Lajmet

Në Kosovë, ofrohen deri në 5.000 euro për një Nokia 1100!

Publikuar , 10 Korrik 2010
0
Në Kosovë, ofrohen deri në 5.000 euro për një Nokia 1100!

Nokia 1100 është një model i prodhuar në fund të vitit 2003 dhe ka disa funksione bazë që e bëjnë një celularë të dobishëm për përdoruesin e thjeshtë. Normalisht ka një çmim të lirë ka variruar prej 30 deri në 50 euro, por kështu nuk është më.

Por kohëve të fundit në Kosovë ky model specifik është bërë i shumëkërkuar dhe për të po ofrohen sasi të mëdha të të hollave. Për çudi një model të tillë nuk mund ta gjesh as në dyqane të celularëve, që është një argument shtesë për çmimin që po ofrohet për të.

Burime të PCWorld Albanian kanë bërë të ditur se një celular i tillë tani për tani kërkohet në tregun e Kosovës për një shumë prej 500 deri në 5000 euro, e ka të tillë që thonë se ofertat mund të jenë edhe më të mëdha. Por burimet tona nuk kanë dashur të komentojnë arsyen se pse po kërkohet me një çmim aq marrmendës ky model.

Ky model që nuk prodhohet më nga Nokia, nëpër botë kërkohet me çmime edhe më të larta. Madje në vitin 2009 kërkesat për të kanë arritur deri në 32.000 dollarë për një model të tillë, por kërkohej vetëm një model specifik i prodhuar në Bochum të Gjermanisë. Sipas dyshimeve të asaj kohe që ende qarkullojnë thuhet se modelet e prodhuara në gjermani kanë një lëshim në softuer që e bëjnë të mundur keqpërdorimin e llogarive bankare, duke anashkaluar sigurinë e tyre. Si të tillë këto modele u bënë shumë të kërkuara nga grupet kriminale në veçanti nga Rusët, Marokenët dhe Rumunët, që kanë shprehur intersimin për të blerë një model të tillë.

LEXO EDHE:  SHBA padit Snowden për librin e tij

Për shembull në Holandë apo Gjermani, llogaritë bankare online dërgojnë një SMS për të dërguar atë që është e njohur si kodi TAN për vërtetim të identitetit. Por kur një kriminel fut duart në një Nokia 1100 atëherë ai mund ta përdorë lëshimin në softuer që mundëson pranimin e thirrjeve nga çfarëdo numër për të vjedhur detajet bankare dhe për të pasur qasje të plotë në atë llogari. Më pas të gjitha të hollat e klientit janë në duart e pronarit të Nokia 1100.

Si rezultat i kësaj duket se ofertat e çmendura për të janë paraqitur sërish në skenë. Ka supozime se hakerët Kosovar janë duke ofruar këto shuma të mëdha të hollash për të keqpërdorur në të njëjtën mënyrë llogaritë bankare, por ende nuk ka ndonjë rast të lajmëruar për ndonjë lloj keqpërdorimi të tillë.

Në anën tjetër një hakerë nga Kosova me pseudonimin boom3rang ka deklaruar për PCWorld Albanian se edhe ai është në dijeni për diçka të tillë.

“Po kohë më parë një person më pyeti nëse posedojë një model të tillë (Nokia 1100), dhe tha se do të më pagunate 1000 euro për të. Unë pasi nuk e kisha në pronësi këtë celularë thjeshtë për kurreshtje u bëra kinse e kam por i kërkova në vend të 1000 euro, 5000 euro. Më besoni kur ju them, ai ishte i gatshëm të paguante këtë shumë të parave” theksoi ai.

Boom3rang, më pas bëri të ditur se ka marrë një shpjegim të shkurtër për atë se pse po vlerësohet kaq shumë ky celularë dhe ai ka marrë një përgjigje shumë të thjeshtë që dallon pak prej asaj që u tha më lartë.

LEXO EDHE:  Microsoft krijon të folur reale me inteligjencën artficiale

“Disa celularë të këtij modeli 1100 (padyshim që bëhet fjalë për modelet e prodhuara në Bochum të Gjermanisë), kanë një lëshim në softuer që nuk i ofron mundësinë askujt të bëjë vëzhgimin apo përcjelljen e celularit. Si të tilla, këto modele shfrytëzohen në mas të madhe nga gruept kriminale apo nga rrjete të ndryshme terroriste, që ishin të gatshme të paguajnë për këtë pajisje dhe ofertat e tyre kapin shifra prej 25.0000 deri në 30.000 dollarë”.

Sipas tij, kjo është edhe arsyeja kryesore pse po kërkohen këta celularë, në Kosovë dhe nëpër vendet e tjera të botës. 

PCWorld Albanian ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës dhe disa banka, por asnjëra prej tyre nuk dha ndonjë koment në lidhje me këtë gjë.

Çfarë mendoni ju lexues të PCWorld Albanian? A ju ka ndodhur të ju kërkojë ndokush një Nokia 1100? Apo më mirë thënë a keni ndonjë mendim tjetër mbi atë se pse po ofrohen kaq shumë para për një model të tillë?

Lajmet e fundit>