Harduer

Nokia po përgatit një tablet me Windows RT

Publikuar , 19 Gusht 2013
0
Nokia po përgatit një tablet me Windows RT

Nokia po bëhet gati të lançojë tabletin e parë me Windows RT në muajin shtator. Disa burime të afërta me kompaninë kanë treguar se tableti planifikohet të zbulohet në një event të veçantë në Nju Jork muajin e ardhshëm.

Ndërkohë ftesat për zhvilluesit kanë filluar të shpërndahen. Eventi është vendosur për datën 26 shtator. Burime për The Verge kanë treguar se tableti, i cili për momentin ka emrin e koduar Vanquish, ka procesor Qualcomm quad-core Snapdragon 800 dhe sistem operativ Windows RT.

Tableti do të përfshijë suport për LTE si dhe do të jetë fillimisht i disponueshëm për tregun e SHBA-së.

Në internet kanë filluar të qarkullojnë gjithashtu edhe fotot e para që supozohet se i përkasin tabletit. Një prej tyre është zbuluar në faqen kineze Digiwo ku shfaqet një version për kompaninë telefonike Verizon në SHBA. Fotoja tregon një tablet me ngjyrë të kuqe, me ekran 10.1-inç ku nuk mungon logoja e Verizon, Windows RT dhe Nokia-s.

Madhësia dhe vendosja e logos janë të ngjashme me disa foto origjinale që dolën për tabletin me Nvidia të Nokia-s, i cili u anulua më pas. Fillimisht, Nokia po punonte për zhvillimin e një pajisjeje me Windows RT e cila do të kishte një tastierë me bateri që do të shërbente edhe si mbështjellëse.

Gjithsesi, nuk dihet me siguri nëse ky tablet me Qualcomm do të përfshijë një mbështjellëse, kështu që do të na duhet të presim deri në fund të muajit tjetër për ta zbuluar. (PCWorld Albanian)

nokia win8

LEXO EDHE:  Më 21 Gusht mbërrin Nokia 9

Lajmet e fundit>