Lajmet

Njihuni me axhendën e Software Freedom Kosova 2013

Publikuar , 31 Gusht 2013
0
Njihuni me axhendën e Software Freedom Kosova 2013

software freedom KosovaEdhe pak ditë na ndajnë nga mbajtja e konferencës më të madhe për softuer të lirë dhe të hapur në Ballkan, Software Freedom Kosova.

Tani është bërë e ditur edhe axhenda e paraparë, si dhe lista me ligjëruesit pjesëmarrës në këtë konferencë.

Ashtu siç ju kemi lajmëruar më parë, këtë vit kur mbahet për herë të pestë me radhë, konferenca SFK do të ketë dy bootcamp, për të cilët duhet të bëhet regjistrimi, të cilët mbahen më 7 dhe 8 shtator, ndërsa konferenca (pra pa anë praktike) mbahet më 9 shtator, për të cilën nuk është i nevojshëm regjistrimi paraprak.

Axhenda është bërë e ditur nëpërmjet një aplikacioni të zhvilluar për Android, nga dy anëtarë të shoqatës FLOSSK, e cila njëherësh është edhe organizator i kësaj ngjarje madhore, Arlind Hajredinaj dhe Jeton Ahmetaj.

Në aplikacion, të cilin mund ta shkarkoni këtu, përveç të tjerash është paraqitur axhenda për tri ditë sa do të mbahet konferenca, lista e ligjëruesve, si dhe adresa e vendit ku mbahet kjo konferencë. Në mesin e pjesëmarrësve janë dhjetëra folës, duke përfshirë këtu folës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Britania e Madhe dhe më gjerë. Ligjëruesit do të flasin për tema nga më të ndryshmet, ku përqendrimi më i madh do të jetë për temat në lidhje me cloud, mbrojtjen e të dhënave etj.

Temat që janë parashikuar të trajtohen këtë vit janë:

Workshopi i parë:

Uebi i hapur mobil, ku ligjërues do të jetë Alex Lakatos, Komunitetet lokale dhe roli i tyre në softuerin me burim të hapur nga Fehmi Dumani, OGP: Çfarë do të mund të nënkuptonin për Kosovën nga Arianit Dobroshi, Hapësirat e hakerëve dhe inovacionet e tyre të shpërndara dhe kombinuara me WMKIT nga Redon Skikuli, Mbrojtja e të Dhënave: Mësimet e fituara nga Hekuran Doli, Ndryshoni botën duke i bërë të tjerët të lumtur me softuer të lirë nga Tim Dobson, Freelancing nga Ballkani nga Baki Goxhaj, Pengesat e bukurisë së shpërndarjes së kodit dhe kodimi me qeveri nga Arbnor Hasani, Shkallëzimi i cloudit nga Bert Desmet, VoxPolitico nga Visar Shehu dhe Ardian Besimi, Arritja e FOSS-it nga Ana Risteka dhe Jovanka Guliscoska.

LEXO EDHE:  Pavarësisht bllokadës Amerikane Huawei prezantoi dy telefonë të rinj

Gjatë ditës së dytë axhenda është kjo: EmberJs – ndërtimi i aplikacioneve të pasura me stil nga Flamur Mavraj, Sistemi operativ Firefox nga Alex Lakatos, Sillni uebin në video nga Robert M. Ochshorn, Si të ndërtoni një profil në Drupal nga Dashamir Hoxha, Të dhëna të hapura në dhe për shkolla nga Marco Fioretti,

Ditën e tretë janë këto tema: Një ueb më i shkëlqyer me HTML5/CSS3 nga Vleran Dushi, Zhvillimi në WordPress dhe i template-ëve nga Burim Shala dhe WMKIT Arduino workshop: Mësoni elektronikën dhe programimin me lehtësi nga Redon Skikuli.

Për dallim nga vitet e kaluara, Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” këtë vit do të jetë vendi do të mbahet kjo konferencë. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>