Harduer

OnePlus 10 Pro është zyrtar, surpriza për gaming

Nga: PCWorld
Publikuar , 11 Janar 2022
OnePlus 10 Pro vjen me ColorOS 12.1 bazuar në Android 12 por vetëm në Kinë ndërsa versioni global do të jetë ende OxygenOS 12. OnePlus 10 Pro është zyrtar, surpriza për gaming

OnePlus 10 Pro bëri debutimin e tij zyrtar ditën e sotme në Kinë. Flagshipi i ri është një përmirësim i madh krahasuar me paraardhësin duke sjellë çipin më të fundit të Qualcomm, karikim më të shpejtë, dhe gjeneratën e dytë të ekranit LTPO i cili ka frekuencë rifreskimi më fleksibël.

Me madhësi prej 6.7-inç, ekrani AMOLED LTPO 2.0 ka rezolucion prej 1440p. Paneli ofron mbështetje për frekuencën e rifreskimit nga 1Hz deri në 120Hz duke rritur kursimin e baterisë.

Çipi në brendësi është më i fundit që industria mund të ofrojë: Snapdragon 8 Gen 1. Shoqërohet nga 8 ose 12GB RAM LPDRR5 dhe 128 ose 256GB memorie UFS 3.1.

Kamera e OnePlus 10 Pro është zhvilluar në bashkëpunim me Hasselblad. Sensori kryesor është Sonxy IMX89 prej 48-megapiksel ndërsa pas kamerës 50-megapiksel ultra-wide qëndron sensori Samsung JN1 me fushëpamje prej 150 gradë.

Kamera e tretë është telefoto prej 8-megapiksel me zmadhim 3.3x. së fundi kamera selfie ka sensorin 32-megapiksel Sony IMX615.

Partneriteti me Hasselblad sjellë kalibrimin e ngjyrave Natural Color Optimisation 2.0 që premton ngjyra më të afërta me realitetin. Smartfoni ka edhe një modalitet kamere Pro Modo 2.0 RAW.

OnePlus 10 Pro vjen me ColorOS 12.1 bazuar në Android 12 por vetëm në Kinë ndërsa versioni global do të jetë ende OxygenOS 12.

Gjatë prezantimit kompania shpenzoi 20 minuta duke shpjeguar Hyperboost, një funksionalitet që lejon përdoruesit të shtyjnë në limite harduerin për gaming.

Për të parandaluar mbinxehjen, OnePlus ka përmirësuar sistemin e ajrimit ndërsa ngarkesa termike do të rritet edhe prej baterisë 5,000mAh që karikohet me 80-vat. Edhe karikimi wireless ka një fuqi të lartë prej 50-vat.

LEXO EDHE:  Google lançon një hapësirë të dedikuar sigurie tek aplikacionet e Play Store

OnePlus 10 Pro debuon fillimisht në Kinë në dy ngjyra: jeshile dhe zezë. Çmimet fillojnë nga 737 dollarë për versionin 8GB RAM/128GB deri në 831 dollarë për modelin 12GB RAM/256GB memorie. Porositë në Kinë zgjatin dy ditë dhe shitjet fillojnë më 13 Janar.

OnePlus nuk tregoi se smartfoni do të debutojë globalisht. /PCWorld Albanian

Tags >

OnePlus