Blog

Nuk ju duam veç me fjalë, nisma e rrjetit delivery ‘Baboon’ me ‘Tiranapost’ për mjekët dhe infermierët e Infektivit

Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 21 Mars 2020
0
‘Baboon’ në bashkëpunim me disa restorante prestigjioze në Tiranë, me mbështetjen e portalit 'Tiranapost.al' kanë ndërmarrë një nismë humane. Nuk ju duam veç me fjalë, nisma e rrjetit delivery ‘Baboon’ me ‘Tiranapost’ për mjekët dhe infermierët e Infektivit

Genti Selenica është djali që do shihni në shumë foto të këtij artikulli. Ai është një nga themeluesit e rrjetit të shpërndarjes së ushqimit, ‘Baboon’. Mund të jenë në minorancë ata që nuk e kane këtë aplikacion në telefonin e tyre dhe nuk kanë shijuar gatimet nga restorantet më të mira të Tiranës në shtëpi apo në zyrë.

Momenti kur merret vakti i parë nga ‘Tëduktu’

‘Baboon’ në bashkëpunim me disa restorante prestigjioze në Tiranë, me mbështetjen e portalit ‘Tiranapost.al’ kanë ndërmarrë një nismë humane, modeste në thelb, por shqiptarët thonë ‘bukë e kripë e zemër të bardhë’, edhe pse në rastin tonë buka është me më shumë shije dhe produkte.

Vakti i parë i paketuar dhe gati për t’u dërguar

‘Baboon’ do të dërgojë çdo ditë pa një limit të caktuar kohor dy vaktet të ngrohta e të shëndetshme për mjekët dhe infermierët e Spitalit Infektiv, që janë në frontin e luftës kundër koronavirusit.

Vakti i parë i përgatitur

Në bashkëpunim me restorantet si,- ‘Tëduktu’, ‘Vila Ferdinand’, ‘Opa’, ‘Deliziosa’, ‘Proper Pizza’, ‘Oreksi’, ‘Family Catering’, ‘Lulishte 1 Maji’ – ‘Baboon’ me mbështetjen edhe të ‘Tiranapost.al’ do të çojë para këtë projekt. Qëllimi është vetëm human, dhe mirënjohje për bluzat e bardha që sot po sakrifikojnë në skalionin e parë të luftës më epideminë nga koronavirusi.

Marrja e vaktit të përgatitur nga ‘OPA’

‘Tiranapost.al’ mbështet mundësinë që restorantet të mos jenë të hapura për njerëzit, por kuzhina e tyre mund të punojë duke ofruar shërbimin ‘online delivery’. Ky shërbim do të jetë në dispozicion të qytetarëve nga ora 13:00 të çdo dite, pikërisht pas orarit kur nuk mundni të dilni nga shtëpia dhe ju vjen nepsi për një ëmbëlsirë apo një ushqim specifik.

LEXO EDHE:  Galaxy S11 do të ketë një ekran me emër ri por a do të jetë teknologji e re

Kështu shpëtojmë sado pak nga ekonomia jonë, nuk i kërkojmë vetëm borxhe bankave, por aty ku mund të punohet e mbijetohet përse jo?!

Genti dhe Xheni që janë në krye të misionit

‘Baboon’ po tregon se idetë inovative në situata të tilla, janë shpëtim siç është sot e siç do ishte edhe pazari online, dhe çdo gjë. Fundja karantinën të gjithë po e kalojmë bashkë në të vetmen hapësirë që e kishim kryqëzuar jo pak herë, botën online. Aty është një pjesë e mirë e zgjidhjeve.

Vaktet mbërritën në destinacion, tek Infektivi

Ndërkaq në këtë moment që shkruajmë, mjekët dhe infermierët tanë duhet ta kenë mbaruar vaktin e ngrohtë: ju bëftë mirë dhe e dimë ju meritoni restorantet më të mira të botës, përqafimet dhe fjalët e çmimet më të mëdha të botës.

Jeni sot mbi çdo shkrimtar nobelist, mbi çdo aktor e këngëtar. Jemi fansat tuaj më të mëdhenj. Faleminderit me gjithë shpirt!

Tags >

Baboon