Analiza

Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare në rënie

Nga: PCWorld
Publikuar , 07 Shtator 2020
0
Numri i përdoruesve aktivë ishte 2.26 milionë, një rënie e ndjeshme me 8.6% krahasuar me tremujorin e kaluar. Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare në rënie

Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM ishte 3,163 milionë ose një rënie me 2.9% krahasuar me tremujorin e kaluar sipas raportit të fundit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike (AKEP).

Numri i përdoruesve aktivë ishte 2.26 milionë, një rënie e ndjeshme me 8.6% krahasuar me tremujorin e kaluar.

Tregu vijon të dominohet nga operatori Vodafone Albania me 1.54 milionë abonentë sipas kartave SIM dhe 1,13 milionë abonentë aktivë.

Telekom Albania ka 1.06 milionë abonentë sipas kartave SIM dhe 849 mijë abonentë aktivë.

ALBtelecom numëron 553 mijë abonentë sipas kartave SIM prej të cilëve vetëm 388 mijë janë aktivë.

Konkretisht Vodafone Albania, Telekom Albania dhe ALBtelecom shënuan rënie të abonentëve sipas kartave SIM me 4.3%, 0.6% dhe 2.9% krahasuar me tre mujorin e parë të 2020.

Rënia sipas përdorusve aktivë ishte 4.6% për Vodafone Albania, 14.2% për Telekom Albania dhe 5.2% për ALBtelecom krahasuar me tre muajt e parë të 2020.

Në përqindjen e përdoruesve me parapagim, Vodafone Albania ka numrin më të ulët prej 72% ndërsa pjesa tjetër janë me kontratë. Telekom Albania ka 84% të përdoruesve me parapagim ndërsa ALBtelecom 76%.

Gjatë këtij tre mujori përdoruesit mesatarisht kanë shpenzuar 186 minuta, 20 SMS dhe 4.01GB.

Tregu i komunikimeve elektronike gjendet përballë një ndryshimi sidomos ai celular. Vodafone Albania vitin e kaluar bleu operatorin fiks Abcom dhe 2020 do të shkojë për shkrirjen e kompanisë dhe shërbimeve të saj brenda operatorit Vodafone.

Kështu Vodafone Albania bëhet operatori i dytë në vend së bashku me ALBtelecom që ofron katër shërbime: telefoni celulare, telefoni fikse, internet dhe TV.

Gjithashtu me shitjen e Telekom Albania tek kompania Bullgare Albania Telecom AD, ky i fundit po përgatitet për një ribrandim. Në rrjetet sociale Telekom Albania ka publikuar imazhe dhe postera për brendin e ri i cili zyrtarisht pritet të zbulohet më 11 Shtator. Telekom Albania do të ribranohet në One. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  ABCom zyrtarisht në pronësi të Vodafone Albania