Lajmet

Operatorët celularë rikthejnë paketat e vjetra

Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 18 Shkurt 2020
0
Paketat e reja kushtonin 200 lekë më tepër duke rritur vlerën minimale të një pakete në 900 lekë për ALBtelecom dhe 1,000 lekë për Vodafone Albania dhe Telekom Albania. Operatorët celularë rikthejnë paketat e vjetra

Operatorët celularë Vodafone Albania, Telekom Albania dhe ALBtelecom rikthyen paketat e vjetra për pajtimtarët me parapagesë pas një urdhri lëshuar nga Autoriteti i Konkurrencës të Premten dhe hapjen e hetimit ndaj kësaj praktike.

Vodafone Albania riktheu paketat e vjetra mbrëmjen e së Premtes ndërsa Telekom Albania dhe ALBtelecom të Hënën. Operatorët kishin 5 ditë për të kthyer pas paketat ose rrezikonin të përballeshin me gjoba deri në 10% të të ardhurave vjetore për moszbatimin e urdhrit.

Paketat e reja kushtonin 200 lekë më tepër duke rritur vlerën minimale të një pakete në 900 lekë për ALBtelecom dhe 1,000 lekë për Vodafone Albania dhe Telekom Albania.

Gjithashtu operatorët kishin paralajmëruar se rimbushja minimale do të ishte 200 lekë duke filluar nga muaji Shkurt. Operatorët kishin paralajmëruar rritjen e çmimeve që prej Janarit dhe është rritja e dytë pas dy vitesh.

Kompanitë celulare në Shqipëri janë ballafaquar me rënie të të ardhurave në vitet e fundit për shkak të rritjes së përdorimit të internetit për SMS dhe telefonata përmes aplikacioneve dhe ofrimit të paketave standarde.

Vitin e kaluar Vodafone Albania ishte i vetmi operator me fitim ndërsa Telekom Albania dhe ALBtelecom raportuan humbje.

Tregu udhëhiqet nga Vodafone Albania me 1.25 milionë pajtimtarë aktivë, ndjekur nga Telekom Albania me 952 mijë pajtimtarë aktivë dhe ALBtelecom me 421 mijë pajtimtarë aktivë.

Sipas të dhënave të AKEP një pajtimtarë i shërbimeve celulare në Shqipëri konsumon mesatarisht 181 minuta në muaj, 31 SMS dhe 3.45GB internet. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  Vodafone Albania blen operatori e dytë më të madh të internetit broadband në Shqipëri