Lajmet

Nvidia prezanton gjeneratën e re të kartave grafike: RTX 4090 dhe RTX 4080

Nga: PCWorld
Publikuar , 21 Shtator 2022
RTX 4090 është karta grafike flagship më e fuqishme që Nvidia ofron. Nvidia prezanton gjeneratën e re të kartave grafike: RTX 4090 dhe RTX 4080

Nvidia prezantoi zyrtarisht ditën e djeshme seritë e kartave grafike RTX 40. Pas disa muajsh spekulime dhe rrjedhje informacionesh, RTX 4090 dhe RTX 4080 janë zyrtare.

RTX 4090 vjen në 12 Tetor dhe do të kushtojë 1599 dollarë ndërsa RTX 4080 do të kushtojë 899 dollarë e të shitet në Nëntor.

Të dy kartat grafike fuqizohen nga arkitektura e re Ada Lovelace.

RTX 4090 është karta grafike flagship më e fuqishme që Nvidia ofron. Vjen me 24GB memorie GDDR6X dhe Nvidia pretendon se është 2 deri në 4 herë më e fuqishme sesa RTX 3090 Ti duke konsumuar të njëjtën sasi energjie sa gjeneratat e kaluar.

Nvidia rekomandon një bllok ushqimi prej 850-vat nëse kombinohet me një procesor Ryzen 9 5950X. Në brendësi të RTX 4090 janë 16384 bërthama CUDA që operojnë me një frekuencë bazë prej 2.23Ghz dhe turbo prej 2.52Ghz duke prodhuar performancë prej 1321  Tensor-TFLOPS, 191 RT-TFLOPS dhe 83 Shader-TFLOP.

RTX 4080 do të shitet në dy modele, një me 12GB GDDR6X dhe një tjetër me 16GB GDDR6X. Edhe për këtë kartë grafike Nvidia pretendon se është 2-4 herë më e shpejtë sesa RTX 3080 Ti.

Modeli 12GB do të fillojë nga 899 dollarë dhe përmban 7680 bërthama CUDA me frekuencë bazë 2.31Ghz dhe turbo prej 2.61Ghz.

Ndërkaq modeli RTX 4080 me 16GB memorie nuk ka thjeshtë më tepër memorie. Çmimi fillon nga 1199 dollarë dhe ka 9728 bërthama CUDA me frekuencë bazë prej 2.21Ghz dhe turbo prej 2.51Ghz.

Modeli 12GB RTX 4080 kërkon bllok ushqimi prej 700-vat ndërsa varianti 16GB bllok ushqimi prej 750-vat. Të dy modelet janë në shitje në Nëntor.

LEXO EDHE:  Kartat grafike AMD dhe Nvidia bien nën çmimet e rekomanduara

Tre kartat grafike të prezantuara dje do të përfshijnë Nvidia ShadowPlay për të regjistruar lojërat me rezolucion 8K dhe 60-fps HDR. Nvidia do të përdorë enkoduesit më të fundit me mbështetje për AV1 për të përmirësuar transmetimet live.

Me seritë RTX 40 Nvidia do të mbështetë konektorët PCIe Gen-5 me 16 gjilpëra dhe konektorët e bllokut të ushqimit me 8 gjilpëra.

Blloqet e ushqimit ATX 3.0 që ofrojnë mbështetje për PCIe Gen-5 16-pin vinë në Tetor nga Asus, Cooler Master, FSP, Gigabyte, iBuyPower, MSI dhe Thermaltake.

Ada Lovelace, arkitektura e emërtuar pas matematiciences Britanike, është gjenerata e tretë e RTX që fuqizon RTX 4080 dhe RTX 4090. Është dizajnuar për të përmirësuar ndjeshëm ray-tracing dhe Deep Learning Super Sampling (DLSS) 3.

Gjatë demonstrimit të Nvidia një kartë grafike Ada Lovelace me 76 miliardë tranzistorë ndërtuar në arkitekturën 4-nanometër të TSMC u prezantua.

Debutimi i Nvidia vjen në një moment kur tregu i kartave grafike po kalon një periudhë jo të mirë. Kërkesa ka rënë ndjeshëm pas zhvlerësimit të kriptomonedhave si dhe kalimi i Ethereum në sistemin e ri proof-of-stake. Të ardhurat e Nvidia ranë me 1 miliardë dollarë. /PCWorld Albanian

Tags >

Nvidia