Biznes

Operatori celular dhe fiks në Kosovë IPKO nuk do të shitet

Nga: PCWorld
Publikuar , 04 Nëntor 2020
Në Kosovë ishte raportuar për ofertën e lartë për blerjen e aksioneve të IPKO-s që ka dhënë operatori serb, Telekom Srbija, duke ofruar 155 milionë euro. Operatori celular dhe fiks në Kosovë IPKO nuk do të shitet

Kompania e dytë më madhe e telefonisë mobile në Kosovë IPKO, i kishte nxjerrë në shitje të gjitha aksionet e saj. Për të blerë IPKO-n interes tregoi edhe kompania telefonike serbe “Telekom Srbija”, e cila ofroi 155 milionë euro. Mirëpo, shitja e IPKO-së duket se nuk të ndodhë fare.

Është anuluar shitja e kompanisë së telekomunikacionit IPKO. Këtë e ka bërë të ditur Telekomi i Sllovenisë.

Siç është njoftuar, procedura është përmbyllur pa zgjedhjen e një blerësi dhe IPKO do të mbetet pjesë e Grupit të këtij Telekomi.

“Në përputhje me dispozitat e Rregullave të Bursës së Lubjanës dhe legjislacionit të vlefshëm, Telekom Slovenije, dd, Cigaletova 15, Ljubljana, njofton publikun se që nga sot ajo ka ndaluar procedurën e shitjes së 100% të aksioneve të saj në Kosovë me bazë IPKO Telecommunications LLC. Procedura u përmbyll pa zgjedhjen e një blerësi, dhe IPKO Telecommunications LLC do të mbetet pjesë e Grupit Telekom Slovenije”, thuhet në njoftim.

Telekom Slovenije e ka nxjerrë në shitje IPKO-n në mesin e korrikut të vitit të kaluar.

Ai këshillohet nga “Erste Group”, me bazë në Austri, në procesin e shitjes së aksioneve, si pjesë e strategjisë së përgjithshme të operatorit për t’u larguar nga tregu i Kosovës deri në 2023.

Në vitin 2005 Telekomi i Sllovenisë e kishte përzgjedhur Kosovën për të investuar në tregun e telekomunikimeve, duke blerë aksione në kompanitë lidere të ofrimit të shërbimeve të internetit, IPKO, ku ndër aksionarët e shumtë ishte edhe ish- sekretarja e SHBA-së, Madeleine Albright.

Mirëpo në vitin 2018 Telekomi i Sllovenisë bleu të gjitha aksionet. Sot, IPKO, ka shumicën e tregut në Kosovë. Kjo kompani ofron shërbime të telefonisë mobile, shërbime të internetit dhe sistemit kabllor.

LEXO EDHE:  Tkurret telefonia celulare në Kosovë, rritet interneti në shtëpi

Telekomi i Sllovenisë vitin e kaluar ka vënë në shitje 100 për qind të aksioneve të saj dhe ende është në shqyrtim të ofertave që kanë bërë kompani të ndryshme.

“Në përputhje me strategjinë e Telekomit të Sllovenisë, që përfshin edhe mundësinë e konsolidimit të mëtutjeshëm përmes zgjerimit dhe disinvestimit, Telekom Slovenia ka filluar aktivitetet për të shitur 100% të aksioneve të saj në IPKO Telecommunications LLc”, thuhet në njoftimin e Telekomit të Sllovenisë.

Në Kosovë ishte raportuar për ofertën e lartë për blerjen e aksioneve të IPKO-s që ka dhënë operatori serb, Telekom Srbija, duke ofruar 155 milionë euro.

Një pazar i tillë ishte konsideruar me rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës, si nga politikanë, njohës të ekonomisë e kibernetikës. /Monitor