Biznes

Operatorët celularë, fitimet mbeten të ulëta

Nga: PCWorld
Publikuar , 08 Qershor 2021
Konkurrenca në tregun celular pësoi një goditje me daljen nga tregu të operatorit të katërt, Plus Communication, në fund të vitit 2017. Por, ndryshimi i pronësisë mbi operatorin e dytë, Telekom Albania në vitin 2019, duket se i dha sërish një shtysë konkurrencës mes operatorëve. Operatorët celularë, fitimet mbeten të ulëta

Tregu i telekomunikacioneve duket ende larg rimëkëmbjes së qëndrueshme të përfitueshmërisë.

Megjithëse pasqyrat e plota financiare ende nuk janë të disponueshme, të dhënat e mbledhura nga Monitor tregojnë se rezultati i përbashkët i operatorëve të tregut vitin e kaluar ishte negativ, i ndikuar nga vazhdimësia e rezultateve me humbje të Albtelecom.

Në një intervistë për Monitor në muajin prill, drejtori i përgjithshëm i One, Emil Georgakiev, u shpreh se kompania e tij arriti një tregues EBITDA (fitimi para taksave, interesave, amortizimit dhe zhvlerësimit në vlerën e rreth 20 milionë eurove. Megjithatë, fitimi neto i One, i zhveshur nga treguesit e tjerë vlerësohet se ka qenë rreth 6 milionë euro. Fitimi One vlerësohet se është rritur me rreth tre herë krahasuar me vitin 2019, kur raportoi fitim në vlerën e rreth dy milionë eurove.

Sipas të dhënave ende jo zyrtare, edhe operatori më i madh në treg Vodafone Albania, e mbylli vitin 2020 me një rezultat neto pak më të lartë se dy milionë euro, në rënie të ndjeshme nga viti 2019, kur kishte raportuar një fitim neto prej rreth 12 milionë eurosh.

Operatori i tretë i komunikimeve të lëvizshme, Albtelecom, vlerësohet se e ka mbyllur vitin 2020 me një humbje prej afërsisht 9 milionë eurosh, në përkeqësim nga rezultati sërish negativ i vitit 2019, kur humbjet neto arritën në rreth 5.2 milionë euro. Prej më shumë se një dekade Albtelecom po vuan peshën e rëndë të shpenzimeve për interesat e borxhit, por edhe vështirësitë për të fituar pjesë tregu në segmentin celular.

Një faktor që shpjegon performancën ende të brishtë financiare të tregut është rënia e bazës së të ardhurave. Tregu i shërbimeve celulare pësoi rënie për të katërtin vit radhazi në 2020 dhe të ardhurat totale të operatorëve kishin vlerën e 23.9 miliardë lekëve, në rënie me 9% krahasuar me një vit më parë. Por, sipas të dhënave, nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), investimet në rrjetet celulare arritën vlerën e rreth 56 milionë eurove, në rritje me 64% krahasuar me një vit më parë.

LEXO EDHE:  Internet fiks në Shqipëri, bie ALBtelecom rritet ndjeshëm Vodafone

Konkurrenca në tregun celular pësoi një goditje me daljen nga tregu të operatorit të katërt, Plus Communication, në fund të vitit 2017. Por, ndryshimi i pronësisë mbi operatorin e dytë, Telekom Albania në vitin 2019, duket se i dha sërish një shtysë konkurrencës mes operatorëve.

Madje, në raportin vjetor të vitit 2020 AKEP shprehu shqetësimin se konkurrenca po shoqërohet me praktika të çmimeve grabitqare, që mund të dëmtojnë sidomos operatorët më të vegjël dhe në tërësi aftësinë e tregut për të siguruar fitime të mjaftueshme për të mbështetur investime të reja në të ardhmen.

Performance ende jo shumë e kënaqshme financiare e operatorëve të tregut mund të jetë një nga arsyet që ka çuar në shtyrjen e planeve për dhënien në përdorim të frekuencave të reja, kryesisht të lidhura me zbatimin e teknologjisë së gjeneratës së fundit, 5G.

/Monitor