Lajmet

Njihuni me dizajnin e ri të Twitter

Publikuar , 09 Prill 2014
0
Njihuni me dizajnin e ri të Twitter

twitter-new-lookNë përpjekje e sipër për të paraqitur më mirë profilin e përdoruesit dhe publikimet e tij, Twitter ka vendosur të ridizajnojë faqen e vet. Dizajni i ri, i cili ka qenë i disponueshëm për një grup të caktuar përdoruesish që prej ditës së martë, është përshtatur në mënyrë të tillë që përdoruesi dhe statistikat e Twitter-it të shfaqen në krye të faqes.

Tashmë është e mundur që të vendosni edhe një foto më të madhe profili. Në krye të faqes ju do të keni mundësi të shihni numrin e cicërimave të postuara, numrin e fotove/videove të publikuara, numrin e personave që ju ndiqni dhe numrin e ndjekësve të profilit tuaj në këtë rrjet social.

Për më tepër, ju mund të nxirrni më në pah një prej cicërimave tuaja duke e veçuar atë në krye të faqes. Gjithashtu është e mundur që të filtroni cicërimat e publikuara nga të tjerët duke përzgjedhur opsionin që të shihni vetëm statuse, statuse të shoqëruara me foto/video ose statuse së bashku me përgjigjet e tyre.

Me ndryshimet e reja në dizajn, duket sikur faqja e Twitter është shumë e ngjashme me atë të Facebook. Disa elementë që të krijojnë këtë përshtypje janë paraqitja e fotos kopertinë si dhe shfaqja e informacioneve më të rëndësishme pranë saj.

Dizajni i ri përfaqëson një ndryshim dramatik të uebfaqes së Twitter, por zakonisht këto tipe ndryshimesh nuk priten gjithnjë me kënaqësi. Ka të ngjarë që në vazhdim të ketë ankesa nga ata përdorues që preferonin dizajnin e mëparshëm.

Twitter ka deklaruar në blogun e vet se përdoruesit e rinj të këtij rrjeti do të kenë mundësi të shohin dizajnin e ri sapo të regjistrohen, ndërsa përdoruesit ekzistues do të prezantohen me të në javët në vazhdim. (PCWorld Albanian)

LEXO EDHE:  Twitter fushatë kundër llogarive të lidhura me qeverinë Iraniane

Lajmet e fundit>