Lajmet

New York Times dhe Twitter hakohen nga grupi sirian

Publikuar , 29 Gusht 2013
0
New York Times dhe Twitter hakohen nga grupi sirian

Kompani mediatike, përfshi New York Times, Twitter dhe Huffington Post, kanë humbur kontrollin mbi uebfaqet e tyre gjatë ditës së martë për shkak të hakimeve që janë bërë nga persona të cilët mbështesin qeverinë siriane.

Ushtria Elektronike Siriane (Syrian Electronic Army (SEA) janë një grup hakerësh të cilët kanë sulmuar media, të cilat, në vizionin e tyre, shprehen kundër presidentit sirian Bashar al-Assad. Grupi e ka marrë përsipër vetë hakimin.

Ekspertët e sigurisë u shprehën se faqja e NYTimes.com, e cila qëndroi e sulmuar për orë me rradhë, i ridrejtonte vizitorët në një server të kontrolluar nga grupi sirian. Sulmi mbi Huffington Post konsistonte vetëm në platformën e blogut të faqes.

Twitter, nga ana tjetër, u shpreh se hakimi solli vetëm disa probleme me disponueshmërinë për rreth 90 minuta. Asnjë informacion në lidhje me përdoruesit nuk është cënuar.

Sulmet erdhën menjëherë pasi adminstrata e Obamës po konsideron një ndërhyrje ushtarake kundër qeverisë siriane, e cila është përfshirë në luftë civile kundër rebelëve prej më tepër se dy vitesh tashmë.

Në muajin gusht, hakerët e Ushtrisë Elektronike Siriane, shenjëstruan uebfaqe të CNN, Time dhe Washington Post duke sulmuar shërbime të palëve të treta që përdoreshin nga këto faqe.

Grupi ka arritur të marrë kontrollin e faqeve duke hyrë në MelbourneIT, një ofrues shërbimesh interneti australian që shet dhe menaxhon emra domeinesh përfshi Twitter.com dhe NYTimes.

Vetë kompania u shpreh se dy nga pjesëtarët e stafit të një prej rishitësve të tyre hapën një e-mail të rremë që kërkonte detaje mbi hyrjen në sistem. Një prej tyre ishte menaxheri i domeinit të NYTimes.

MelbourneIT është shprehur se ka rivendosur opsionet e duhura të emrit të domeineve, ka ndryshuar fjalëkalimet në llogaritë e prekura nga sulmi si dhe ka marrë masa për të parandaluar sulme të tjera. (PCWorld Albanian)

LEXO EDHE:  Një qytet në Florida detyrohet tu paguajë hakerëve 600,000 dollarë në bitcoin

twiter

Lajmet e fundit>