Analiza

Njoftime.com – shërbim ku vetëm nuse nuk mund të gjeni

Publikuar , 25 Shkurt 2010
0
Njoftime.com – shërbim ku vetëm nuse nuk mund të gjeni

Përmes saj ju mund të bëni publikim, kërkim për oferta, për punë, shtëpi, makinë, artikuj, mallra, shpallje, shitblerje, tenderë etj… apo edhe thjesht për prezantimin e shërbimit, biznesit apo produkteve në një treg sa lokal aq edhe internacional.

Pozita e saj në treg

Sipas Google Analytics, gjatë periudhës 2004-2009, njoftime.com numëronte 988.654 përdorues, mbi 29.000 persona/subjekte të regjistruar, që shfrytëzojnë funksionet e sistemit. E, sipas të gjitha gjasave, ky shërbim ka tendenca për rritje të vazhdueshme falë edhe përhapjes në masë të internetit. Momentalisht mbi 9.000 lexues investojnë ~ 7 minuta në ditë për t’u njohur me ofertat për t’i krahasuar ato, pa qenë nevoja të dalin nga zyra apo banesa. Shumë prej tyre edhe në lëvizje e sipër me laptop apo pajisje të ngjashme me iPhone. Në anën tjetër, Alexa.com e rreshton ne TOP 10 të faqeve shqiptare.
Për dallim nga mediat e tjera, si shtypi on-line, që vizitohet në pjesën më të madhe nga diaspora, kërkuesit e njoftime.com vijnë mbi 90% nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Mënyra e funksionimit të sistemit

Sistemi është mjaft i shpejtë dhe ka një ndërfaqe të thjeshtë dhe të lehtë për orientim; kategorizime të shumta që orientojnë shumë mirë vizitorin në atë që po kërkon, sisteme abonimi, etj. Funksionet për kërkim preciz, në dallim nga motorët kërkues, ofrojnë lehtësi për të gjetur ofertën në një mori prej mijëra syresh, krijimi i mundësive për të kompozuar lehtë, ofertat me tekst+foto apo video, e bën këtë media shumë të favorshme për t’u informuar në hollësi brenda pak minutash. Sa u përket shërbimeve, çdo publikim i ofertave, evenimenteve, faqe të verdha, kërkime, etj bëhet nga çdo përdorues vetë (sipas filozofisë së vetëshërbimit, Do it yourself!). Sistemi është i hapur dhe pa pagesë, por ka edhe shërbime që janë me pagesë, të cilat cilësohen si shërbime të veçanta, ku përfshihet ndërtimi apo transmetimi i spoteve reklamuese (bannera), kompozimi i fushatave apo ofertave nga specialistët e stafit ose abonimi i rubrikave nga subjektet që e përdorin rregullisht sistemin për publikim, e shumë gjëra të tjera. PC World Albanian ka arritur të kontaktojë me stafin prapa njoftime.com dhe si rezultat ka dalë një intervistë shumë e këndshme për lexuesin.

LEXO EDHE:  Pse telefonët tanë kanë nevojë për më shumë se një kamër?

PC World Albanian: Si lindi ideja për të themeluar njoftime.com? Beni: Ideja fillestare ishte aty nga viti 1997, për ndërtimin e një web-katalogu shqiptar, kryesisht me linqe dhe materiale. Megjithatë, kjo ngeli vetëm në letër. Puna si programer në grupin scout24, në vitin 2003, më ngacmoi të krijoja një sistem të ngjashëm si ai gjerman. Por i vetëm e kuptova se edhe ky projekt do përfundonte si i pari.

PC World Albanian: Kush ishin iniciatorët e parë?
Beni: Në pranverë të vitit 2003, një mbrëmje ishim ulur në Paulaner Birgarten (Munih), më kujtohet si sot. Skicuam në një letër A4 planin e ndërtimit të sistemit. Ishim 4 veta: unë, Rezarti, Christina dhe profesor Hermann Huber. Christina dhe Hermann vendosen të jepnin kapitalin fillestar, më shumë në formë basti. Bëhet s´bëhet! Pak më vonë u bashkua edhe ing. Genci nga Londra, i cili tani koordinon punët në Tiranë, dhe Genta, në atë kohë studente për Linguistikë-Informatike në Verona. Mbi 1 orë atë mbrëmje u diskutua vetëm për emrin. Problemi ishte të gjendej një emër që nuk duhet të ishte më i gjatë se 8 shkronja. Nuk duhet të kishte shkronjat ë dh ç, duhej të ishte sinonim për të gjitha trevat shqipfolëse. Pati disa propozime, si shpallje, lajmërime, oferta, treg, por “konkursin” e fitoi njoftime. Tani problem ishte përzgjedhja e softuerit. Rezarti studionte për Informatikë Ekonomike. Ndërkohë ai punonte si moderator vullnetar, te forumishqiptar. Ai parashtroi disa argumente pro një sistemi CSM, që ishte intuitiv dhe i kapshëm nga përdoruesit në atë kohë në Internet. Por ne kishim studiuar përparësitë dhe dobësitë që kishin sistemet ekzistuese. Ne nuk ishim të parët, më kujtohen pionieret e sistemeve on-line si: shpallje.com (Kosovë), ofertapune.com (Kosovë), ofertasuksesi.com (Kosovë), shekulli.com.al/shitblerje apo biznesi.com.al/punesime (Abissnet Tiranë), guida-shqiptare.net (Colomboalb Tiranë), e disa të tjerë… (sot janë bërë disa dhjetëra… dhe do të shtohen akoma). Në Tiranë botohej prej disa vitesh gazeta Çelësi. Pra, ishte krijuar një kulturë e re në fushën e publikimit të njoftimeve. Por ne menduam se kishte vend për zhvillim e kësaj fushe. Grupi fillestar u zgjerua shumë shpejt. Rezarti u njoh me profesor Gëzimin, gjatë një udhëtimi 3 orësh me tragetin La Vikinga. Rezarti: Përmes Gëzimit u njohëm me inxhinier Hasan Deden e prej atij me Shoqatën Miqësia, drejtuesit e së cilës ishin në moshë dhe nuk ishin ulur kurrë para kompjuterit.

LEXO EDHE:  Gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut, fushëbetejë mes kundërshtarëve politikë

E megjithatë nuhatën diçka pozitive dhe na u bënë krah në Tiranë.
Të gjithë vazhdojmë të punojmë në mënyrë vullnetare dhe të pavarur, por shumë mirë të koordinuar.
Interneti na e jep këtë mundësi të mrekullueshme.
PC World Albanian: Si jeni mirëpritur nga tregu?

Kledi
: Në fillim ishim të lumtur kur kishim 5-6 regjistrime në muaj. Por kjo fazë u tejkalua brenda vitit. Google na pa me sy të mirë. Ndërkohë në vitet e fundit me shtrirjen e internetit në masë, rritja është e pakrahasueshme.

Beni
: Kledi bëri një studim në janar dhe rezulton që volumi tregtar te njoftime.com ishte në këtë muaj gati 600 milionë euro. Pjesa dërrmuese në fushën imobiliare dhe truall.

PC World Albanian: Sa përdorues i keni nga Kosova, Shqipëria, Maqdonia, etj.? Kledi: Rreth 9% vijnë nga Kosova dhe diku 2% nga Maqedonia, mbi 70% nga Shqipëria. Si duket, tiranasit e përkrahën më shumë sesa prishtinasit apo shkupjanët. Sidoqoftë, ne po punojmë për të rritur përdoruesit nga të gjitha trevat, sidomos nga rrethet dhe zonat e skajshme. Tregu shqipfolës është i vogël dhe i ndarë me vargmale, Interneti na jep mundësi ta zgjerojmë këtë treg. Ne jemi në kërkim të vazhdueshëm të partnerëve dhe distributorëve në Kosovë e Maqedoni. Për çdo rekomandim dimë të jemi mirënjohës.

PC World Albanian: A mendon se këto lloj shërbimesh e ndihmojnë klientin/biznesin të gjejë atë që kërkon?

Beni:
Ky ishte dhe mbetet edhe motivi ynë bazë: të krijosh diçka të dobishme për tregun, biznesin, konsumatorët dhe klientët. Shpesh na dërgojnë edhe e-maile falënderimi. Në verë isha për një vizitë pune në Tiranë. Më mbeti në kujtesë takimi me Erjonin (menaxher në një firmë të madhe shërbimesh në Tiranë). Unë me katalog në dorë nisa t’i shpjegoja për disa minuta shërbimet dhe përparësitë që ofron Interneti dhe njoftime.com. Pasi më dëgjoi, filloi të qeshte dhe më thotë: “Këtë pozitë që kam e gjeta te njoftime.com. Fillimisht aty gjeta një kurs special dhe intensiv për Informatikë, e më pas edhe punën.”
”Më ke borxh një kafe”, i thashë Erjonit. “Se më lodhe duke të të shpjeguar kot!” Përjetime të ngjashme pata pothuajse në çdo takim. Dikush tregonte si kishte gjetur ambientin e biznesit, makinën, shtëpinë etj… Vetëm nuse nuk gjen dot tek njoftime.com.

LEXO EDHE:  Përdorimi i Marketingut Digjital në përgjithësi dhe Rrjeteve Sociale në veçanti

PC World Albanian: Çfarë do të sjellë e ardhmja për njoftime.com?
Rezarti: Ne punojmë për t’u rritur edhe më tej. Potenciale ka për deri në 10 herë më shumë sesa sot. Koha po punon në këtë drejtim. Në mos ne, dikush tjetër, por drejtimi është i qartë. Por eksperienca dhe rrjeti që kemi krijuar është një bazë e shëndoshë për të zhvilluar edhe produkte të reja. Ne e shikojmë me vëmendje zhvillimin. Jeta on-line, ecën me ritme shumë herë më të shpejta sesa nëpër rrugicat, rrugët apo edhe autostradat.

Beni: Kur ne planifikonim njoftime.com në letra A4, kompani si NetScape, AOL, Excite ishin titanike.
Sot ato u parakaluan nga Google… brezi i ri ndoshta nuk i njeh fare. Brenda pak vitesh lulëzuan emra të rinj si facebook, twitter apo monster, mobile, scout24 etj. Kështu që kohë për të mbështetur shpinën në karrige dhe për vetëkënaqësi nuk do të ketë. Në fillim menduam se me maksimumi 5 vjet pune dhe çdo gjë u krye, por nuk qenka kollaj! Do të na duhet shumë punë dhe në shumë drejtime, si në fushën teknologjike ashtu edhe në atë me të vështirën,në fushën psikologjike të tregut. Njoftime.com do të vazhdojë t’i përkushtohet tregut dhe mentalitetit specifik shqipfolës.

Kledi: Për fat të keq, kompanitë e mëdha ndërkombëtare ende nuk kanë vënë lapsin mbi hartat dhe zonat tona. Kështu që, si dikur, do vazhdojmë me forcat tona dhe energjitë e brendshme. Perspektivë shohim në fushën e ndërmjetësimit mes biznesit dhe investitorëve si dhe në fushën e marketingut të targetuar.

PC World Albanian
: Diçka për lexuesit e PC World Albanian…
Beni: Njihem prej kohësh me revistën tuaj me shirit të kuq e shkronja të bardha. Përgëzime dhe punë të mbarë në të mirë të lexuesve të etur për teknologjinë dhe informatikën.

Arben Moko (Beni), Kledia Kumbaro (Kledi), Rezart Mako (Rezarti) dhe Genc Xhamallati janë kokat prapa shërbimit njoftime.com.

Lajmet e fundit>