Softuer

OpenOffice në duar të FLOSS Kosova

Publikuar , 24 Shtator 2009
0
OpenOffice në duar të FLOSS Kosova

OpenOffice.org është pako softuerike për punë në zyrë, që përmban programin për tekst (Writer), programin për tabela kalkuluese (Calc), programin për prezantime (Impress), programin për vizatime (Draw) dhe programin për databaza (Base).

Këto janë programe esenciale për çdo kompjuter, në të gjitha fushat e përdorimit: në administratë, biznese, institucione edukative dhe shtëpi.

OpenOffice.org është pako mjaft e avancuar dhe mund të krahasohet me Microsoft Office, me të cilin ka kompatibilitet të lartë. E veçanta e kësaj pakoje qëndron në faktin se OpenOffice.org është softuer me kod të hapur dhe shpërndahet pa pagesë; ndërsa ka mundësi të krijojë skedarë në standarde të hapura, por edhe në ato të përkrahura nga Microsoft Office. Paketa punon në sistemet operative Windows, Linux, Macintosh OS X dhe Sun Solaris.
ATI-KOS, që nga viti 2004 ka menaxhuar procesin e lokalizimit të pakos softuerike OpenOffice.org deri në versionin 2.0, ndërsa tash do të vazhdohet puna për të qenë në trend me zhvillimet aktuale në versionet e reja të OpenOffice.org, që për momentin është në versionin 3.1.

Menaxhimi i përkthimit do t’i bartet FLOSS Kosova, një OJQ jo-përfituese kosovare që bën promovimin e softuerit të lirë dhe të hapur, si paketa në fjalë, nëpërmjet platformës për përkthimin e ndërfaqeve softuerike Launchpad.net.

E veçanta e kësaj mënyre të punës është se të gjithë mund të kontribuojnë në aktivitetin e përkthimit si dhe të pasurimit të programit me shabllone të krijuara në gjuhën shqipe.

FLOSS Kosova dhe ATI-KOS inkurajojnë sistemin shkollor, bizneset dhe administratën shtetërore në Kosovë, që t’i zëvendësojnë programet ilegale (pirate) me këtë paketë të vlefshme në punët e tyre të përditshme. (PCWorld Albanain)

LEXO EDHE:  Kujdes sepse funksioni i tërheqjes së mesazheve të WhatsApp nuk funksionon për të gjithë

Lajmet e fundit>