Lajmet

Në Kosovë zhvillohet konferenca rajonale për IT-në

Sep 28 2012
0 Shpërndarje
Në Kosovë zhvillohet konferenca rajonale për IT-në

Për herë të parë në Kosovë mbahet konferenca rajonale KosICT për Teknologjinë e Informacionit. Kjo konferencë mblodhi më shumë se 150 vetë, midis të cilëve edhe ekspertë të teknologjisë së informacionit nga Kosova, por edhe jashtë saj.

Në këtë konferencë rajonale u mbajtën ligjërata me tema nga më të ndryshmet rreth Teknologjisë së Informacionit, si: roli i mediave shoqërore në zhvillimin e bizneseve, e-qeverisja, zgjidhjet mobile dhe bizneset me model të ri zhvillimi.

Konferenca filloi me fjalën përshëndetëse të përfaqësuesit të Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK). Të pranishmit i përshëndeti edhe Ministri i Administratës Publike, Mahir Jakgjillar, i cili foli për angazhimin e qeverisë së Kosovës në të kaluarën, si dhe projektet e saj për të ardhmen.

I ftuari special në këtë konferencë ishte Villu Arak, i cili është një këshilltar, ligjërues dhe sipërmarrës, që ndihmon bizneset lokale dhe ndërkombëtare dhe më parë ka drejtuar mobilerinë botërore të Skype-it dhe kishte shërbyer si bloger i ndërmarrjes. Në sesionin e parë me temë për e-qeverinë, ligjërues ishin: Arvo Ott, Blaz Golob, Driart Elshani dhe Flamur Mripa.

Zgjidhjet Mobile

Ky sesion filloi me Bent-Haakon Lauritzen, i cili është zhvillues biznesi për Biznesin Ndërkombëtar në Athinë. Ai përveç të tjerash tha që 66% e popullatës në Norvegji posedon smartfon, 33% tablet, si dhe 40% e kërkimeve të bëra në Google janë bërë me një smartfon. Ai theksoi që sistemi më i përdorur është Android me 39%, i ndjekur nga pas nga iOS me 37%.

Petar Svarc, i cili është menaxher i marketingut në Melon Mobile, foli për procesin e zhvillimit, si dhe solli shembuj të aplikacioneve të suksesshme lokale në Bullgari.

Ndërsa zhvilluesi nga Kosova, Milot Shala, u përpoq që të japë shpjegime rreth mundësive të shumta që mund të vijnë si rezultat i posedimit të aplikacioneve. Ai foli edhe për nevojën për zhvillim të aplikacioneve në gjuhën shqipe, që fatkeqësisht nuk janë në një nivel shumë të kënaqshëm.

Koordinatori i studimeve për e-qeverisje (aspektet e e-Qeverisë dhe e-Demokracisë), që ka ushtruar programet trajnuese dhe të menaxhimit të përgjithshëm, Arvo Ott, i ardhur nga Estonia, tregoi mes tjerash statistikat e e-qeverisjes në këtë vend. Sipas Arvo Ott, 76% e popullsisë në Estoni përdor internetin, 63% kanë kompjuter në shtëpi, prej të cilëve 82% e kanë internetit. Arvo Ott tregoi po ashtu që në zgjedhjet e vitit 2011, ishin 140 846 persona që kishin votuar përmes mënyrës elektronike dhe tregoi po ashtu që 94% e shfrytëzimit të shërbimeve bankare ditore realizohen online.

Ndërsa për të treguar për rëndësinë e njerëzve në krijimin e kushteve të përshtatshme për modernizim të një shoqërie, foli drejtori i qendrës për zhvillim të e-Qeverisjes në Evropën Juglindore, Blaz Golob, i cili tregoi se në fillim duhet të krijohet vizioni, duke shikuar nevojat e posaçme në vendet përkatëse.

Drejtori i Departamentit për e-Qeverisje në Qeverinë e Kosovës, Driart Elshani dha disa hollësi për këtë shërbim si dhe të projekteve që planifikohen të bëhen në të ardhmen. I pyetur gjatë seancës së konferencës nëse ka ndonjë bashkëpunim mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë sa i përket shkëmbimit të të dhënave, ai tregoi që Qendra e të Dhënave në Shqipëri është ende duke u krijuar, ashtu siç është duke ndodhur edhe me atë të Kosovës.

Sesioni i tretë ishte i përbërë nga Peter A. Bruck, Igor Skunca dhe Valon Canhasi.

Peter A. Bruck i cili është pronar dhe shefi hulumtues i Research Studios Austria Forschungsgesellschaft ,krahasoi bashkëveprimet mes mediave dhe njerëzve në aspektin historik. Ai tregoi se KosICT, megjithëse ishte një ngjarje e shkëlqyer, i mungonte gara rajonale për krijim të aplikacioneve.

Sipas tij, zhvillimi ekonomik i Kosovës mund të bëhet përgjatë cilësisë së produkteve dhe konferenca është vend i përshtatshëm për të krahasuar veten me të tjerët. Ai foli edhe për rëndësinë e pavarësimit të zhvillimeve të reja nga qeveria, duke treguar që dy të tretat e popullsisë varen prej saj. Sipas tij, prioritet i produktit duhet të jetë cilësia dhe çmimi nuk duhet të jetë shumë i ulët, por i arsyeshëm, i varur nga aplikacioni.

Ndërsa Igor Skunca pioneri i reklamimit në internet dhe shefi kreativ në HTTP Pool, foli përgjithësisht për praninë masive online të popullsisë në mbarë botën, duke prekur kështu një të tretën e popullsisë, prej së cilës, 55% përdorin mediat shoqërore. Ai tregoi që rrjetet shoqërore janë me rëndësi të madhe, pasi sipas disa hulumtimeve të bëra, vetëm 14% e reklamave tradicionale besohen, ndërsa 90% e reklamave në rrjetet shoqërore besohen dhe kjo krijon një rrugë të mirë për zhvillimin e bizneseve. Ai krahasoi të hyrat e Postës dhe Telekomit të Kosovës që ishin dhjetë herë më pak se të hyrat që i sjell ndërmarrjes Zynga loja Farmwille.

Valon Canhasi, i cili është themeluesi i makinës për kërkime lokale, Hallakate.com, i cili përveç të tjerash dha disa statistika lokale, duke treguar për një qasje mjaft të madhe të kosovarëve në rrjete shoqërore. Ai tregoi gjithashtu që në Kosovë janë rreth 1.5 milionë telefona mobilë, janë gati 500 mijë smartfonë, 500 mijë përdorues të internetit, ku rreth gjysma e tyre përdor rrjetin Facebook, janë 1.4 milionë karta krediti dhe çdo ditë kryhen rreth 60 mijë veprime bankare në Kosovë.

Roli i rrjeteve shoqërore në zhvillim e biznesit

Një aspekt i rëndësishëm i punimeve të konferencës rajonale për Teknologjinë e Informacionit ishte ndikimi dhe roli që kanë rrjetet shoqërore ne zhvillimin e biznesit.

Ekpsertët Goran Milanov, Berislav Lopac dhe Driton Hapçiu, ligjëruan rreth kësaj tematike.

Goran Milanov i cili është këshilltar në ndërmarrjen CenterMine tregoi se është me rëndësi që të zhvillohen produkte dhe rregulla të cilat mund të mirëpriten në treg.

Ndërkohë për Berislav Lopac, inovacioni është i rëndësishëm të jetë gjatë tërë kohës dhe jo vetëm gjatë një pjesë, si dhe: nismat janë R&D, ku R&D paraqet Hulumtimin dhe Zhvillimin.

Driton Hapçiu, i cili është njëri nga themeluesit e ndërmarrjes CACTTUS u shpreh që me rëndësi është të mos bëhet përqendrimi në atë që e kërkon konsumatori, por udhëheqësit e një biznesi duhet të përqendrohen në zhvillimin e produktit me ata komponentë që mund të jenë të nevojshëm për konsumatorin dhe sipas tij nuk duhet të bëhet ndërrimi i biznesit, por vetëm i modelit.

Sipas organizatës STIKK, konferenca pritet të jetë vjetore, ndërsa hollësitë ende nuk janë bërë të ditura. PCWorld Albanian ishte sponzor i këtij evenimenti. (PC World Albanian)

Lajmet e fundit>