetike, Women4Cyber Albania do të realizojë disa takime me përfaqësues të sektorit të biznesit dhe akademisë për të promovuar aplikimin e masave me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë në sisteme dhe pajisje.

LEXO EDHE:  Blerja e ARM nga Nvidia mund të bllokohet

Huawei në Shqipëri operon prej vitit 2011 duke sjellë fjalën e fundit të teknologjisë digjitale për konsumatorët, bizneset dhe institucionet. Si një prej gjigantëve të teknologjisë botërore, kompania është ka ndërmarrë nisma të herëpashershme lidhur me ndërgjegjësimin për përdorim të sigurt të teknologjisë digjitale apo edhe ofrimin e zgjidhjeve novatore e të sigurta. Huawei do të vazhdojë të nxisë nisma të tilla edhe në vazhdim.

Më shumë informacion mund të gjeni duke ndjekur links më poshtë:

https://www.instagram.com/women4cyber_albania/

https://www.linkedin.com/company/women4cyber-albania/

Tags >

Huawei